Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, i kërkoi falje presidentit dhe bashkëshortit të saj, Ilir Meta, duke pranuar kritikat e tij për dorëzimin e mandateve.
“Koha dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i presidentit të Republikës ishte i drejtë. Prandaj dua që në emër të LSI dhe timin personal. t’i kërkoj falje për këtë qëndrim, që nuk solli gjë tjetër vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët”, tha Kryemadhi në një konferencë për mediat.
“Dua të falënderoj votuesit e vlefshëm 107 mijë votuesit e vlefshëm. dhe 81 mijë votuesit e pavlefshëm, ku 70% janë votues të LSI-së. Falenderim për burrat dhe gratë që nuk u shitën, nuk u trmebën nga kërcënimet. Makineria mediatike, politike kundër LSI-së, e cila nuk u tërhoq për asnjë moment prej 2 vitesh”.
Sipas saj, rezultati nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim. “Nuk do të tërhiqemi, por do ta vazhdojmë betejën tonë edhe më tutje. LSI nuk do të jetë vetëm në Parlament, por në sheshe dhe çdo shtëpi të qytetarëve shqiptarë”, tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se janë të paktën 3 mandate për të cilat partia e saj do të luftojë për t’i rifituar. “Ju bëj thirrje numëruesve sepse në Durrës, ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit vetëm me 139 vota, kanë dalë fletë e pavlefshme. Prandaj numëruesit tanë të numërojnë çdo votë për kandidatët. Tradhtia më e madhe vjen në 3 mandatet e Beratit, Korçës dhe Durrësit. Kjo është tradhtia më e madhe vetëm në 3 mandate, pa llogaritur të gjithë procesin zgjedhor”.