Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka pezulluar nga detyra kreun e AMA-s, Endira Bushati. Sipas gjykatës, Bushati nuk ka marrë masa për të luftuar piraterinë pavarësisht ankesave të shumta të televizioneve.
“Problematika lind me marrjen e mandatit të dytë si kryetare të Endira Bushatit. Ajo nuk mund të zgjidhej si anëtare, pasi kjo nuk mund të ndodhte në një kohë kur Bushati e ka përfunduar mandatin e anëtares më datë 24.09.2012. Znj.Bushati më 5.11.2009 merr një mandat zëvendësimi në vend të Artan Zenelit si anëtare, mandat i cili i përfundonte në datë 24.09.2012, që do të thotë se Endira Bushati, zëvendësuese e z.Zeneli, nuk ka me mandat anëtari prej shtatorit 2012”, thuhet në argumentin ligjor të shkresës për inicimin e zëvendësimit të Bushatit.
Vetëm me votat e saj dhe në mungesë të opozitës, deputetët e mazhorancës votuan raportin e paraqitur nga deputeti Alfred Peza, ku evidentonte 4 vakanca përfshirë dhe vendin e kryetares Endira Bushati.
“Nga ky çast nis zyrtarisht procesi për zëvendësimin e 4 anëtarëve të AMA-s, përfshirë edhe kryetaren”, u shpreh deputeti i PS-së Alfred Peza.
Ndërkaq deputetët e opozitës kërkuan që për mandatin e kryetares së AMA-s, të vendosë Këshilli i Legjislacionit, kërkesë e cila u rrëzua nga mazhoranca dhe bëri që deputetët e Partisë Demokratike të braktisnin mbledhjen. Për opozitën, nisma e mazhorancës për të shkarkuar Kryetaren e Autoritetit të Mediave Audiovizive, e ka cilësuar si politike dhe që synon kapjen e institucioneve të pavarura për qelllime klienteliste.