Organizata ndërkombëtare “Reporterë pa kufij” ka publikuar raportin e saj për vitin 2017-të sa i përket lirisë së mediat kudo në botë.
Organizata “Reporterët pa kufij” vlerëson se në botë është shënuar një “rënie e thellë dhe shqetësuese” e lirisë së medias.
Organizata vlerëson se me rënien e shkallës së demokracisë, retorikën helmuese, ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike dhe shtimin e udhëheqësve autoritarë në botë, po rritet numri i vendeve ku liria e medias është më e kërcënuar se kurrë.
Në bazë të këtij raporti Shqipëria renditet në vend të 76-të ndryshe nga një vit më parë që ishte e 82-ta, me 29.92 pikë, ndërkohë që Kosova renditet e 82-ta me 30.45 pikë, në krahasim me 1 vit më parë që renditej në vend të 90-të.
Në krahasim me vitin e kaluar renditja e 2 shteteve tona është rritur me disa vende, edhe pse në bazë të raportit ka patur vetëm një rritje minimale të pakonsiderueshme në bazë të pikëve me të cilat ato vlerësohen.
Nga vendet e rajonit, më së miri qëndron Bosnja dhe Hercegovina që është radhitur në vendin e 65-të, e pasuar nga Serbia në vendin e 66-të, Kroacia në vendin e 74-të dhe Mali i Zi në vendin e 106-të.
Në pozitën më rë rëndë është Maqedonia që është radhitur në vendin e 111-të.
Për Shqipërinë raporti shkruan:
“Mund të bëjë më mirë. Kjo në raport me konkluzionin e Komisionit Europian në fund të vitit 2015 për ta bërë kandidate për hyrjen në Bashkimin Europian. Është e nevojshme një implementim më i mirë i legjislacionit që garanton lirinë e shprehjes. Shpifja ka qenë e dënueshme me gjoba dhe jo me burg që prej vitit 2012. Pavarësisht lirisë së shtypit të garantuar në ligj që prej vitit 1999 dhe 2014, sërish aksesi dhe marrja e dokumentave zyrtare është e limituar, ndërkohë që autoriteti i mediave audiovizive AMA është i politizuar”.
Ndërkohë që Kosova në ndryshim nga Shqipëria, në bazë të raportit ka disa probleme më të dukshme: “Presioni ekonomik, ndikimi politik, dhe pronësia e përqëndruar e medias në disa duar”,- shkruan raporti duke shtuar se shpeshherë gazetarët që kritikojnë autoritetet kosovare akuzohen si mbrojtës të Serbisë dhe tradhtarë.
Sa i përket renditjes së përgjithshme, kryeson Norvegjia me 7.6 pikë, ndjekur nga Suedia dhe Finlanda. Kjo është renditja e vendeve të para dhe më poshtë raporti i plotë:
https://rsf.org/en/ranking/2017#