Nëse krahasohet me një DVD, videokaseta sot nuk është gjë tjetër veçse një dinosaur i epokës analoge, por në vitet ’80 ishte mjeti kryesor për regjistrimin e videove dhe për të parë filma në shtëpi.
Epoka e lavdishme e VHS-ve (Video Home System) ka mbaruar prej kohësh, por vetëm sot ajo mund të konsiderohet përfundimisht e mbyllur.
Grupi japonez “Funai Electric”, që prodhonte video-regjistrues, VCR (Video Cassette Recorder), ka bërë me dije se do të vazhdojë të punojë deri në fund të gushtit dhe pastaj do të mbyllë dyert, duke u kthyer edhe ai në një copëz të historisë.
Vendimi i “Funai Electric” ka ardhur jo vetëm si pasojë e rënies së klientelës, por edhe për mungesën e pjesëve përbërëse. Pengesë kjo që mund të tejkalohet vetëm nëse ka një kërkesë në rritje, gjë që ka pak gjasa të verifikohet.
Edhe pse vitin e kaluar kompania aziatike shiti 750 mijë njësi VCR, shifra në fjalë nuk është për t’u lavdëruar pasi video-regjistruesit konsiderohen tashmë një “specie e zhdukur”.
/ Top Channel