Mesa duket emisioni i Alketa Vejsiut dhe Vera Grabockës nuk po korrë suksesin dhe miratimin e gjithë publikut. Në një artikull të publikuar në Dosja.Al lexojmë një mosaprovim për mënyrën sesi vajzat trajtohen gjatë emisionit.
Artikulli i plotë
Vejsiu duke qenë se e ndoqa fjalimin tuaj hyrës mbrëmë në “Love Story” e kam të pashmangshme, mos të mbaj një qëndrim kundrejt këtij të fundit.
Fjalimi juaj synonte t’u jepte një mesazh të gjithë individëve që kishin shprehur kundërshti ndaj formatit televiziv që ju drejtoni.
Nuk është në stilin tim t’i rikthehem një teme për të dytën herë, por në çastin që ju nën regjinë e Vera Grabockës, të zezën doni të na e shisni për të bardhë, lind nevoja për t’ju dhënë një përgjigje përfundimtare.
Le t’i hyjmë me qetësi analizës së fjalimit tuaj, Vejsiu.
Ju thatë se “Love story” bëhej me qëllimin e vetëm për të protestuar kundër dhunës ndaj grave në Shqipëri pasi në këtë vend ka shumë gra që dhunohen, por që heshtin.
Pyetje nga salla për ju dhe për Grabockën- A ka dhunë dhe poshtërim më të madh për një vajzë që të dëgjojë këtë fjali: – Dëgjo, se javët në vijim unë do takohem me vajzat e tjera dhe do prekem dhe do puthem me to. Sa e fortë je ti për t’i duruar videot që do shfaqen?!
Ky ishte dialogu që zhvillohej mes “Princit të kaltër” në emision dhe një vajze që pret të përzgjidhet nga ky i fundit.
Sikundër e theksova në reagimin tim të mëparshëm Vejsiu dhe Grabocka, ajo çka ju servirni si “realitet” në të vërtetë është thjesht një ” eksperiment i dënueshëm social” ku vajzat trajtohen thjesht si qënie frymore që duhet të zbatojnë skenarin e producentes.
Nuk jam e prirur t’i gjykoj ato vajza apo familjet e tyre, pasi janë thjesht “viktima” të fasadës televizive. Viktima të asaj shfaqjeje vezulluese në dukje, por të kobshme në thelb.
Ato vajza mendojnë se një ditë do të prekin ekranin e madh dhe do të marrin famën e ëndërruar, pasi ka vite që modeli i një gruaje të suksesshme, është modeli i gabuar në ekranet shqiptare.
E duke qenë se ato vajza janë rritur me këto modele të gabuara, i synojnë këto të fundit dhe identifikohen përmes tyre. Ne jemi çka shohim.