Ministria e Turizmit nisi diskutimet me grupet e interesit për masterplanin e zhvillimit të Tales dhe Rënës së Hedhur. Ministri Blendi Klosi, tha se ajo janë dy nga perlat e fundit të mesdheut që presin zhvillim, ndaj theksoi se nuk do të lejohen gabime si në zonat e tjera bregdetare!
Rëra e hedhun dhe Talja konsiderohen mes perlave të fundit të Mesdheut që i kanë shpëtuar betonizimit gjatë tranzicionit.
Masterplani i të dy zonave turistike të Lezhës u prezantua nga Ministria e turizmit para grupeve të interesit!
Ministri Blendi Klosi foli për zhvillim dinamik e bashkëkohor, duke moslejuar përsëritjen e gabimeve të bëra më herët në zona të tjera turistike.
”Unë do uroja shumë që mos të ishte si zhvillimi i Shëngjinit si para 3 ose 4 vitesh. Në ato vila jetohet 30-45 ditë, ndërsa po të bëhen hotele, aty ka mundësi që të ketë biznes 12 mujor.”
100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime. Strukturat e akomodimit rekomandohet të jenë kompakte, ndërsa Klosi e vuri theksin edhe tek mundësitë për zhvillimin e ekonomisë së detit.
”Është një plan i cili kërkon të ruajë edhe raportin me detin, raportin me natyrën, dhe mundësinë për të zhvilluar marinare, porte jahtesh.”
Kreu i dhomës së tregtisë dhe Industrisë në Lezhë kërkoi që të merret parasysh edhe një plan i dy viteve më parë, mbi bazë të cilit shumë biznesmene kanë marrë prona për t’i zhvilluar.
”Nëse sot, godasim me këtë studim, kjo do të krijojë një konflikt shumë të madh social.”
Sipas masterplanit, Talja ka një kapacitet mbajtës prej 6000 turistësh, Rëra e Hedhur 4900, Rrjolli 6000 dhe Spilleja mbi 9000.