Kinematografia dhe arti shqiptar ka humbur një tjetër emër të njohur. Është ndarë nga jeta regjisori i njohur Muharrem Fejzo në moshën 87-vjeçare i prekur nga Covid-19.
Lajmin e hidhur e ka bërë me dije djali i tij, Joe Fejzo me anë të një postimi në rrjete sociale.
Regjisori ishte prekur nga Covid disa ditë më parë, ndërsa ditët e fundit gjëndja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar, duke humbur kështu betejën me virusin vdekjeprurës.
Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Fejzo bëri praktikë si sufler në Teatrin Popullor në Tiranë. Kreu studimet në degën e aktrimit dhe nga pasioni i madh që kishte për kinemanë, kontribuoi si grimier në disa nga filmat e parë shqiptarë. Vite më vonë u bë drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.
Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit. Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.
Gjatë karrierës së tij, Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri” (1973) dhe “Mësonjtorja” (1979). Filmin e tij të fundit “Muri i gjallë”, Muharrem Fejzo e realizoi në vitin 1989.
Ai mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i madh”.