Bisedë me gazetarin dhe moderatorin e njohur shqiptar Adi Krasta.
PORTALB: Të bisedosh me njerëzit e medias, është gjithherë sfiduese. Në veçanti për gazetarët e rinj të cilët e konsiderojnë këtë si një përvojë të mirë në ecjen e mëtejme në rrugën gazetareske. Si i kini përjetuar ju përvojat e këtilla në fillim të rrugës suaj në gazetari?
Adi Krasta: Quhet për të gjithë Periudhë e vështirë e “Gavetës”. Gaveta është një tas prej metali ku hanin ushqim ushtarët në Luftën e Parë Botërore. Pritet qe fillimi të jetë i vështirë. E vetmja armë që ka një gazetar i ri është pasioni djaloshar, naiv, vizionar, pasionant por naiv. Përmes arritjeve, dështimeve, dilemave të çdo dite, çdo muaji, çdo viti, gazetari i ri mëson të vetëpërmbahet. Të rrisë peshën specifike të njeriut. Gazetari dhe njeriu fillojnë të bashkohen derisa bëhen një. Ishte e pamundur që unë të bëja një përjashtim nga kjo linje e paravendosur. Ka qenë vështirë dhe bukur.
PORTALB: Unë qëllimisht e fillova bisedën me Ju në këtë mënyrë, e bindur se s’ka nevojë për ndonjë prezantim të veçantë për njeriun, gazetar dhe prezantues, aq të njohur për opinionin e gjerë shqiptarë. Para 25 viteve kur filluat punën në Radio Tirana, nga perspektiva e tanishme, si mund të përshkruani fillimin tuaj në gazetari?
A.Krasta: Në korridoret e Radio Tiranës, nuk kam ecur; kam vrapuar si një kec i lumtur. Me “tavën” e bobinave të shiritit të një emisioni qe sapo kisha mbaruar apo me një filxhan kafe qe kisha marrë tek bari për t’ia çuar një kolegu më të vjetër në moshë, në zyrë. Isha bash në momentin e duhur për ta dashuruar atë pune dhe gjithçka qe vinte me te. Isha diplomuar pas 6 vjet të lodhshëm dhe të padashur ne Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe sapo i kisha dërguar prindërve diplomën me një pusulle ku shkruhej: “E keni merituar plotësisht”. Çdo gjë ne Radio Tirana më mrekullonte, studiot me dyert e rënda, xhamat dysh të pjerrët që ndanin studion nga regjia, mikrofonat e vjetër ruse e kineze qe nuk ishin edhe aq te ndryshëm, kuptova më vonë, se mikrofonat e vjetër te BBC qe u ndryshuan afro 50 vjetësh në kapërcyell të ndërrimit të viteve 2000. Alfred Kanini, shefi i redaksisë së kulturës, burrë i vërtetë, me zërin e ngjirur, i vetmi njeri që kam njohur në jetë që dinte të jepte dashuri duke mos e humbur burrërinë. Në atë fazën e parë të vështirësisë dhe ambientimit me një industri si e radios, ende e shoh fytyrën e tij 2 centimetra larg fytyrës time kur me thoshte: Ji njeri përpara se të jesh gazetar. Çfarë mrekullie në sytë e çartur të një djaloshi të ri, përpara tij një shkrimtar, me fytyrën si Maksim Gorki dhe cigaren që rrinte si e Churchillit e pashuar, e pa pirë në buzë.
PORTALB: Duke filluar nga emisioni “Jeta, kultura, arti”, pastaj transmetimi televiziv “Letërsia dhe reflekset e saj në art”; programi televiziv “Mbrëmje kulturore”, e kështu me radhë, dëshmojnë se Ju kryesisht jeni “kalitur” përmes përmbajtjeve kulturore në media. Sa e ka determinuar kjo rrugëtimin tuaj të mëtejmë gazetaresk?
A.Krasta: Sot mësoj shumëçka ka ndodhur nëpër zyra, studio e dhoma kontrolli gjatë atyre viteve. Programi im i parë televiziv është realizuar ne vitin 1988. Isha 23 vjeçar. Gëzim Gjyrezi, redaktori dhe skenaristi i programit “Letërsia dhe reflekset e saj ne art” – titull i zgjedhur me kujdes që mos ngrinte dyshime modernizmi, më tregon pas afro 30 vjetëve se ndërsa prezantuesja vajzë ishte zgjedhur, për prezantuesin djalë kishin bërë provë ne kamera 40 djem te rinj. Drejtuesit e televizionit të asaj kohe, pavarësisht nga regjimi komunist (i cili edhe ashtu po tregonte shenja te rënies se pashmangshme) ishin burra me kulturë dhe profesionalizëm personal. Ata më zgjodhën të drejtoj një cikël aq të bukur që u pëlqye shumë në publikun e dehidratuar të Shqipërisë së atëhershme. Që atëherë unë vazhdova të punoj paralelisht ne radio e televizion. Pa u mërzitur për asnjë çast.
PORTALB: Cili është dallimi mes punës suaj si gazetar dhe asaj si prezantues në Festivalin e këngës në RTSH? Sa ka ndikuar kjo në afirmimin tuaj si gazetar dhe anasjelltas?
A.Krasta: Fillimisht më duhet të pranoj, se sipas analizës time, nga pesë Festivale të Këngës që kam drejtuar unë, më pëlqen vetëm ai i vitit 2009. Ndërsa katër të tjerët i konsideroj një pothuaj-dështim personal, i fundit ishte realisht një arritje. Festivali është një skene e vështirë, në mos e pamundur. Është në thelb një konkurs kënge. Por aty duhet bërë gazetari gjithashtu. Tash edhe në programet e politikës gazetarët-prezantues e ndjejnë të brendshme të bëjnë pak show. Festivali i Këngës të ballafaqon paksa me realitetin e ashpër të “rrugës”. Je në qendër të një produksioni artistik për që mbështillet nga një membranë e hollë paturpësie, rrëmuje e lehtë dhe publiku që nuk e fsheh dyshimin se ka ardhur aty por nuk do e marre kënaqësinë që pret. E njoh aq mirë atë skenë sa këto elemente nuk më duken as të tmerrshme dhe as të pajustifikueshëm.
PORTALB: Të punosh si gazetar, nënkupton përkushtim maksimal nëse synoni nivelin e lartë profesional. Ju edhe krahas kësaj kini arritur që ndërkohë, të kryeni studimet pasuniversitare në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut. Sa Ju ka ndihmuar kjo që të vazhdoni edhe më me sukses karrierën në gazetari?
A.Krasta: Studimet pas-universitare ne SUNY ishin ne fakt studimet e mia ne fushën e komunikimit. Dhe meqë temat lidhen përgjithësisht si vëllezërit siamezë me profesorët mentor, unë isha shumë me fat që më qëlloi të flas, qëndrojë, punoj me Ted Schwalbe, një amerikan i jashtëzakonshëm dhe një mik i shkëlqyer i Shqipërisë. Shkolla ishte e mrekullueshme dhe i dha goditjen e fundit paqësore djaloshit për ta kthyer tanimë në një burrë.
PORTALB: Disa vite kini punuar si gazetar në Seksionin Shqiptar të Shërbimit Botëror të BBC, në Londër. Sa ka ndikuar kjo përvojë në punën tuaj të mëtejme në mediat shqiptare në vend?
A.Krasta: Qëndrimi në Londër dhe puna ne Bush House, ka qenë shumë intensive ne kuptimin e formimit profesional me parime dhe rregulla të qëndrueshme. Nuk vrapoja me korridoreve, por shkoja me të njëjtin gëzim në studio. Madje ndonjëherë me më shumë gëzim se ç’duhet, sepse mu midis zemrës informuese dhe formuese të ‘all egnlish speaking people’ na kapte ndonjë e qeshur virale në mes të së folurës në mikrofon. Kurrë nuk na kritikuan, kurrë nuk e konsideruan një konspiracion kundër monarkisë. Ishte një moment i çiltër i njeriut (të vogël) brenda zemrekut të perfeksionit të industrisë (së madhe). Gjatë punës ne BBC ne me kolegët nga gjithë trevat shqiptare mbuluam Luftën e Kosovës, problemet e shëmtuara të politikës në Shqipëri, trazirat në Maqedoni, përpjekjet e mençura të shqiptarëve në Mal te Zi, 11 shtatorin. Kur unë përfundova kontratën dhe u ktheva ne Shqipëri, BBC World Service e mbylli kontratën shumë vjeçare me ndërtesën Bush House dhe pasi e boshatisi atë për t’ia kthyer pronarëve që mesa di ishin japonezë, u transferua në një ndertesë tjetër. Thane se ishte gjithë xham e hekur por unë ende mendoj se kurrë nuk do e ketë sharmin e Bush House, një ndërtesë aq shumë e lidhur me BBC, shpirtin Churchillian dhe të qenit british.
PORTALB: Gazetaria shqiptare sot? Cilat janë përparësitë dhe çfarë I mungon asaj në kohën e vërshimit të mediave të shumta dhe, njëkohësisht, në kushtet e ekspansionit të Internetit?
A.Krasta: Prodhimet e studiove nuk do ndjehen të kërcënuara nga interneti. Studio është i vetmi vend ku bëhet televizion profesional. Gazetaria shqiptare nuk është e kërcënuar nga interneti por nga vetvetja. Demonët e shpirtit shqiptar, skllavëria shpirtërore, shit-blera për pesë lek dhe sensi sipërfaqësor na rrotullohen nëpër këmbë dhe na e bëjnë vizionin të mjegullt. Është e njëjta luftë mes te Keqes dhe të Mirës. E pandalueshme. E pa fitueshme nga njëra apo tjetra.
PORTALB: Ju, derisa vazhdoni me të njëjtin sukses si profesionist unik në hapësirën mediatike shqiptare, në të njëjtën kohë punoni si pedagog në lëndën e Marrëdhënieve Publike, në Kosovë. Si ia arrini të përballoni angazhimet kaq të dendura të përditshme?
A.Krasta: Ndan vetëm javën në dysh. Çdo gjë tjetër është e mrekullueshme. Të ndikosh tek të rinj e të reja aq të etur për dije sa ç’ janë studentët e mi të cilëve u them se jemi një skuadër. Ata më japin rini dhe pasion, unë u jap me sinqeritet ndonjë ide sesi të arrijnë tek vetëpërmbajtja dhe kontrolli i ngjarjeve. Jam në hapat e fundit të planeve për të realizuar një cikël programesh “Kosova ime e dashur” ku do tregoj se cila është Kosova që unë takoj çdo javë.
PORTALB: Është fakt se ka ndryshuar shumë puna në media, në veçanti të atyre vizive, pasi që tashmë kemi një audiencë të nivelit të lartë. Publiku kërkon shumë duke filluar nga interpretimi elegant, pastaj intelekti, e kështu me radhë. Madje deri në spektakël, të cilin Ju, vërtet, me paraqitjet tuaja ia ofroni. Si e kini arritur këtë?
A.Krasta: Nuk e di. Unë vetëm se përpiqem të komunikoj. Publiku është gjithmonë aq inteligjent që të përzgjedh atë që i duhet ose që e pëlqen. Pothuaj vazhdimisht unë marr kritika nga njerëz të zakonshëm dhe njerëz të profesionit për momente të cilat nuk i zgjidh saktë. Ka që nuk kanë qenë dakord dhe nuk janë ende me atë që unë përfaqësoj apo me mënyrën si punoj. Nga ana tjetër kam ndjerë gjithmonë një dashuri të madhe nga dashamirës brenda publikut të madh. U kam qenë gjithnjë mirënjohës.
PORTALB: Puna në media është mjaft joshëse, sidomos për të rinjtë si rruga më e “shpejtë” drejtë daljes në opinion. Cili do të ishte mesazhi juaj për të gjithë ata që duan të marrin rrugën e gazetarisë?
A.Krasta: Nuk do doja të marr poza të dhënies së këshillave. Ata që nisin këtë rrugë duhet të bëjnë gabimet e tyre dhe të mësojnë nga ato. Duhet të dështojnë për tu ringritur në sukses. Duhet të vuajnë për tu rritur si njerëz e profesionistë. Ata duhet të dashurojnë këtë profesion pa kushte. Më shumë se çdo gjë tjetër në botë edhe pse kjo tingëllon si shumë egoiste.
Intervistoi: Dijana Gj. DUKAJ
Botuar në Portalb.mk, më 15 mars 2015