Laurel Mëhilli: U zhgënjeva nga “Master Chef Albania”. Isha më i mirë se Arbri.

I përfolur si fituesi potencial i spektaklit “Master Chef Albania 3”, Laurel Mëhilli, në fakt doli i zhgënjyer nga përfundimi i kësaj gare. Përtej pritshmërisë së tij për tu kurorëzuar si më i miri, juria vendosi që vendin e parë, në këtë konkurs gatimi ta merrte Arbër Togani. Megjithatë, përvoja që Laureli ka përftuar nga spektakli në fjalë, është e tillë që nuk e zhvlerëson aspak dhe ka qenë “çelësi”, që e bën sot, pak ditë pas përfundimit të “Master Chef”, të punojë si shef kuzhine në një nga restorantet më të njohur në Tiranë.

“Master Chef” ka vetëm pak ditë që ka përfunduar. U përfol që do të ishit ju i përzgjedhuri në vendin e parë të këtij konkursi gatimi. Mendoni se në fakt, pikërisht këto thashetheme dhe zëra ndikuan që të mos fitonit?

Nuk e njoh tregun shqiptar sesi mund të funksionojë web-i, por pati goxha thashetheme në web se kisha paguar njerëz, që të fitoja “Master Chef”. Më ulnin poshtë anën profesionale, atë që mësonim aty. Vendosnin theksin në faktin që kisha hapur dyqanin e parfumerisë dhe thoshin, që unë kisha paguar një shumë të madhe parash për të fituar. Shpresoj të mos ketë ndikuar, se nuk e di se sa merret në konsideratë çfarë thuhet në Facebook apo në web. Por unë kërkoj të jem realist në atë që bëj, për më tepër edhe për shkak të moshës. Nuk jam adoleshent apo i vogël, që të fluturoj kot. Por që nga fillimi i “Master Chef” kam bërë përherë pjata të mira. Tani nuk mund të them që isha më i miri, se atë e vendosnin shefat, por përherë bëja pjata të mira. Në finale isha patjetër më mirë. Në finale kishim katër pjata. Për të katër pjatat, me aq sa pashë unë dhe me aq sa u pa në ekran, komentet e shefave ishin më mirë për mua se sa për Arbërin.  Pjata e mirëseardhjes së Arbërit kishte dalë me kripë. Përderisa Arbëri kishte vënë kripë më tepër, nuk kishte arritur suksesin, ndaj te pjata e parë, e mora unë pikën. Te antipasta, mund të themi që ishim barazim ose e fitoi Arbëri. Tek pjata kryesore, që ishte mish rose ose pate, nuk kisha asnjë gabim. E vetmja gjë ishte, që duhej të kishte pak më tepër salcë, kurse tek Arbëri, shoqëruesja ishte më e madhe se gjoksi i patës. Pra, nuk ishin në raport dhe pata kishte dalë e fortë. Të paktën, sipas mendimit tim, edhe ajo pjatë ishte e imja. Ndërsa tek ëmbëlsirat, Arbërit nuk i kishte dalë fare ajo që donte. Edhe po të shihje kritikat e shefave, ata thanë: -Laureli, po ta kishte pastën me pak më pak marmalatë limoni, pjata do të ishte e përkryer.  Kurse Arbërit nuk i kishte dalë çokollata,mussi dhe biskota i kishte dalë e fortë. Ishin tre gabime në një pjatë. Teorikisht, edhe ajo pjatë ishte imja.  Pra, tre pjata i fitova unë, një ai.

Atëherë, pse mendoni që nuk fituat ju?

Nuk e di. Edhe kur u ulën të tre shefat, edhe nga komentet, dukej që u kisha dhënë shije.  Mendoj se, ose kanë dashur të promovojnë “kuzhinën moderne” të Arbërit, ose ndoshta mosha, kanë dashur të promovojnë më tepër rininë. Nuk di ç’të them.

U zhgënjyet nga rezultati?

Po.  U zhgënjeva, sepse po prisja që, nëse do të ishte diçka e drejtë, që të gjykohej çdo gjë që kishim bërë, por edhe organizimi i punës, siç thanë, i kisha të gjithë komponentët. Unë pjatën e mbaroja në kohë. Jo se Arbëri nuk e mbaronte në kohë, por e mbaronte pas meje. Normalisht, nuk e ul punën e Arbërit, se ai punon bukur dhe pastër, por aty ishte për ta fituar unë. Nuk janë fjalë që i them, sepse mbeta keq që nuk fitova dhe më vjen inat. Jam objektiv për këtë. Por ata vendosën ndryshe dhe i dorëzohem fatit.

Pse mendoni që dolën zërat se keni paguar, për të fituar spektaklin?

Nuk e di fare. Doja ta dija këtë pseudoburim të këtyre zërave. Kur shkon në konkurs, shkon normalisht për të fituar. Nëse bën një garë dhe del fitues është shumë bukur, ky është sensi i garës. Edhe çmimi ka të vetën, se 10 mijë Euro nuk janë pak.

Në një intervistë për ndjekësit në Facebook, Renato Mekolli fliste për amatorizëm në “Master Chef Albania”. Mendoni se organizimi i “Master Chef” ka amatorizëm? Ka gjëra që nuk iu pëlqejnë nga ky organizim, pas përvojës suaj?

Nuk dua të flas. Egoja personale apo këndvështrimi personal ndonjëherë mbizotëron mbi gjykimin e përpiktë.  Por, nuk mu duk amatoresk. Organizimi i “Master Chef” ishte goxha impenjues.

Mendoni se “Master Chef” e përmbush misionin që ka marrë përsipër, pavarësisht vlerësimit në fund?

Për vlerësimin në fund, më erdhi inat. Ndërsa që unë dhe Arbëri ishim më të mirë se të tjerët, kjo dukej.

Ata që na lexojnë mbase kanë kuriozitet të dinë diçka më tepër për përvojën tuaj të mëparshme me kuzhinën dhe gatimin…

Unë rastësisht u ktheva nga Italia në shtator 2014. Kam punuar gjatë gjithë jetës në restorante. Që nga ’91, që kam ikur në Itali, kam punuar në kuzhinë dhe më pëlqente. Por pashë që fitimi, në fakt ishte më i shpejtë në sallë se në kuzhinë. Kështu që, unë ngaqë isha lavapjatës, dola në kuzhinë si ndihmës kamarier.  I kam bërë të gjitha. Me restorante jam marrë tërë jetën. Duke punuar në Itali dhe në vende shumë të mira, me hotele me pesë yje, kam përvojë. Atje kamarieri është shumë shumë i përgatitur. Është gati një shef kuzhine. Kur vjen klientela dhe të pyet çfarë ka, ti duhet t’i dish shumë mirë gjërat. Përgatitja në sallë është shumë efiçente.  Kështu që, koefidencë me ushqimin kam goxha. Normalisht, gatuaj dhe vetë në shtëpi. Më ka ndihmuar goxha edhe që, në një periudhë të gjatë gatuaja në një restorant, ku punoja me ushqime gjysmë të gatshme, ushqime që ua përgatisnim klientëve para syve, me zjarr.

Kjo përvojë në “Master Chef”, çfarë ju dha që nuk e kishit më parë?

Më dha besim. Janë disa gjëra që ti nuk i beson, sa më shumë kalojnë vitet, sepse nuk jam as i vogël. Jam 42 vjeç. Me thënë të drejtën, që kur hyra në “Master Chef” e pashë që kisha potencial dhe gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi. Mendoj se “Master Chef” ka arritur të më japë, jo pasionin, se atë e kam pasur, por shtytjen për të punuar në kuzhinë.  Në “Master Chef” e pashë, që mund të gatuaja shumë gjëa dhe diçka e tillë më vjen natyrshëm, kollaj.

E ndjeni reagimin e njerëzve në rrugë tani, pas përfundimit të spektaklit? Mendoni se tashmë jeni bërë i njohur, për shkak të daljes në ekran?

Diçka e tillë u duk që kur isha në gjysmë finale. E marr reagimin e njerëzve, patjetër. Dhe diçka e tillë më përkëdhel sedrën.  Kur eci rrugës, ka njerëz që më përshëndesin me emër, por ka dhe nga ata që më shajnë dhe është normale.  Por, në përgjithësi ka në reagim që më përkëdhel sedrën.

Një pyetje, që në fakt ishte nismëtarja e kësaj aventure televizive për ju: Pse vendosët të futeshit në “Master Chef”?

Futja te “Master Chef” ishte rastësi. Kur u ktheva nga Italia, hapa te Blloku një dyqan parfumerie. Kam një kushëri të largët, që kishte marrë pjesë te “Master Chef 2” dhe nuk e kishte kaluar provën, edicionin e parë. Unë i thosha: -Shko te i treti!, pavarësisht se ai nuk dëshironte. Në fund i thashë, se do ta shoqëroja dhe unë. Kështu, bëmë që të dy nga një patë dhe shkuam. Mua më pranuan, atë jo. Pastaj, kur je brenda garës fillon të të tërheqë: hajde të kaloj një provë, hajde edhe një tjetër dhe fillon të hyn në gjak konkurrimi.

Tashmë, pas përfundimit të “Master Chef”, keni filluar direkt punë si shef kuzhine. Ndikoi kjo përvojë, që të punësoheshit më lehtësisht?

Ndikoi, patjetër. Kisha një të njohur që kur ishim fëmijë, por që i kishim humbur kontaktet dhe u takuam pasi dola në televizor. Sot është dita ime e dytë e punës. Ai më bëri një ofertë pune dhe më pëlqeu.  Mu bë qejfi, që më dha mundësinë, se sado që “Master Chef” të jep besimin në vetvete dhe përvojën, kur del në jetën reale, nuk është se do të bësh vetëm një pjatë. Më ndihmon fakti, që kam punuar si drejtor salle dhe duke organizuar punën e sallës, arrij të organizoj, të paktën deri tani, 70 përqind të punës, por do të arrij t’ia marr dorën më tepër edhe kuzhinës.

Mendoni që shqiptarët ushqehen mirë dhe e njohin kuzhinën, me aq sa keni parë?

Kam munguar gjatë dhe kam qenë larg dhe për fat të keq kam ardhur shumë pak në Shqipëri. Kështu që, kur u ktheva, impakti ishte shumë pozitiv. Me shumë kënaqësi pashë, që edhe Shqipëria ka ecur goxha. Më duket sikur jam në Romë edhe këtu, nuk ka shumë diferencë. Sepse edhe Roma ka problemnet e veta. Shqiptarët ushqehen mirë, por nuk kanë një kulturë shumë të madhe nga ana e ushqimit të Europës Perëndimore. Unë jam injorant nga Europa Lindore dhe po mësoj gjëra, që nuk i dija në Itali, kështu që nuk mund të them se nuk dinë të hanë.  Por kam parë që, në shumicën e restoranteve ka informacion të keq. Kur i japin produktet përshembull, shoh që u venë pjatave emra italianë, por kur të prezantohet produkti, nuk është ajo gjë.

E keni çuar në mend të hapni një restorant tuajin?

Akoma, sepse dua të njoh njëherë mirë tregun. Sepse, nuk është se unë apo shumë të tjerë, që vijnë nga një koncept tjetër, mund të përmbushim shijet, sepse secili ka shijet e veta. Për më tepër, këtu kanë shije shumë ndryshe nga Italia. Mund të japësh produktet italiane, por duhet të ndjekësh edhe shijen shqiptare, se ndryshe falimenton direkt.

Siç pohuat, secili ka shijet e veta. Keni një recetë të preferuar, që e keni më për zemër dhe e shijoni më tepër?

Duke ardhur nga Italia, mund të them se janë pastat, makaronat. Më të preferuarën e kam bërë dhe te “Master Chef”.

Një pjesë e mirë e atyre që ju ndjekin, besoj kanë interes për jetën tuaj personale. Ç’mund të thoni për këtë pjesë tuajën?

Bashkëjetoj me partneren time, Gencianën, që prej tetë vjetësh. Zgjodhëm të lemë Italinë, pas 23 vjetësh atje.

Keni menduar që jetës suaj së përbashkët, t’i shtoni dhe fëmijë?

Në Itali të fuste pak frikën ideja e të pasurit fëmijë, se jeta ishte shumë e shpejtë, shumë impenjuese.  Por tani që kemi ardhur në Shqipëri, planet për të pasur fëmijë, i kemi.

Duke qenë se e doni kuzhinën, besoj se gatimi mund të jetë një mënyrë joshjeje. E keni joshur me gatimin partneren tuaj? Cila është pjata, që ajo preferon më tepër dhe që e keni përdorur si armë joshjeje?

Po. E kam joshur me pasta. Ajo i do shumë pastat që gatuaj unë dhe njëkohësisht i kam mësuar dhe asaj të gatuajë.

Marre nga Shije

ADVERTISEMENT
ADVERTISEMENT

TË NGJASHME

Next Post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Publicitet

Marketing

Për publicitet në IMA kliko këtu

Loading…

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Add New Playlist