Situata në dy spitalet Covid është përmirësuar gjatë dy javëve të fundit. Sipas raportimeve të gazetarëve në spitalin “Shefqet Ndroqi” janë të shtruar 135 pacientë të infektuar, ndërsa në spitalin Infektiv raportohen më pak shtrime se një javë më parë.
“Janë 10 pacientë në terapi intensive, 4 në intubim. Kemi një rënie drastike të numrit të të shtruarve që prej 13 korrikut kur u rikthye në spital COVID. Situata në spital konsiderohet më e stabilizuar dhe kjo ka ndikuar dhe në shërbim. Kemi një gjendje më të përmirësuar në spitalin e Sanatoriumit ku shërbejnë 15 mjekë primarë por edhe mjekë specializantë dhe dhjetëra infermierë”, raportoi gazetari Erjon Skëndaj për “Neës24”.
Në 24 orët e fundit ka pasur 11 referime urgjencash, një shifër më e ulët se ditët paraardhëse.
Një ditë më parë Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 178 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 18 në terapi intensive nga të cilët vetëm 7 pacientë janë të intubuar.
“Në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”, njoftoi Ministria dje.