Pas thashethemeve të krijuara dy ditë më parë në lidhje me largimin e moderatores Kozeta Turishta nga “Pasdite në Top Channel”, çdo zë është shuar sot.
Ka qënë vetë Kozeta, e cila përpos prononcimit publik, na ka konfirmuar se kjo ka qënë një zgjedhje personale dhe se nuk ka lidhje me matjet e shikueshmërisë së emisionit.
Lexo edhe: “Pasdite ne Top Channel” me moderatore të re. Largohet Kozeta Turishta në mes të sezonit
Në një prononcim për Portalin Albeu, Kozeta Turishta ka pëcjellë në detaj shkaqet që ajo të ndërrmerte këtë vendim, duke lënë në mes këtë sezon. Turishta, vetë e bëri publike lajmin e largimit të saj në këtë format gjatë emisionit pasditen e së hënës, ku ndër të tjera shprehu mirënjohjen dhe falenderimet për drejtuesit e saj dhe gjithë stafin.
Turishta kishte disa kohë që kishte kërkuar të mos ishte pjesë e pasdites për arsye personale dhe kishin rënë dakort mes palëve që me ndryshimin e studios, të zëvendësohej nga një tjetër kolege.
Moderatorja Turishta do vazhdojë të jetë pjesë e Top Medias, e cila do përfshihet në një tjetër projekt. “Pasdite në Top Channel”, për Kozetën ishte një eksperiencë krejtësisht e re, pasi të gjithë siç e njohim prej një dekade, ajo ka qënë pjesë e informacionit në televizionet më të mira kombëtare.
Gazetarja simpatike gjithmonë është spikatur për elokuencën, prezencën dhe profesionalizmin e saj në ekran. Ekskluzivisht për Portalin Albeu ajo ka deklaruar: “Pasdite në Top Channel” ishte ëndrra më e bukur që më kishte ndodhur në jetën profesionale.
Madje kur “Top Channel” ma ofroi dhe ma besoi mua këtë format, pranova. Pa u menduar dy herë edhe pse e dija që do më priste një përgjegjësi dhe eksperiencë krejtësisht e re, pas 10 viteve nga informacioni.
Tërhiqem nga “Pasditja” për arsye të mia personale, kërkesë të cilën ja kam paraqitur dhe drejtuesve të mi një muaj më parë dhe të dy palët ramë dakort që me ndryshimin e studios, të zevendësohesha nga një tjetër kolege.
Endrra ime për të qënë pjesë e Top Medias nuk mbaron këtu. Unë do vazhdoj të jem pjesë e familjes së madhe të Top Channel, në një tjetër projekt. Me mirënjohje falenderoj dhe stafin tim të “Pasdites” dhe të gjithë që më mbështetën në këto gjashtë muaj”. /albeu.com/