Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka shpallur fajtore ish-deputeten e PD-së, Jorida Tabakun.
Tabaku është shpallur fajtore për akuzën e shpifjes ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Tabakut i është kërkuar nga Gjykata që krahas përgënjeshtrimit të shpifjeve që ka bërë ndaj Veliajt, të paguajë edhe një gjobë prej 500 mijë lekësh. Veç këtyre, Tabaku do paguajë edhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore.
Veliaj e kishte paditur Tabakun për shpifje, lidhur me deklaratat që ajo kishte bërë nga selia e PD-së për çështjen e Unazës së Re.
Gjatë një konference për shtyp, Tabaku kishte deklaruar se projekti i Unazës së Madhe është një projekt korruptiv i Veliajt dhe kryeministrit Rama, duke i akuzuar ata për ndryshimin e planit për përfitime personale.