Gjigandi i teknologjisë “Facebook” ka vendosur të rikthejë faqet australiane të lajmeve, duke i dhënë fund ndërprerjes 1-javore për shkak të ligjit të ri të qeverisë mbi mediat.
Konflikti Australi-Facebook ka tërhequr vëmendjen globale, ndërsa vendet si Kanadaja dhe Britania e Madhe, kanë në plan të ndërmarrin hapa të ngjashëm për të frenuar platformat dominate të teknologjisë dhe për të ruajtur diversitetin e medias.
Analisti i pavarur britanik, Richard Windsor, është shprehur se Facebook ka shënuar një fitore të madhe, duke shtuar se lëshimet e bëra garantojnë se do të jetë një biznes i zakonshëm tani e tutje, shkruan Reuters.
Australia dhe grupi i mediave sociale patën një ngërç, pasi qeveria prezantoi legjislacionin që sfidoi dominimin e Facebook dhe Alphabet Inc në tregun e përmbajtjes së lajmeve. Facebook bllokoi përdoruesit australianë në 17 shkurt nga ndarja dhe shikimi i përmbajtjes së lajmeve në mediat e saj sociale.
Por pas bisedimeve midis politikanit australian Josh Frydenberg dhe Mark Zuckerberg, CEO i Facebook, u arrit një marrëveshje dhe pritet që lajmet australiane të kthehen në faqen e mediave sociale në ditët në vijim.