Kufizimi i lëvizjes së automjeteve për shkak të virusit COVID-19, sipas bashkisë së Tiranës tregoi se nisma për shtimin e korsive të biçikletave dhe zgjerimin e trotuareve ishte e drejtë. Ndaj, vijon më tej bashkia, zgjerimi i trotuareve dhe ndërtimi e rrjetit të korsive të biçikletave, me qëllim lehtësimin e lëvizjen së qytetarëve, duke u dhënë përparësi këmbësorëve, njerëzve me aftësi të kufizuara apo nënave me karrocë, po vazhdon me ritme të shpejta.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi disa nga punët që po kryhen te Libri Universitar, ish stadiumi “Dinamo”, sheshi “Uilson” etj., ku theksoi se një nga mësimet që na dha koronavirusi është nevoja për më shumë trotuare dhe korsi biçikletash, të cilat do të konsiderohen si pjesë e një emergjence shëndetësore.
“Për sa kohë që nuk kemi një vaksinë, e ardhmja do të jetë e këmbësorëve dhe e çiklistëve. Disa gjëra që më përpara i bënim sepse ishim bashki progresiste, pra rregullim trotuaresh, korsi biçikletash, tani do t’i bëjmë si detyrim dhe emergjencë shëndetësore. E di që tingëllon e çuditshme, por zgjerimi i trotuareve dhe korsitë e biçikletave janë pjesë e një emergjence shëndetësore, njësoj si shërbimi zjarrfikës, shërbimi policor apo shërbimi i ambulancës”, tha ai.
Veliaj shtoi se në ato zona ku janë zgjeruar trotuaret, edhe puna tek bizneset është rritur më shumë. “Janë bërë trotuaret e reja, duke filluar nga Presidenca, aty ku takohet me Bulevardin “Sulejman Delvina”, në të dy anët, edhe te Libri Universitar. Po të shikoni, tani që është hapur orari dhe është relaksuar pak situata e emergjencës, është shtuar më shumë puna në ato dyqane. Besoj se të njëjtin fat do të ketë edhe “Sulejman Delvina”, edhe Sheshi “Uilson”, deri këtu ku takohet me “Gjik Kuqalin”. Më përpara nuk e vinim re sepse më parë nuk e ndjenim nevojën e distancës sociale, por tani është absolutisht jetike”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku nënvizoi se edhe në qytetet më të mëdha në botë, përparësi kanë trotuaret dhe jo automjetet. “Ka disa legjenda urbane: Një prej tyre është se bie puna e biznesit kur rruga ka korsi biçikletash dhe kur s’ka makina. Kjo është e pavërtetë! Në Tiranë, Paris, Londër, Nju Jork, makinat janë një mur metali, që rrinë 16 orë të parkuara para biznesit, pengojnë çdo klient dhe e bën të pamundur për dikë të ndalojë në momentin që secili lë makinën e tij aty për orë të tëra. Nëse dikush është skeptik për këtë që po ju them, pyesni të gjitha dyqanet përballë Parkut “Rinia” dhe do t’iu thonë sa u është shtuar puna kur u dyfishua trotuari”, tha Veliaj. Ai sqaroi se në të gjitha kryeqytetet e botës ku janë hequr makinat dhe është vënë një korsi biçikletash, puna e biznesit është shtuar nga 70% – 90%. Sipas bashkisë, trotuarët e rinj kanë gjerësi 2 metër, ndërkohë një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe rampave për personat me aftësi të kufizuar.