Filmi i ardhshëm i platformës Netflix, “Don’t Look Up”, fokusohet në një tjetër katastrofë që lidhet me gjithësinë, por kësaj radhe Toka dhe mbarë njerëzimi rrezikohen nga një kometë.
Filmi e trajton historinë e dy astronomëve të panjohur të portretizuar në film nga yjet e hollywoodit, Leonardo DiCaprio dhe Jennifer Lawrence, të cilët e zbulojnë këtë problem i cili mund të rezultojë me një katastrofë globale, por për fat të keq të tyre, askush nuk iu beson, përfshirë këtu edhe presidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila në film portretizohet nga, Meryl Streep, dhe djali i saj i bezdisshëm që shërben si shef i stafit presidencial, e i cili në film luhet nga Jonah Hill.
Pamjet e para e bëjnë atë të duket si një film argëtues, dhe publiku ka mbetur i impresionuar nga kasta e mrekullueshme e aktorëve ku përfshihen edhe yjet: Ron Perlman, Timothée Chalamet, Ariana Grande, Kid Cudi, Cate Blanchett dhe Tyler Perry.
Filmi vjen me regji dhe skenar të Adam McKay, i njohur për projekte të tilla si “Anchorman”, “Step Brothers” dhe “The Big Short”.
“Don’t Look Up” do të fillojë së shfaquri në Netflix më 24 dhjetor, pas debutimit në disa kinema të përzgjedhura më 10 dhjetor të këtij viti.