[ad_1]
Në sektorin e shërbimeve, smart working do të vazhdojë edhe pas pandemisë.
Sektori bankar po aplikon modelin e ri që është puna hibride, e cila pritet të jetë e ardhmja e smart working, pasi balancon të punuarit me angazhimet sociale të punonjësve. Në sektorin call center, punën në distancë po e zbatojnë më tepër kompanitë e mëdha që rritën investimet e infrastrukturës jashtë zyrave. Në IT, puna nga shtëpia po preferohet më tepër nga punonjësit në karrierë sesa të rinjtë.
Ardit Ago, me profesion inxhinier informatik, i punësuar prej 5 vitesh në një nga kompanitë më të mëdha të ofrimit të shërbimit IT për tregun e huaj, prej disa muajsh është duke punuar ‘remote’ (nga shtëpia). Arsyeja pse ai ka zgjedhur të vijojë punën nga shtëpia është për shkak të përfitimeve, si ulja e shpenzimeve dhe organizimi i kohës për të qëndruar më pranë familjes. Kompania ku ai është i punësuar vazhdon të zbatojë punën në distancë, e nisur që në periudhën e karantinës.
“Kam zgjedhur të vazhdoj të punoj nga shtëpia për të shmangur kostot e larta, që nga shpenzimet për karburantin e makinës, tarifa e parkimit, drekës jashtë, por edhe për të përmbushur sa më mirë angazhimet familjare. Një arsye tjetër e rëndësishme është për të shmangur harxhimin e kohës në trafik për vajtje-ardhjet nga shtëpia në punë.
Më rezulton që puna fleksibël ka përfitime të mëdha edhe për shëndetin mendor dhe fizik. Në sektorin IT është lehtësisht e zbatueshme, pasi ne jemi të familjarizuar me punën remote”, pohon Arditi, me përvojë 12-vjeçare pune në sektorin IT.
Modeli i ‘smart working’ (punës së zgjuar apo në distancë) që nisi zbatimin në muajt e karantinës, si domosdoshmëri për të vazhduar aktivitetin në pandemi, aktualisht për disa sipërmarrje të shërbimit do të vijojë edhe në ardhmen, pasi rezulton me përfitime, ndërsa për të tjerë konsiderohet tendencë kalimtare.
Nëse në periudhën e izolimit, smart working u konsiderua e ardhmja për sektorin call center, pamundësia për të kontrolluar produktivitetin e punonjësve dhe kryerja e investimeve për elementet e sigurisë, ndikuan që puna në distancë të mos vijojë të zbatohet nga të gjithë. Në anën tjetër, në disa banka ka nisur zbatimi i modelit të ri të punës fleksibël, që njihet ndryshe puna hibride (prani në zyrë të punonjësve 1, 2 apo 3 ditë në javë).
Puna hibride e bazuar te kombinimi i ditëve të punës nga zyra dhe në shtëpi ka rezultuar se rrit produktivitetin te punonjësit, pasi balancon të punuarin me angazhimet sociale. Sektori IT e pati lehtësisht të zbatueshme punën nga shtëpia në muajt e izolimit. Kompanitë IT në Shqipëri që kryejnë shërbim ndaj të tretëve ende vazhdojnë të lejojnë pa kufizim punën nga shtëpia, por rezulton që smart working, për këtë sektor po zbatohet më shumë nga punonjësit në karrierë mbi 5-vjeçare, ndërsa më të rinjtë preferojnë të paraqiten fizikisht në zyrë.
Ecuria e smart working për call center
Në kompaninë më të madhe call center, Albania Marketing Service sh.p.k, sipas administratorit të saj, Diego Pisa, më shumë se 80% e punonjësve ende punojnë nga shtëpia.
“Ne nuk synojmë ta ulim këtë përqindje për sa kohë që distancimi social është i nevojshëm, për të garantuar shëndetin e punonjësve tanë. Sigurisht që nuk është një zgjedhje që varet vetëm nga ne. Ne jemi një kompani shërbimesh dhe për këtë arsye është thelbësore që ne t’u japim klientëve tanë cilësi dhe siguri: nëse një nga këto gjëra nuk është më e garantuar, është e natyrshme që klientët tanë të na kërkojnë të kthehemi në zyrë.
Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që duhet të jemi në gjendje të zbatojmë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur mashtrimin dhe gjithmonë të motivojmë stafin që të sigurohet që puna nga shtëpia të mos jetë tjetërsuese”, pohoi Pisa për “Monitor”.
Situata paraqitet ndryshe në kompaninë call center, Facile.it. Administratori Lorenc Goga thotë se punonjësit e kompanisë janë kthyer 100% në zyrë. Kompania me 300 të punësuar ofron shërbim për shitjen e siguracionit të automjeteve për tregun italian dhe me klientët, transaksioni i shitjes kryhet nëpërmjet telefonit.
“Për shkak të shërbimit që ofrojmë, e kemi të pamundur të kryejmë punën nga shtëpia, pasi parametrat e shitjes nuk janë të sigurta jashtë zyrave. Edhe në karantinë, ku smart working u aplikua nga të gjitha kompanitë call center 100%, me qëllim vijimësinë e aktivitetit, te ne vetëm 30% të punonjësve punuan nga shtëpia, ndërsa pjesa tjetër vijoi nga zyra, sipas masave të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Në smart working punuan më tepër nënat me fëmijë dhe familjarët.
Ky model të punuari në karantinë ishte një përvojë e mirë, pasi siguroi vazhdimin e punës në një situatë të vështirë, por konsiderohet më e përshtatshme si zgjidhje provizore, sesa si një model që duhet zbatuar edhe në të ardhmen. Aktualisht, shumë kompani call center kanë rikthyer shumicën e punonjësve në zyra, pasi puna nga shtëpia nuk rezultoi aq produktive sa në ambientet e kompanive”, thekson Goga.
Sektori i shërbimeve përqafon punën hibride
Puna hibride, një tendencë që po zbatohet më së shumti në kompanitë e shërbimit në SHBA është përqafuar me shpejtësi edhe nga sektori bankar në Shqipëri. Thelbi i punës hibride është kombinimi i ditëve të punës nga zyra me punën në distancë. Intesa Sanpaolo Bank Albania, që nisi të praktikojë punën nga shtëpia para pandemisë, në vitin 2019, aktualisht po zbaton punën hibride, sipas drejtoreshës të Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Organizimit, Entela Zigori.
“Në rrjetin e degëve, zbatimi i punës fleksibël arrin nivelin 10%. Kjo vjen nga fakti se, megjithëse 70% e punonjësve të rrjetit mund të punojnë në punë hibride, duke qenë se nuk kemi arritur në dixhitalizim të plotë të të gjitha proceseve të punës e duke qenë se klienti parapëlqen ende takimin në degët tona, punonjësit e degëve punojnë në zyrë.
Punonjësit në strukturat qendrore kanë mundësi të punojnë me kapacitet të plotë nga shtëpia (100% e tyre) pa krijuar asnjë problematikë në punë. Aktualisht, zgjedhja që kanë bërë punonjësit e strukturave qendrore për të punuar në punë hibride, sipas tipologjisë së ekipeve të punës (ekipe që kanë nevojë për ndërveprim apo ekipe që kanë nevojë për drejtim) është 1, 2 apo 3 ditë në javë me prezencë fizike në zyrë, ndërsa pjesën tjetër të javës punohet nga shtëpia”.
E ardhmja e smart working vlerësohet se do të jetë puna hibride edhe nga Roden Pajaj, drejtor i burimeve njerëzore për Deloitte Albania dhe Deloitte CE South. Kompania ndërkombëtare e shërbimeve profesionale ka zgjedhur të aplikojë në Deloitte Albania dhe Deloitte në shtetet e Ballkanit Perëndimor punën hibride, sipas modelit të quajtur DeloitteFlex. Kjo qasje pritet të jetë pjesë e politikave të burimeve njerëzore edhe për sipërmarrjet në Shqipëri.
Valbona Zeneli, drejtoreshë e divizionit të Burimeve Njerëzore në Raiffeisen Bank Shqipëri, pohon se puna në distancë është një realitet i ri i të punuarit, pasi konsiderohet përfitim dhe jo detyrim. “Duke qenë se në përgjithësi jemi të orientuar ndaj rezultateve dhe jo ndaj kohës që stafi ynë punon brenda një zyre, na vjen natyrshëm që të kemi 20% të stafit në punë nga shtëpia në çdo kohë, në situatë normale”.
Tendenca
Për t’u punësuar në sektorin call center, shumë nëna me fëmijë e kanë kusht të punuarit ‘remote’, pasi të punuarit nga shtëpia konsiderohet prej tyre mjaft e favorshme që të kujdesen për fëmijët.
“Çdo javë, ne zhvillojmë intervista për rekrutime të reja dhe vihet re se 20% e aplikuesve kanë kusht punësimi smart working. Kryesisht janë nënat me fëmijë, të cilat nuk përfundojnë procesin e rekrutimit nëse nuk plotësohet kushti i tyre për të punuar nga shtëpia. Për këtë grup punonjësish, siç janë nënat e reja, puna nga shtëpia konsiderohet më komode sesa nga zyra.
Te moshat e reja nuk është kusht punësimi. Për këtë kategori të punësuarish, dëshira më e madhe është të rriten në karrierë dhe kjo më tepër favorizohet nga puna nga zyra, pasi ka më tepër ndërveprim në punën në grup”, nënvizon administratori i Facile.it, Lorenc Goga.
‘Smart working’ në call center, më tepër kërkohet nga rrethet
Diego Pisa, nga Teleperfomanca, thotë se për momentin nuk ka një tendencë të ndryshme midis niveleve të kompanisë apo gjinisë së punonjësve për punën nga shtëpia. Sipas tij, dallimi është nëse punonjësit kanë apo jo kushte optimale për të punuar nga shtëpia.
“Në Tiranë, vullneti për të punuar nga shtëpia është më pak i fortë se në qytetet e vogla, ashtu siç shpesh nënat preferojnë të punojnë nga shtëpia, sepse mund të kombinojnë më lehtë jetën private me punën. Gjatë dy viteve të fundit, ne kemi krijuar shumë vende të reja pune, me staf që fillon menjëherë nga shtëpia, ndonjëherë edhe në qytete ku nuk operojmë. Është e qartë se për këta persona do të ishte e vështirë të ktheheshin në punë në zyrë.”
Puna në distancë, më pak e përdorur nga të rinjtë
Moshat e reja e parapëlqejnë më pak punën nga shtëpia. Tendenca është e dukshme si në sektorin IT, edhe atë bankar. Edlira Nikaj, administratore e kompanisë IT, DotBalkans, thotë se për shkak të frikës nga infektimet vazhdojnë të zbatojnë punën remote, por të rinjtë e moshës nën 30 vjeç zgjedhin të paraqiten fizikisht në zyrë.
“Zbatimi i smart working është një çështje komplekse në Shqipëri. Për sektorin e IT-së, aktiviteti remote është lehtësisht i zbatueshëm, model që u provua me sukses në pandemi. Aktualisht për shkak të pandemisë, në kompaninë tonë është e lejuar puna në distancë, por vihet re se shumica e punonjësve, kryesisht të rinjtë, preferojnë më tepër të punojnë në zyrë.
Arsyeja është pasi për ta, puna është më ndërvepruese dhe zbavitëse në zyrë sesa në shtëpi. Më tepër preferojnë të punojnë nga shtëpia punonjësit e moshës mbi 30 vjeç, të cilët janë familjarë dhe u duhen të kujdesen për fëmijët apo familjen e tyre”.
E njëjta qasje konfirmohet edhe nga drejtoresha e burimeve njerëzore në Bankën Intesa Sanpaolo Albania, znj. Entela Zigori. “Kemi konkluduar që, pavarësisht se punën në distancë e kanë zgjedhur të gjithë si një mënyrë të re pune, grupmosha që do të donte ta zbatonte sa më pak është ajo nga 20 – 24 vjeç.
Është mese e qartë dhe e kuptueshme që këta punonjës, sapo kanë përfunduar studimet e tyre dhe i shohin ambientet e punës, si një vend ku do të mësojnë nga këndvështrimi praktik dhe ai i ndërveprimit profesional dhe social me kolegët e tjerë”.
Roden Pajaj, nga kompania ndërkombëtare Deloitte Albania dhe Deloitte CE South, tha se bazuar në rezultatet e vrojtimit të punonjësve të kompanisë dhe të rinjtë që kanë hyrë në tregun e punës, pak më shumë se gjysma e të rinjve pjesëmarrës (51.8%) do të donte të punonte në distancë vetëm një ose dy herë në javë, ndërsa 17.3% e tyre do të zgjidhte të ishte larg zyrës për më shumë se një javë në çdo muaj dhe vetëm 5.5% thanë se do të dëshironin të punonin plotësisht në distancë.
Shqipëria, a mund t’u ofrojë “smart working” të huajve
Tregu më i lirë i pasurive të paluajtshme në zonat periferike të qyteteve të mëdha urbane, si Nju Jorku, Çikago, Florida apo Londra ka nxitur migrimin masiv të atyre që punojnë remote. Një tjetër trend në Europë është edhe krijimi i zonave me ofrimin e shtëpive me qira më të lira se tregu europian për punonjësit smart working.
Sipas Ylli Sulës, drejtuesit të grupit mediatik Çelësi dhe indeksit Keydata, në Shqipëri nuk vihet re një tendencë e tillë, pasi ende nuk është krijuar tregu i blerjes apo marrjes me qira të pasurive të paluajtshme për ata persona që punojnë në distancë.
“Tek ne ende nuk është krijuar tregu i blerjes apo dhënies me qira të apartamenteve për shtetas të huaj që e shohin më të leverdishme të jetojnë në Shqipëri gjatë punës të tyre online. Shqipëria mbetet e paintegruar për zhvillimin e këtij tregu, pasi mungojnë rregullat për administrimin e shërbimeve të përbashkëta. Në çdo vend të Europës janë të qarta disa standarde, që nga se kush është administratori i pallatit ku jetojnë, sa do të paguajnë apo çfarë shërbimesh do t’i ofrohen.
Rregullat e bashkëpronësisë janë një problem për ambientet e përbashkëta në vendin tonë, pasi nuk ka një punonjës të veçantë të mirëmbajë ashensorin, ndriçimin, higjienën e me radhë. Problemet e bashkëpronësisë nuk mund të zgjidhen me vendosjen e administratorëve kundrejt pagesës për 1,000 lekë/muaj për familje”.
Drejtuesi i indeksit Keydata nuk parashikon që në tregun e pasurive të paluajtshme të ketë lëvizje të kërkesës nga ata që punojnë në distancë, pasi sipas tij, nga sipërmarrjet ky model është konsideruar kalimtar. “Për shumë ndërmarrje, puna nga shtëpia shihet si një trend që funksionoi për një moment të caktuar. Nga ana tjetër, shumë të punësuar pranojnë se të punuarit nga shtëpia ndërthuri oraret e tyre të punës me jetën personale, duke mos ndatë limitet. Mosvendosja e kufirit mes punës dhe jetës personale rriti ankthin te të punësuarit”.
Ngrihet në Kroaci fshati për nomadët dixhitalë
Studimet kanë treguar se puna fleksibël redukton shpenzimet dhe është e favorshme për shëndetin mendor dhe fizik të njerëzve. Kroacia është ndër shtetet e para që përqafoi shpejt stilin e jetës nomade sipas shkrimit të medias ndërkombëtare Euroneës.
Si një nga destinacionet më të mëdha të udhëtimit në Europë, vendi është mbështetur në nomadët dixhitalë për të mbajtur të qëndrueshme ekonominë gjatë gjithë pandemisë. Vendi madje ka ofruar viza të posaçme për nomadët dixhitalë jashtë BE-së, duke i lejuar ata të qëndrojnë për një vit pa paguar taksën mbi të ardhurat.
Në Kroaci është krijuar një fshat i ri, posaçërisht për nomadët dixhitalë që duan të lënë zyrën pas. Zadari është një qytet port në qendër të Kroacisë. Me tregje të lulëzuara, plazhe piktoreske dhe prodhime deti të freskëta, ai është vendi i përsosur për një pushim relaksues veror.
Në Bokir, një zonë pranë qendrës historike të Zadarit, ndodhet fshati i ri dixhital, i cili njihet edhe me emrin “Lugina” i hapur me 10 tetor 2021. Lugina ofron shtëpi të vogla ku mund të jetohet vetëm ose me anëtarë të tjerë të komunitetit. Shtëpitë mund të përdoren edhe si hapësirë banimi kolektive, por edhe për eventet e organizuara nga fshati. Qiratë për shtëpitë nisin nga 130 euro në javë, shumë më pak se mesatarja e qirasë së apartamenteve në pjesën më të madhe të Europës.
“Ne i dhamë emrin “Valley” (Lugina), pasi njerëzit e lidhin atë me sipërmarrjen, si Silicon Valley. Duke qenë se shumë nomadë dixhitalë janë sipërmarrës, ne duam të krijojmë evente dhe konferenca për sipërmarrjen dhe të përfshijmë edhe komunitetin lokal. Ka shumë sipërmarrës seriozë që jetojnë një stil jetese nomade dhe ne duam t’i tërheqim ata.
Një nga arsyet pse donim ta bënim këtë projekt, është sepse turizmi kroat varet kryesisht nga stina e verës, ndërsa për pjesën tjetër të vitit, shumë ishuj dhe qytete janë “të vdekur. Ne e konsiderojmë Zadarin si një projekt pilot, por në të vërtetë duam të krijojmë disa komunitete si ky në të gjithë vendin për të ndihmuar ekonominë e qyteteve dhe fshatrave”.
Pse smart working po nxit migrimin masiv në SHBA?
Në qendrat urbane më të mëdha të botës si në SHBA dhe Angli, për shkak të vazhdimit të punës nga shtëpia, për një kohë të pacaktuar po vihen re dy tendenca. Së pari janë dorëheqjet e shumta nga puna nëse nuk aplikohet aktiviteti remote dhe emigrimi për ata që punojnë nga shtëpia drejt zonave periferike, ku kostoja e qirave apo kreditimit të shtëpisë është më e lirë.
Për dorëheqjet masive nga puna, në një të shkrim “World Economic Forum” thuhet se në shumicën e rasteve, largimet masive nga puna janë të nxitura nga kthimi i të punuarit në zyra. Arsye të tjera konsiderohen zgjatja e orarit të punës në periudhën e karantinës, sidomos në sektorin e shërbimeve. Mënyra se si punohet ndryshoi në mënyrë drastike që nga fillimi i pandemisë.
Pas punës nga shtëpia prej disa muajsh, të çliruar nga shpenzimet dhe telashet e vajtjes në punë dhe me më shumë kohë në dispozicion për familjen dhe për angazhimet e tjera, shumë njerëz hezitojnë të kthehen në zyrë me kohë të plotë. Më shumë se një e treta e të anketuarve në një studim të fundit të Beamery thanë se balanca e tyre punë-jetë kishte qenë më e mirë në kulmin e pandemisë dhe 42% duan që puna fleksibël të vazhdojë.
Shumë kompani po përgjigjen duke pranuar oraret elastike si pjesë e normalitetit të ri. Ky trend është më i theksuar në SHBA. E ashtuquajtura “shkalla e dorëheqjes”, një matës i dorëheqjeve vullnetare në muaj, u rrit në gusht në një maksimum historik prej 4,3 milionë njerëz, ose 2.9% e së gjithë fuqisë punëtore, sipas Byrosë së Statistikave të Punës të SHBA. Në industrinë e argëtimit dhe atë hoteliere, të cilat u goditën rëndë nga kufizimet e Covid-19, norma u rrit në një rekord prej 6.4%.
Në Mbretërinë e Bashkuar, gati një e katërta e punonjësve kanë në plan ta lënë punën e tyre brenda tre deri në gjashtë muajve të ardhshëm, sipas një sondazhi të fundit nga firma e rekrutimit Randstad. Për më tepër, pothuajse 70% e të anketuarve thanë se ishin të sigurt në mundësinë e ndryshimit të vendit të punës.
Në një shkrim të “The Economist” thuhet se puna nga shtëpia ka nxitur edhe migrimin e qytetarëve nga qendrat e shtrenjta urbane, si Nju Jorku, Los Anxhelosi dhe Çikago drejt periferive, pasi qiratë e shtëpive dhe kostoja e jetës është më e lirë.
Në shkrim vlerësohet se nga marsi 2020 deri në mars 2021, rreth 600,000 njerëz u zhvendosën nga zona të mëdha metroje me kosto të lartë drejt qyteteve të mesme (me 500,000 dhe deri 2 milionë banorë), dhe më shumë se 740,000 banorë u zhvendosën në qytetet e vogla të zonave rurale. Për shkak të migrimit, popullsia me qytetet deri 500,000 banorë u rrit 13,5% krahasuar me nivelet para pandemisë. Nju Jorku dhe San Francisko panë rritjen më të madhe në përqindjen e njerëzve që largoheshin.
Në muajt e fundit, të rinjtë me qira kanë filluar të kthehen në qytetet e tyre, ndërsa njerëzit e moshës së mesme po vazhdojnë të dynden në periferi për të blerë shtëpi me çmim më të lirë. Të dhënat nga Zillow, një kompani e pasurive të paluajtshme, e cila njoftoi në korrik 2020 se 5,400 punonjësit e saj mund të punonin nga shtëpia për një kohë të pacaktuar, tregojnë formën e re të modeleve të migrimit.
Nga marsi 2020 deri në shkurt 2021, 35% e punonjësve të Zillow u zhvendosën nga shtëpitë afër zonave të metrove. Rreth 21% e lëvizësve shkuan të paktën 50 km larg nga shtëpia e tyre e mëparshme, trefishi i përqindjes së atyre që e bënë këtë në 2018. Vendet e tyre të reja ishin në zona banimi ku shtëpitë ishin rreth 9% më pak të shtrenjta se çmimi mesatar aktual dhe 0,5% më pak se në 2018.
“Vendet që tërheqin njerëz ndajnë karakteristika të përbashkëta: si përballimi i kostos të jetesës, një ndjenjë të fortë komuniteti, lehtësi dhe miqësi ndaj biznesit”, thotë Cullum Clark, drejtor i Iniciativës së Rritjes Ekonomike të Institutit Bush-Southern Methodist University.
Sipas Joel Kotkin nga Universiteti Chapman njerëzit po shkojnë drejt qyteteve ku mund të arrijnë ëndrrën amerikane. “Është gjithnjë e më e vështirë ta bësh këtë në qytetet që krijuan ëndrrën amerikane, si Nju Jorku, për shkak të shpenzimeve të tyre”.
Kostoja dhe Covid-19 nuk konsiderohen të vetmet arsye të migrimit të popullatës. Shumë qytete kanë parë një rritje të krimit, të pastrehëve dhe mbylljes së bizneseve për shkak të rritjeve të taksave. Qytetet dhe periferitë pranë qyteteve të mëdha kanë qenë magneti më i madh për emigrantët.
Sipas analizës së “The Economist” nga të dhënat e Shërbimit Postar të Shteteve të Bashkuara, tre kodet postare me më shumë ndryshime të adresave për të ardhurit e rinj ishin në periferi të Houston, Austin në Teksas dhe Jacksonville në Florida, pasi në këto shtete prona është më e lirë./ Monitor
Top Channel
[ad_2]
Source link