Turqia i ka mbyllur derën të gjithë pacientëve nga vendet e tjera që mund të kërkojnë të kurohen në spitalet turke. Vendimi sipas mediave turke vjen pas një shkrimi për numrin e lartë të pacientëve me COVID që vijnë në Turqi, duke zënë shtretërit që mund të përdoreshin nga turqit.
Ministria e Shëndetësisë në Turqi, ka ndaluar futjen në spitale me çartera spitalorë të të sëmurve deri në një vendim të dytë. “Sozcu” shkruan se nëse urdhëri nuk respektohet, atëherë qeveria ka vendosur sanksione për bizneset dhe spitalet që e thyejnë vendimin.
Urdhëri iu është shpërndarë të gjitha kompanive ajrore dhe Autoritetit të Aviacionit Civil Turk. Gjeorgjia, Shqipëria, Rusia dhe Iraku ishin 4 vendet që dërgonin më shumë pacientë të sëmurë me COVID19 në Turqi. Fluturimet me çarter drejt Turqisë në vendin tonë kanë kapur vlera marramendëse nga 25 mijë deri në 45 mijë euro.
Sipas Dosja.al raportohet nga të dhënat zyrtare se nga muaji mars deri në nëntor, nga Rinasi u ngritën 270 çartera spitalorë për kurim jashtë vendit, ku destinacioni kryesor ishte Turqia.