Duke filluar nga kjo e diel në Top Channel të gjithë dashamirët e humorit nuk do të kenë mundësi të shohin spektaklin e mirënjohur Portokalli. Jo, nuk është anulluar por si çdo fillim viti formati i njohur do të ketë një periudhë pushimi për tu rikthyer në sezonin e ri.
Top Channel gjatë kësaj pause ka menduar të zëvendësojë Prime e të dielës më një tjetër program. Bëhet fjalë për ‘ËndërrTjerrësit’, i cili do të risjellë në lupën e teleshikuesit edhe njëherë disa nga formatet, personazhet që kanë kontribuar në ngritjen, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e suksesit të Top Channel. Ky cikël emisionesh vjen në kuadër të 20 vjetorit të televizionit.
Formati do të drejtohet nga Edi Manushi dhe Ori Nebija.
Në një bisedë me “Goca & Gra”, producenti Edi Manushi dhe moderatorja Ori Nebijaj ndanë më shikuesit disa detaje për programin, i cili lindi si ide nga Lori Hoxha dhe është kuruar nga Ledion Liço.
“Programi do të ndërtohet] mbi bazën e arkivave, sepse Top Channel ka një arkivë të kuruar, është një takim brezash, në formën e një ribashkimi, takim me njerëzit që kanë nisur këtu eksperiencat e tyre të para,” tha Manushi.
“Qëllimi dhe ëndrra që tirret në këtë emision, në këto puntata speciale për 20 vite Top Channel, janë kryesisht të gjithë ata të cilët kanë qenë një gur i rëndësishëm, që prej ditës së parë kur Top Channel ka dalë live në transmetim e deri më sot. E kemi fokusin tek ata që duhet të jenë sepse kanë qenë shtyllë edhe bazë për themelimin,” shpjegoi Ori.
Programi do të përcjellë pamje të 20 viteve Top Channel, nga vizioni i themeluesit të ndjerë Dritan Hoxha, te transmetimet e para e te shumë ngjarje të prapaskenës.
“Ka shumë emocione që personazhet rrëfejnë, që nga dalja e parë në transmetim e gjithçka ndodhi pastaj në një revolucion shumë të madh në 20 vite televizion, por ka shumë argëtim dhe të qeshura me situata dhe momente nga më të ndryshmet, me kujtimet që ata kanë,” u shpreh Ori.
Mos harroni, duke filluar nga kjo e dielë do të kemi plot surpriza dhe një arkivë për të zbuluar në Top Channel! /IMAlbania.com