[ad_1]
Sot Ukraina futet në javën e tretë të luftës, dhe ende nuk ka shpresa paqeje nga ana e Rusisë. Që herët në mëngjes, bombardimet ruse shenjestruan dy pallate në Kiev, duke lënë disa persona të plagosur. Edhe në qytetet jugore të Odesa dhe Zaporizhzhia pati shpërthime të shumta.
18:17 Bombardohet teatri ku strehoheshin qindra ukrainas në Maripol
Teatri i Mariupolit ku strehoheshin qindra ukrainas është sulmuar këtë të mërkurë, sipas një njoftimi nga këshilli bashkiak i qytetit. Në njoftim thuhet se forcat ruse kanë “shkatërruar qëllimisht Teatrin e Dramës në zemër të Mariupolit. Aeroplani hodhi një bombë në një ndërtesë ku ishin fshehur qindra banorë paqësorë të Mariupolit”. Godina është shkatërruar, ndërkohë që ende nuk ka të dhëna për viktima.
18:14 “Më mirë të luftosh në Ukrainë se sa të jetosh këtu”, rrëfimi i nigerianit
Kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë muajin e kaluar, 27-vjeçari nigerian Ottah Abraham u zemërua. I diplomuari për filozofi është një nga disa qindra afrikanë, nga vende si Nigeria, Kenia, Senegali, Afrika e Jugut dhe Algjeria, të cilët thonë se janë të gatshëm të marrin armët në betejën kundër Rusisë, pjesërisht për t’i shpëtuar perspektivave të zymta me të cilat përballen shumë të rinj në shtëpi.
18:05 Rusia po shqyrton modelin e një Ukraine neutrale me ushtri
Të enjten bëhen tre javë që kur kreu i shtetit rus, Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj Ukrainës. Qëllimi i tij i deklaruar, “çmilitarizimi” i Ukrainës, nuk është arritur gjatë kësaj kohe dhe ai mund të mos e dëshirojë më. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha në mesditë se modeli i neutralitetit të Ukrainës me ushtrinë e saj po konsiderohet si një zgjidhje e mundshme e negociuar.
17:50 Plani i paqes ka 15 pika! Financial Times: Ja si mund të arrihet marrëveshja Rusi-Ukrainë
Një plan me 15 pika i shtruar në tryezën e negociatave të palës ruse dhe ukrainase mund të sjellë një marrëveshje për paqe pas 3 javësh pushtim. Financial Times raporton se palët kanë bërë progres në bisedime bazuar mbi këtë plan, ku përfshihet një armëpushim dhe tërheqje e trupave ruse nëse Kievi deklaron neutralitet dhe pranon kufizime për forcat e tij të armatosura.
17:40 Ukraina lidhet me rrjetin kryesor evropian të energjisë elektrike
Energjia elektrike në Ukrainë është e lidhur me rrjetin kryesor evropian, për të shmangur ndërprerjet prej sulmeve ruse. Fuqia po rrjedh nga Ukraina në BE dhe anasjelltas, përmes Rrjetit Evropian Kontinental, sipas presidentit ukrainas Volodyymyr Zelensky. Zelensky tha se ishte mirënjohës për zyrtarët e lartë të BE-së që bënë ndryshimin. Moldavia, e cila kufizohet me Ukrainën, ka pasur gjithashtu sinkronizimin e energjisë elektrike me rrjetin evropian.
17:27 Stoltenberg: Nuk do vendosim forca tokësore dhe ajrore në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur para gazetarëve në Bruksel pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të aleancës.Stoltenberg përgjigjet se aleatët janë të bashkuar në vendimin për të mos vendosur forca në tokë ose në hapësirën ajrore, sepse sipas tij kanë përgjegjësinë për të siguruar që lufta të mos përshkallëzohet përtej Ukrainës. BBC pyeti gjithashtu nëse ai mendon se Ukraina është ‘ftohur’ me pjesën e anëtarësimit në NATO si një mjet negociues me Rusinë. Ai tha se Ukraina është një komb sovran, i pavarur dhe “ka të drejtën e vet të zgjedhë rrugën e saj. U takon atyre të vendosin nëse ata aspirojnë anëtarësimin në NATO apo jo”, thotë ai.
17:10 Putin: Perëndimi nuk do arrijë ta copëtojë Rusinë
Presidenti rus Vladimir Putin në mënyrë të ashpër theksoi se Perëndimi nuk dp të arrijë dominimin global dhe të copëtojë Rusinë. Putin gjatë një takimi këtë mëngjes tha se nëse Perëndimi mendon se Rusia do të tërhiqet, atëherë nuk e kupton Rusinë. Ai foli gjithashtu për sanksionet e krijuara për të goditur ekonominë e Rusisë, duke shtuar se banka qendrore nuk ka nevojë të printojë para dhe vendi ka burime të mjaftueshme financiare.
17:00 Rusët sulmuan ukrainasit që qëndronin në radhë për bukë, 10 të vdekur (Pamjet)
Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se 10 persona janë vrarë nga forcat ruse në qytetin verior të Chernihiv këtë të mërkurë. Në një deklaratë nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës thuhet se sulmi ndodhi rreth orës 10:00 me orën lokale (08:00 GMT) kur ushtarakët e Forcave të Armatosura Ruse qëlluan mbi njerëzit që qëndronin në radhë për bukë pranë një dyqani ushqimesh.
16:15 “Mund të na vrasin!”, rrëfimi prekës i ukrainases
Olga, ukrainasja që jeton në qytetin port në jug të Ukrainas, Kherson tha se kanë frikë të largohen pasi ekziston mundësia e vrasjes nga rusët. Olga pretendon se njerëzit që kanë protestuar janë grumbulluar dhe vrarë. Ajo thotë gjithashtu se ka mungesë ushqimi dhe ilaçesh, si dhe probleme me gazin, rrymën, ngrohjen dhe komunikacionin.
15:00 Zelensky i kujton SHBA-së 11 shtatorin: Mos e harroni tmerrin, tani e kalojmë ne!
Në një fjalim historik përpara Kongresit amerikan, të zhvilluar me lidhje video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kujtoi SHBA-së tmerrin e sulmeve të 11 shtatorit e Pearl Harborin, teksa i drejtoi një apel të ndjerë ligjvënësve që të bëjnë më shumë për të ndihmuar vendin e tij.
Zelensky: Miq, amerikanë, në historinë tuaj mashështore, ju keni faqe që do t`ju lejojnë t`i kuptoni ukrainasit, të kuptoni se çfarë po kalojmë në këto momente. Mos e harroni 11 shtatorin, një ditë e tmerrshme e vitit 2001 kur e keqja u përpoq t`i kthente qytetet amerikane në fushëbeteja, ku njerëz të pafajshëm u sulmuan nga ajri dhe ju nuk e ndalonit dot. Vendi ynë po përjeton të njëjtën gjë, çdo ditë. Ne kemi nevojë për ju tani. Ju bëj thirrje që të bëni më shumë.
14:38 Zelensky në Kongresin Amerikan: Rusia nuk na ka sulmuar vetëm ne
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim virtual për anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA. Para se të fliste, Zelensky u duartrokit nga ligjvënësit e SHBA dhe më pas lavdëroi trimërinë e popullit të tij ukrainas duke thënë se “fati i vendit të tij” po vendoset pikërisht tani.
Zelensky përmendi sulmet në Pearl Harbor dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në fjalimin e tij para ligjvënësve amerikanë.
“Rusia nuk na ka sulmuar vetëm ne, jo vetëm tokën tonë, jo vetëm qytetet tona. Rusia hodhi tanke dhe avionë kundër lirisë sonë, kundër të drejtës sonë për të jetuar të lirë në vendin tonë, duke zgjedhur të ardhmen tonë. Kundër dëshirës sonë për lumturi, kundër ëndrrës sonë kombëtare, ashtu si të njëjtat ëndrra që keni ju, amerikanët, si kushdo tjetër në Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti ukrainas.
14:21 Ishin në radhë për bukë, trupat ruse vrasin 10 persona në Chernihiv
Një tjetër akt barbar është marrë nga forcat ruse në Ukrainë, të cilët kanë vrarë 10 persona, të cilët ishin në radhë për të marrë bukë. Lajmin e ka dhënë Ambasada amerikane në Ukrainë, e cila shkruan në Twitter se sot forcat ruse qëlluan dhe vranë 10 persona në qytetin verior të Chernihiv.
14:01 Boris Johnson: Ukraina nuk mund të futet në NATO
Boris Johnson thotë se nuk ka asnjë shans që Ukraina të bashkohet me NATO-n së në një të ardhme të afërt, por thekson se vendimi duhet të merret nga presidenti i vendit. Duke folur gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar thotë se ka biseduar sërish me Zelenskyn.
13:51 Ukraina refuzon ofertën ruse: Duhet vetëm me garanci ligjore
Një këshilltar i presidentit të Ukrainës, ka thënë se propozimi rus që Ukraina të miratojë një neutralitet të stilit austriak është i papranueshëm për vendin. Mykhailo Podoliak, një anëtar i ekipit negociator ukrainas, u tha mediave lokale se çdo marrëveshje paqeje duhet të jetë në kushte ukrainase që mbrojnë sovranitetin e saj.
13:00 Vritet dhe gjenerali i katërt rus, Moska mbetet “pa kokë” në luftimet e Ukrainës!
Një gjeneral i katërt rus është vrarë në Ukrainë, shenjë e qartë kjo se krerët ushtarakë të Moskës po detyrohen të drejtojnë vetë në front, thotë BBC. Anton Gerashchenko, këshilltar në ministrinë e brendshme ukrainase, pretendon se gjatë luftimeve të ashpra në periferi të qytetit jug-lindor të Mariupolit, forcat e vendit të tij kanë vrarë gjeneral majorin rus Oleg Mityaev.
12:30 Biden përgatit përgjigjen:Zëdhënësja tallet me Rusinë!
Teksa Europa përgatitet për një vizitë të presidentit Joe Biden, kanë dalë detajet e para të ndalesës së kreut të administratës amerikane në Bruksel. Biden do të ketë takime intensive me liderët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të diskutuar rreth agresionit rus në Ukrainë. “në 24 mars presidenti amerikan do t’i bashkohet një samiti të posaçëm të NATO-s, ku do të riafirmojë angazhimin ‘e hekurt’ të SHBA-së në mbrojtje të aleatëve”, tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
12:00 I shpëtoi luftës në Afganistan e Siri, vdiq në Ukrainë: Si u vra kameramani “legjendar”
Kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski, u vra së bashku me një kolege ukrainase, Oleksandra Kuvshynova, teksa raportonin në periferi të Kievit mbi situatën në kryeqytetin ukrainas. Ata po udhëtonin në një makinë me gazetarin e stacionit të njohur televiziv, Benjamin Hall, kur drejt mjetit të tyre u hap zjarr. Hall, një korrespondent i Departamentit të Shtetit, është shtruar në spital, por ende nuk ka informacione mbi gjendjen e tij. Zakrzewski, 55 vjeç, shtetas irlandez por që jetonte në Londër, kishte punuar në Ukrainë që prej muajit shkurt.
11:30 “Nuk do t`ju lemë vetëm”, kryeministrat europianë në Kiev: Urgjent statusi i kandidatit
Me udhëtimin e tyre drejt Kievit në kohën kur Ukraina është e sulmuar prej Rusisë, një veprim sa i guximshëm, aq edhe i rrezikshëm, kryeministrat e Polonisë, Slloveniase dhe republikës Ceke, u përpoqën të tregonin se vendi do të ketë të gjithë mbështetjen e BE-së. Pas takimit me presidentin Volodymir Zelensky, shefi i ekzekutivit polak, Mateusz Morawiecki i bëri thirrje Bashkimit Europian që Ukrainës t`i jepët sa më parë statusi i vendit kandidat.
11:00 OKB: Zgjatja e luftës do sjellë skamje, në Kharkiv shpërthen Covid 19!
Nëse pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë gjatë, 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh të këtij vendi rrezikon të përballet me varfërinë e skajshme, ndërsa mbi 60 për qind do të varfërohet brenda një viti: këtë tregojnë përllogaritjet e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Projeksioni i këtij organizmi, i publikuar së fundi, bazohet në vlerësimet e qeverisë ukrainase se lufta deri më tani ka shkaktuar një humbje prej të paktën 100 miliardë dollarësh të infrastrukturës kryesore si rrugët, urat dhe spitalet, dhe ka shkaktuar mbylljen e të paktën gjysmës së bizneseve të Ukrainës, ndërsa gjysma tjetër nuk funksionon me kapacitet të plotë.
10:39 103 fëmijë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus
Prokurorja i Ukrainës ka bërë të ditur se në tre javë luftë, forcat ruse kanë vrarë 103 fëmijë ukrainas. Forcat ruse kanë shënjestruar më shumë se 400 shkolla dhe 59 prej tyre janë shkatërruar, tha prokurorja e përgjithshme, Iryna Venediktova.
10:25 Tjetër goditje për Putinin, vritet gjenerali i katërt rus
Zyrtarët ukrainas thonë se kanë vrarë një gjeneral të katërt rus. Anton Gerashchenko, një këshilltar në ministrinë e brendshme të Kievit, pohoi se forcat ukrainase vranë gjeneralmajorin rus Oleg Mityaev gjatë luftimeve intensive në periferi të qytetit juglindor të Mariupol. Gerashchenko shkroi se Mityaev ishte komandanti i divizionit të pushkëve të motorizuara. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky raportoi gjithashtu vdekjen e një gjenerali tjetër rus gjatë fjalimit të tij të natës nga Kievi, por nuk e përmendi emrin e tij. Rusia besohet të ketë rreth 20 gjeneralmajorë në Ukrainë që udhëheqin pushtimin.
10:05 Prekëse! Qeni i tmerruar nga bombardimet refuzon të largohet
Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka shpërndarë një fotografi prekëse, ku duket një burrë teksa përpiqet të ndihmojë qenin e tij, i cili është shtrirë në tokë nga frika. Mesa duket, pas bombardimeve të shumta në Irpin, qeni refuzon të ikë më tej.
09:54 Truss: Putin ka shkatërruar sigurinë globale, ta ndalojmë me çdo kusht!
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss, është shprehur se presidenti rus Vladimir Putin, ka shkatërruar sigurinë europiane. Në një intervistë për BBC, Truss tha se Putini po përdor armë të tmerrshme dhe forcë të tmerrshme në pushtimin e tij në Ukrainë.
09:33 Zelensky thirrje zyrtarëve rusë: Jepni dorëheqjen, kundërshtoni luftën!
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskly u ka bërë thirrje të drejtpërdrejt zyrtarëve të lartë rusë dhe figurave të medias që të japin dorëheqjen nga postet e tyre dhe të mbajnë qëndrim kundër pushtimit të Ukrainës. Në një video mesazh të ndarë mbrëmë nga kryeqyteti ukrainas i Kievit, Zelensky iu drejtua të gjithë zyrtarëve të Federatës Ruse.
09:22 OKB paralajmëron varfëri nëse zgjatet lufta në Ukrainë
Nëse pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë edhe më gjatë, pothuajse 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh, mund të bie në varfëri të skajshme, kurse mbi 60 për qind rrezikon të varfërohet brenda një viti, vlerëson Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në një projeksion të hershëm të publikuar më 16 mars.
08:53 Zelensky optimist: Negociatat në bisedimet e paqes duken më realiste
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është shprehur se ka progres në bisedimet e paqes, pas raundit të negociatave të së martës. Në një fjalim me video mbrëmë vonë, Zelensky zbuloi se negociatat me Rusinë tashmë duken më realiste. Kryeministri Zelensky shtoi se “duhet ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”.
08:45 Shpërthime në Odesa dhe Zaporizhzhia, sistemet ajrore lëshojnë predha
Në qytetet jugore të Odesa dhe Zaporizhzhia ka pasur shpërthime nga forcat ruse që herët në mëngjes. BBC shkruan se në Odessa u dëgjuan zhurma të forta, të cilat mund të ishin sistemet e mbrojtjes ajrore që rrëzonin predha. Dhe në Zaporizhzhia, sekretari i këshillit të qytetit Anatoliy Kurtev shkroi në Telegram se një shpërthim goditi një stacion hekurudhor. Nuk ka ende detaje nëse ka viktima në këto zona.
08:29 Bombardimet ruse godasin pallatin 12-katësh në Kiev
Shërbimet e urgjencës së qytetit thanë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen Shevchenko u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit. Një ndërtesë afër saj, nëntëkatëshe u dëmtua gjithashtu, thonë autoritetet. BBC shkruan se dy persona janë lënduar dhe 35 janë evakuuar nga ndërtesa. Zjarri u shua në orën 07:45 dhe ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar. Banorët në të gjithë qytetin mbeten të strehuar në bunkerë, strehimore nëntokësore dhe shtëpitë e tyre mes një shtetrrethimi dyditor.
Top Channel
[ad_2]
Source link