Në Samitin e Klimës, aktori i njohur Leonardo Dicaprio ishte ulur pranë kryeministrit Edi Rama.
Nga ana tjetër, Rama nuk mund ta humbiste këtë mundësi për të biseduar me Leonardo di Caprion dhe ka postuar në rrjetet sociale një foto me aktorin e mirënjohur.
“Kur je komshi me Leonardo di Caprion dhe të lidh mbrojtja e Vjosës”, ka shkruar Kryeministri Rama në Instagram.
Në fjalën e tij në samitin e klimës, që po zhvillohet në Glasgou të Skocisë, Rama tha se Shqipëria është një vend jondotës, por ka nevojë për ndihmën e shteteve të mëdha për të përballur krizën energjetike.
“Ndoshta jam më i gjati këtu, por vij nga një prej vendeve më të vogla, Shqipëria. Në mbledhje të tilla ne na thonë se çfarë të bëjmë, të dëgjojmë e të mbajmë shënim. Por ende nuk mora përgjigje për pyetjen që kisha para se të vija këtu. Si kanë ndërmend të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, një vend jondotës. Po, po, një vend jondotës”, tha Rama.
“Prodhimi ynë i energjisë bazohet 100% në energji hidrike, 100% të rinovueshme. Mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat për termocentrale për të kompensuar nevojat në muajt e thatësirës. Kështu që vendi im pyet, mos po paguajmë për shkak se po bëjmë gjënë e duhur?! Besoj se do të marrim financime për të luftuar këtë ngërç. Këto financime nuk duhet të vijnë në formën e huave, që do të na fusin në një spirale borxhesh, por në formën e granteve, që do të na fuqizojnë për të investuar”.