Shqipëria ende nuk e ka përfunduar procesin e digjitalizimit (ndër vendet e rajonit janë edhe Kosova e Bosnjë- Hercegovina). Ky proces ka qenë një sfidë e vështirë edhe për shtetet që e kanë implementuar atë, pasi ky proces kërkon një koordinim të mirë të të gjithë aktorëve që marrin pjesë në të, qeverisë, rregullatorëve, operatorëve, shoqatave të operatorëve, industrisë, etj.
Me rëndësi në këtë proces është ndërtimi i rrjeteve numerike të operatorit publik shqiptar, RTSH-së. Aktualisht RTSH-ja është në fazën e implementimit të dy rrjeteve kombëtare numerike. Ndërkohë AMA ka çelur garën për licencimin e operatorëve privatë kombëtarë dhe është në procesin e vendimmarrjes. Ndërtimi i rrjeteve numerike kombëtare është me rëndësi pasi në këto rrjete do të mbështeten edhe operatorët ekzistues lokalë apo rajonalë, duke siguruar kështu vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve televizive nga këta operatorë.
Transmetimi i programeve të tyre do të jetë i hapur (pa pagesë) edhe pasi ato të mbështeten në rrjetet numerike. AMA ka organizuar dhe do të vijojë të organizojë konferenca dhe seminare me aktorët e tregut audioviziv deri në përfundim të procesit të digjitalizimit, në kuadër të informimit të tyre mbi legjislacionin dhe mënyrat e detajuara të kalimit në transmetimet numerike. AMA ka në fokus organizimin dhe koordinimin e fushatës për informimin e publikut, hartimin e broshurave dhe manualeve të cilat do t’u vijnë në ndihmë, përdoruesve të shërbimit të ri.
Gjithashtu AMA është duke krijuar strukturën e Call Center-it e cila do të ofrojë ndihmë teknike për publikun e gjerë. Publiku do të jetë i informuar hap pas hapi mbi procesin e digjitalizimit nëpërmjet faqes zyrtare të AMA-s, spoteve publicitare, emisioneve televizive dhe fletëpalosjeve që AMA ka përgatitur.
Marre nga AMA