Italia është e vendosur që të lejojë lëvizjen e lirë në të gjithë vendin nga 3 qershori, sipas një draft-dekreti. Qeveria italiane është duke shkuar drejt zhbllokimit të vendit nga koronavirusit për të ngjallur ekonominë e goditur, shkruan Reuters.
Italia ishte vendi i parë europian që vendosi kufizime të ashpëra mbarëkombëtare në mars, si një përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit dhe po hedh hapa të ngadalta drejt rihapjes duke u mbështetur në kurben e infeksioneve, ku numri i rasteve të reja po bie.
Sipas draft-dekretit, i cili pritet të miratohet pasditen e kësaj të premte, thuhet se lëvizja brenda rajoneve të ndara do të lejohet nga 18 maji, ndërsa kufizimet ndër rajonale do të hiqen në 3 qershor.
Fundi kufizimeve të udhëtimeve do të shënojë një moment historik në rrugën e shërimit të Italisë, me qeverinë që shpreson të shpëtojë sezonin e ardhshëm të festave, si dhe sezonin turistik të verës.
Fabrikat e vendit u lejuan të fillonin aktivitetin e tyre në 4 maj dhe dyqanet do të hapen të hënën.
Rajonet mund të riaktivizojnë të gjithë sektorët e ekonomisë, nëse do të ndjekin protokollet e sigurisë. Autoritetet e shëndetit kombëtar do të monitorojnë situatën për t’u siguruar që infeksionet po mbahen nën kontroll, thuhet në dekret.
Gjithashtu parashikohet që kryetarët e bashkive mund të ndërhyjnë dhe të mbyllin vendet publike nëse distancimi social nuk respektohet.
Pothuajse 31.400 italianë kanë vdekur nga COVID-19 që kur shpërtheu virusi më 21 shkurt, vendi i tretë me numrin më të lartë të vdekjeve në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë./