[ad_1]
Në Gjykatën Kushtetuese ka nisur seanca ku do të shqyrtohet vendimi i parlamentit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Presidenti nuk është i pranishëm në seancë, por përfaqësohet përmes përfaqësuesve të vet ligjorë.
Mbrojtja nga pala e Presidencës mendon se kjo Gjykatë nuk mund ta gjykojë dot çështjen, pasi është e emëruar nga Qeveria dhe mandati i kryetares së saj, Vitore Tusha, ka përfunduar pesë vjet më parë dhe pritet zëvendësimi.
Për këtë shkak, mbrojtja e Metës, e sheh çështjen si të anshme. Në opinionin e tij, prej shtatë anëtarësh që ka momentalisht Kushtetuesja, gjashtë prej tyre janë emërime të Qeverisë. Tre prej këtyre emërimeve madje, kanë ardhur edhe me ndërhyrjen e Komisionit të Venecias.
Ky i fundit vetë, sipas mbrojtjes së Metës, ka theksuar disa herë se situata është e pafavorshme që të zgjidhen gjyqtarë për Kushtetuesen, pasi rrezikohet paanësia e tyre.
Një shkak tjetër i përmendur, është edhe shmangia e rregullores. Kjo, pasi sipas pretendimit, relatori i çështjes nuk është zgjedhur sipas shortit, por ka qenë që më parë i zgjedhur.
Në këto kushte, ka konflikt interesi mbi përzgjedhjen, pasi ka ndodhur në favor të një pale.
Përfaqësuesi ligjor i Presidentit, paraqiti kërkesën për disa anëtarë të Gjykatës, relatorin e çështjes dhe kryesisht për kryetaren e gjykatës. Në kërkesën e tyre kërkohej që anëtarët e Kushtetueses të vlerësonin nëse janë ose jo përpara rasteve që duhet të heqin dorë nga shqyrtimi i çështjes.
Sipas tyre, disa nga anëtarët e kësaj Gjykate janë zbuluar disa shkaqe që i bëjnë të papajtueshëm dhe në konflikt interesi.
“Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në vitin e 5-të me mandat të përfunduar. Ndërsa dy anëtarët e tjerë është deklaruar përfundimi i mandatit. Presidenti ka vite që denoncon hapur kapjen e drejtësisë, por sot ka të drejtë të gjykohet nga një gjykatë e pavarur dhe paanshme”, tha Dervishaj.
Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese është tërhequr për të shqyrtuar kërkesën e Presidentit për dorëheqjen e gjyqtarëve nga çështja.
Bledar Dervishaj: Presidenti ka paraqitur një kërkesë në Kushtetuese, për disa anëtarë të Gjykatës, relatorin e çështjes dhe kryesisht për kryetaren e gjykatës.
Për dy nga këto çështje Presidenti i Republikës është “hetuar” nga Kuvendi i Shqipërisë në legjislaturën e IX-të, procese hetimore këto që përpara se të mbylleshin pa ndonjë rezultat, kanë iniciuar dhe Komisionin e Venecias, për marrjen e një Opinioni dhe duke ulur ndjeshëm reputacionin e Republikës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë që për të tjera, mosmarrëveshja kushtetuese është bërë pjesë e shqyrtimit gjyqësor përpara jush, dhe ju jeni njohur rast pas rasti me shkakun, tipologjinë dhe mënyrën se si ka lindur, është zhvilluar konflikti/mosmarrëveshja e çështjes në fjalë dhe që është bashkëshoqëruar dhe me zhvillime politiko-shoqërore dhe sociale në vend, përgjatë këtyre viteve 2018-2022.
Gjykata Kushtetuese, përbëhet sot nga 7 anëtarë – 6 prej të cilëve janë emërtesë/zgjedhur pikërisht nga institucionet në këtë konflikt gjyqësor (Kuvend-President), ndërsa anëtari i shtatë – Kryetari, është i zgjedhur nga të dy organet President-Kuvend, që prej vitit 2008, dhe që sot është në vitin e 5-të, të ushtrimit të detyrës, përtej mandatit 9-vjeçar kushtetues, dhe në pritje të gjyqtarit zëvendësues.
Ndërkohë që 2 (dy) prej gjyqtarëve, zotit Altin Binaj dhe zotit Përparim Kalo, me vendim të Gjykatës Kushtetuese nr. 41 dhe nr.42, datë 22.12.2021, u është deklaruar përfundimi i mandatit që ata ushtrojnë dhe që u përfundon respektivisht në datat 02.05.2022 dhe 08.04.2022, ndërkohë që nga të dy organet e emërtesës (President – Kuvend), për emërimin e gjyqtarit të ri, me mandat të plotë, që do plotësojë këto vakanca që shfaqen, janë hapur thirrjet për aplikime.
Kjo Gjykatë, u bë funksionale me 7-anëtarë vetëm në fund të muajit dhjetor 2020, kur dy organet e emërtesës emëruan dhe 3 anëtarë të tjerë të kësaj trupe (dy gjyqtarë të zgjedhur nga Presidenti dhe një nga Kuvendi), edhe pse këto emërime u shoqëruan nga fenomeni i mungesës së kandidatëve, dhe kur të dy organeve të emërtesës iu është dashur të heqin dorë nga përplotësia e së drejtës kushtetuese për të zgjedhur ndërmjet tre kandidatëve, ashtu siç dikton Kushtetuta.
Nuk mund të mos përmendim faktin se Gjykata Kushtetuese sot është funksionale dhe me 6 gjyqtarë të rinj të emëruar falë angazhimit dhe vendimmarrjes së drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës. Falë angazhimit direkt të Presidentit, kjo Gjykatë sot është funksionale dhe të paktën ka arritur të mblidhet, e të funksionojë edhe pse jo me numrin e plotë të anëtarëve që ajo duhet të ketë.
Megjithatë, përpos sa më sipër, për shkak të mënyrës se si kjo gjykatë ka funksionuar, të lidhura, por jo vetëm me çështjen objekt gjykimi, për secilin anëtar të kësaj Gjykate evidentohen problematika dhe shkaqe, të cilat jemi të detyruar t`ia risjellim në vëmendje kësaj gjykate, dhe që kërkojnë domosdoshmërish vlerësimin me seriozitet prej saj.
- Kryetarja aktuale e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, është duke ushtruar detyrën e gjyqtarit kushtetues, në vitin e 5-të përtej mandatit kushtetues.
Të gjithë i dimë arsyet dhe rrethanat, ashtu si dhe zvarritjet që kanë ndodhur në procesin e emërimit të gjyqtarit që do të mund ta zëvendësonte e që do të duhej të ishte emëruar nga Gjykata e Lartë, pas verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturave nga ana e KED-së (2021).
Të gjithë i dimë arsyet pse ende dhe sot Gjykata e Lartë ende nuk ka kuorumin e nevojshëm për t`u mbledhur e për të vendosur për emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Për këto çështje, vet anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë shumë mirë në dijeni, qoftë për shkak të procesit të përzgjedhjes së tyre në detyrën që ata ushtrojnë; të qënurit si anëtarë të KED-së apo ndjekjes së debateve publike.
Presidenti i Republikës, ka folur qartë, publikisht dhe përmes akteve të tij, dhe ka vite që denoncon gjithë veprimtarinë antiligjore të aktorëve apo zyrtarëve të caktuar, që duhet thënë, ia kanë dalë të dëmtojnë apo të paralizojnë funksionimin e sistemit të drejtësisë, përfshi këtu dhe vet Gjykatën Kushtetuese.
Por ndërkohë që kjo betejë e Presidentit të Republikës, për funksionimin siç duhet të mekanizmave kushtetues nuk ka përfunduar, por vazhdon, nga ana tjetër dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor, pra në këtë proces gjyqësor, përfshin të drejtën për t’u gjykuar nga një gjykatë e pavarur, e paanshme dhe e caktuar me ligj, e parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ky parim është elaboruar qartë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në jurisprudencën e saj[1].
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar se standardi i gjykatës së “caktuar me ligj” nënkupton që jo vetëm gjykata duhet të jetë krijuar me ligj, por edhe anëtarët e saj duhet të jenë zgjedhur dhe qëndrojnë në detyrë sipas ligjit[2].
Rregulli mbi qëndrimin në detyrë të gjyqtarit kushtetues, deri në emërimin e pasardhësit, është parashikuar në një dispozitë kushtetuese (neni 125, pika 7), e cila është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për të garantuar funksionalitetin e vet gjykatës, në mënyrë që procedurat e emërimit të pasardhësit, dhe pse mund të zgjasin paksa dhe përtej mandatit 9-vjeçar të gjyqtarit, këto procese emërimi të mos bllokojnë funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese, për shkak të përfundimit menjëherë të mandatit të ndonjë gjyqtari.
Nga ana tjetër, është po kaq e vërtetë që vet ligji nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, i ndryshuar, parashikon se procedurat për emërimin e gjyqtarit pasardhës fillojnë 3-muaj përpara përfundimit të mandatit të gjyqtarit që i përfundon mandati, që në rastin konkret ka qenë data 10 mars 2017, dhe sipas ligjit duhet të përfundojnë po përpara këtij afati. Por fakti është se jemi në muajin shkurt 2022, dhe emërimi i gjyqtarit zëvendësues nuk ka ndodhur ende, ndërsa qëndrimi i gjyqtarit ekzistues në detyrë, ka konsumuar më shumë se gjysmën e mandatit të gjyqtarit të ri që pritet prej 5 vitesh të emërohet.
Kurrsesi nuk është menduar ndonjëherë që neni 125, pika 7, e Kushtetutës, të përdorej apo të legjitimojë faktin që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, të qëndrojë në detyrë plot 5-vite përtej mandatit 9-vjeçar kushtetues. Në rastin konkret, situata faktike është edhe më absurde, sepse është po kushtetuta që në nenin 179, pika 3, parashikon se:
“3. Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017 (pra zonjën Tusha), do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 […]”.
Pra referuar këtyre dispozitave, ai gjyqtar që do të zëvendësojë zonjën Tusha, do të konsumojë një mandat më të shkurtër se 3-vjet, kjo edhe për faktin se, Gjykata e Lartë së fundmi ka rihapur sërish garën për aplikime, për shkak se në procedurën e këtij vendi vakant, nuk ka numrin e nevojshëm të kandidatëve.
Qëndrimi në detyrë përtej mandatit, dhe me kohëzgjatje kaq të madhe është bërë pjesë e debatit publik.
Në këtë mënyrë, gjithashtu nuk mund të mos përmenden faktet se ka qenë kjo mazhorancë që ka bllokuar veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për dy vite radhazi 2017-2018, e cila solli si pasojë nga njëra anë boshatisjen e kësaj gjykate përmes bllokimit të veprimtarisë së organit që do të duhet të plotësonte vakancat (KED), dhe nga ana tjetër edhe zgjatjen e mandatit të gjyqtarit të mbetur në detyrë përtej mandatit kushtetues.
Pra qëndrimi në detyrë, deri në emërimin e pasardhësit është hapësirë e cila nuk mund të shfrytëzohet pa kufi, pasi siç po rezulton, gjyqtari kushtetues, për shkak apo me justifikimin e kësaj dispozite po ushtron në realitet, më shumë se gjysmën e mandatit të gjyqtarit që do të duhej ta zëvendësonte, duke krijuar kështu në dukje një situatë të qëndrimit në detyrë, të palogjikshme, dhe aspak në përputhje me qëllimin e normës kushtetuese, që cenon parimin e paanshmërisë së gjykatës, në favor të palës që e mundëson atë, pra të mazhorancës në Kuvendin e Shqipërisë, që është dhe organi i cili jo vetëm që ka miratuar normën, por që përmes mosangazhimit të tij për të mbikëqyrur implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, ka lejuar që situata të tilla paradoksale të ekzistojnë në Gjykatën Kushtetuese, prej shumë vitesh.
Nën dritën e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe GJEDNJ-së, të sipërcituara, porse dhe nën dritën e këtyre fakteve dhe shkaqeve, është e qartë që qëndrimi në detyrë përtej mandatit kushtetues, me një kohëzgjatje 5-vjeçare që është përtej çdo arsyetimi të qenësishëm dhe logjik, e që në rastin konkret kapërcen gjysmën e mandatit që do të duhej të ushtrohej nga gjyqtari zëvendësues, krijohet një situatë që dukshëm vendos në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqtarit kushtetues.
Ndërkohë një shkak tjetër, që madje është anatemuar shumë publikisht, por që duhet ta evidentojmë përpara kësaj gjykate, është fakti se, Presidenti Meta, pasi zonja Tusha ka shprehur interesin, e ka vlerësuar shumë pozitivisht shprehjen e aplikimit të zonjës Vitore Tusha dhe në 5 nëntor 2018[3] e ka propozuar atë si kandidate për t`u emëruar si Kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, nuk e ka pranuar këtë propozim dhe e ka refuzuar këtë kandidaturë, duke bërë publik dhe duke anatemuar edhe Presidentin e Republikës, se po të pranohej ky emërim, do të bllokohej veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese, kur ishte po ky organ dhe kjo mazhorancë që përmes deklaratave publike të Kryeministrit dhe deputetit të Komisionit të Ligjeve, bllokuan funksionimin e KED-së për dy vite radhazi 2017-2018, duke pamundësuar kështu plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Këto fakte janë parashtruar dhe në qëndrimin e Presidentit të Republikës, të dorëzuar përpara Gjykatës Kushtetuese që prej datës 1 korrik 2021.
Të gjitha këto shkaqe, duhet të vlerësohen nga vet gjyqtari kushtetues, por dhe nga Mbledhja e Gjyqtarëve, përmes një vlerësimi shumë objektiv, të mirëmenduar, pasi në vlerësim tonë të gjitha këto, së bashku me faktet që do të citohen në vijim, paraqesin shkaqe që vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit dhe që detyrimisht sjellin pamundësinë e tij për të marrë pjesë në shqyrtimin e kësaj çështje.
- Tre anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese (zonja Xhaferllari, zonja Toska dhe zonja Papajorgji)janë zgjedhur përgjatë legjislaturës së IX-të të Kuvendit (nëntor 2019) kur midis dy organeve Kuvend-President, ka ekzistuar një marrëdhënie e tensionuar dhe konfliktuale, e shkaktuar nga mazhoranca, situatë kjo e cila ka arritur deri aty sa Kuvendi i Shqipërisë ka iniciuar dhe ka vijuar të mbajë të hapur një tjetër proces hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës përgjatë periudhës korrik 2019- korrik 2020, duke parashtruar dy objekte hetimi, për të cilat është kërkuar dy herë angazhimi i Komisionit të Venecias, lidhur me këto dy çështje, dhe konkretisht, për:
- Kompetencat e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe që lidhet me çështjen e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore të 30 qershor 2019; dhe
- Për procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Në çështjen e parë, Komisioni Venecias me Opinionin nr. 959, datë 14 Tetor 2019, moment ky kur Gjykata Kushtetuese kishte vetëm zonjën Tusha në detyrë, Komisioni Venecias citon se:
“[…] Aktualisht, Gjykata ka vetëm një Gjykatës dhe duket se emërimi i katër gjyqtarëve po përgatitet.
[…] 80. Është për të ardhur keq që Gjykata Kushtetuese mund të themelohet me një çështje kaq të rëndësishme tashmë në pritje. Ndërsa përbërja e një gjykate kushtetuese është gjithnjë me interes të madh për aktorët politikë, dhe duke pasur parasysh një rast të tillë specifik, zgjedhja e gjyqtarëve nuk është sfond ideal për të siguruar pavarësinë e tyre[4]. Sidoqoftë, kjo nuk ndikon në legjitimitetin e Gjykatës.
Ndërsa në Opinion e tij nr. 978/2020, datë 19.6.2020, “Për procesin e emërimeve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, Komisioni i Venecias, citon se:
“[…] 56. Më 14.11.2019, Znj Toska, Znj Xhaferllari dhe Znj Papajorgji u betuan para Presidentit.
- 57. Më 15.11.2019, Kuvendi miratoi një rezolutë të titulluar “Shmangia e krizës kushtetuese që synon legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – një detyrë e domosdoshme për organet më të larta të Shtetit”, duke e konsideruar znj. Vorpsi gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese të emëruar automatikisht, duke i bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të zbatojë rendin kushtetues të përcaktuar me vendimin e KED për emërimin e zonjës Vorpsi dhe duke deklaruar se emërimi i zonjës Xhaferllari kishte qenë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me Kushtetutën dhe ligjin.
[…]60. Më 22.11.2019, Kuvendi zgjati afatin kohor të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit[5] dhe përfshiu refuzimin e Presidentit për të pranuar betimin e Zn.j Vorpsi dhe emërimin e Znj. Xhaferllari si Anëtare e Gjykatës Kushtetuese si arsye shtesë për shkarkim.
[…]95. Komisioni i Venecias është thirrur tashmë të bëjë interpretimin e tij mbi këtë incident procedural, i cili rezultoi në emërimin e diskutueshëm të dy gjyqtarëve – një nga Presidenti, dhe tjetri automatikisht nga kuota e Presidentit – për të njëjtën vakancë.[…] “
98.[…]Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht.”
Pra siç rezulton, konflikti shkoi deri aty, sa Kuvendi dhe pikërisht Legjislatura e IX-të, hetoi Presidentin, se përse emëroi gjyqtarin kushtetues zonjën M.Xhaferllari dhe përse nuk pranoi betimin e një kandidati që Kuvendi mendonte se ishte zgjedhur.
Kuvendi, dhe pikërisht Legjislatura e IX-të, u detyrua që ta mbyllë këtë veprimtari hetimore pa asnjë produkt konkret në Korrik 2020, kjo edhe pasi Komisioni i Venecias në të dy opinionet e tij, i gjeti të gjitha veprimet e Presidentit legjitime, të mbështetura dhe që nuk justifikonin iniciativën e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit.
Edhe këto shkaqe të tjera, të cilat përmenden nga Komisioni i Venecias, që në një procedurë shkarkimi të hapur nga Kuvendi i Shqipërisë, ndaj Presidentit të Republikës, zgjedhja e gjyqtarëve kushtetues nga këto dy organe (President-Kuvend) nuk është sfond ideal për të siguruar pavarësinë e tyre, janë shkaqe që secili prej gjyqtarëve të sipërcituar dhe Mbledhja e gjyqtarëve, duhet t`i vlerësojë, pasi përbëjnë drejtpërdrejtë shkaqe që venë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit kushtetues, në çështjen objekt shqyrtimi.
Ndërkohë, që vetëm pas daljes së këtij Opinioni të Komisionit të Venecias, nën dritën e rekomandimeve të bëra dhe angazhimeve personale të Presidentit të Republikës, u bë e mundur që në atë moment procedurat në proces në KED-së dhe për 3 anëtarë të rinj të përmbylleshin me sukses.
Zgjedhja në dhjetor 2020 e tre anëtarëve të tjerë në Gjykatën Kushtetuese, nuk mund të mohohet që u bë nga të dy institucionet e emërtesës (President-Kuvend) në interpretim të zgjeruar të ligjit, dhe me mundësi të kufizuara për të zgjedhur midis tre kandidaturave, dhe kjo vetëm që Gjykata Kushtetuese të mund të ishte funksionale.
- Ekzistenca e një kërkese për procedim disiplinor ndaj një apo disa gjyqtarëve kushtetues për çështjen e zgjedhjeve vendore 2019, paraqitur në 24.1.2022.
Por nga ana tjetër, në veprimtarinë e gjykatës kushtetuese në çështjet më të rëndësishme, që ka patur Republika e Shqipërisë, kjo gjykatë ka shfaqur problematika të theksuara që kanë detyruar Presidentin e Republikës, të kërkojë procedimin disiplinor të gjyqtarit/gjyqtarëve kushtetues. Rasti konkret ka të bëjë me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese mbi antikushtetutshmërinë e procesit zgjedhor të datës 30 qershor 2019, mbyllur me vendim nr. 36, datë 4.12.2021, nga kjo gjykatë.
Siç dhe jeni në dijeni, me shkresën me nr. prot. 287, datë 24.01.2022, drejtuar dhe Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës është detyruar t`i përcjellë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të dhëna dhe prova që kërkojnë domosdoshmërish nisjen dhe realizimin e procedimit disiplinor ndaj të paktën një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që mbante cilësinë e relatorit të çështjes, znj. Fiona Papajorgji. Kjo pikërisht pasi Presidenti u njoh zyrtarisht me praktikën e ndjekur nga kjo Gjykatë në një prej çështjeve të shqyrtuara prej saj[6].
Në këtë komunikim me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Gjykatën Kushtetuese, janë evidentuar fakte konkrete se, si gjatë shqyrtimit të kërkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, finalizuar me Vendimin nr. 36, datë 04.11.2021 të Gjykatës Kushtetuese,
1) Janë shmangur/shkelur në mënyrë të pakontestueshme rregullat procedurale të parashikuara nga ligji, për caktimin me short të relatorit të çështjes, duke krijuar dyshime të forta se fati i kësaj dosje ishte paracaktuar në favor të organit të emërtesës dhe mazhorancës përfaqësuese që ka zgjedhur/emëruar gjyqtarin kushtetues relator (F.P);
2) Relatori i çështjes, përmes mos pasqyrimit të procesit vendimmarrës, si për administrimin e çështjes pa short, ashtu dhe për ndërtimin e pyetjeve drejtuar Komisionit të Venecias, ka konsumuar shkelje të rënda profesionale, por dhe etike, që kanë favorizuar disa palë në gjykim, dhe që kanë cenuar të drejtat e disa palëve të tjera, veprime këto që kanë diskredituar pozitën dhe figurën e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.
3) Këto veprime të relatorit të çështjes, krijojnë idenë se janë kryer jo vetëm për përfitime të padrejta (në rastin konkret në formën e një kthimi të “shpërblimit” për organin e emërtesës që e ka zgjedhur), por edhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm palëve pjesëmarrëse në gjykim, të cilëve u është mohuar e drejta për të marrë përgjigje për pyetjet e ngritura për Komisionin e Venecias, me impakt direkt edhe në mënyrën se si Gjykata Kushtetuese do të orientonte më pas zgjidhjen e çështjes të paraqitur para saj për shqyrtim. Mosdërgimi i pyetjeve të palëve në Komisionin e Venecias, veç të tjerash bie në kundërshtim me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës Kushtetuese të datës 23.6.2021.
4) Këto veprime të relatorit të çështjes, krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë kryer në kushtet e papajtueshmërisë së tij, dhe duke paraqitur faktet në mënyrë të shtrembëruar në në shkresën e nxjerrë drejtuar Komisionit të Venecias.
Pikërisht, veprimtaria dhe qëndrimi i kësaj gjyqtareje, në kundërshtim me ligjin, dhe në shkelje të vet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që kanë diskredituar figurën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, të konsumuara në cilësinë e relatores së çështjes, që në vlerësim të Presidentit të Republikës, ka shkuar në favor të palëve në gjykim – Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, dhe ka mohuar të drejtat dhe interesat e palëve të tjera, ku përfshihet dhe Presidenti i Republikës, paraqet një tjetër shkak, që vë në dyshim pavarësinë dhe paanshmërinë e saj, dhe që përbën shkak të ligjshëm që detyron atë të heq dorë nga shqyrtimi i kësaj çështje, ku janë të përfshira sërish organi i emërtesës që e ka zgjedhur zonjën Papajorgji dhe që është Kuvendi i Shqipërisë, në favor të të cilit është shprehur në çështjen objekt shqyrtimi.
Procedimi disiplinor i kërkuar nga Presidenti i Republikës, përmes shkresës nr. prot. 287, datë 24.01.2022, mund të përfshijë dhe gjyqtarë të tjerë të cilët mund të jenë përfshirë në shkeljet e ligjit së bashku me gjyqtaren relatore, ku më evidente mund të jetë dhe përfshirja e Kryetarit të Gjykatës, që sipas ligjit nr. 8577/2000, ka përgjegjësinë e caktimit të gjyqtarit relator, vetëm përmes procedurave së shortit.
- Ndërkohë që, edhe për relatorin e çështjes objekt shqyrtimi, z. Përparim Kalo, prej datës 24 dhjetor 2021, kanë dalë në publik fakte që bëjnë të vihet në dyshim paanshmëria e tij.
Konkretisht në datën 24 dhjetor 2021, ora 10:45, në portalin/median elektronike “Shqiptarja.com”, është publikuar një shkrim i këtij gjyqtari kushtetues, nën titullin “Një vit, i shkurtër në dukje”.
Jemi të paqartë nëse teksti i këtij shkrimi është një intervistë, një status në rrjetet sociale publikuar dhe në media, apo ndonjë e-mail, apo memo e brendshme e z. Kalo, që më pas edhe është publikuar në media. Megjithatë, pak rëndësi ka në raport me faktin se kjo përmbajtje është tashmë publike, publikuar në një media që për nga emri që mban, vështirë se mund të vihet në diskutim vërtetësia e përmbajtjes për sa kohë publikimi është bërë me emër, mbiemër dhe foton e z. Kalo, duke vijuar të jetë publik (çka tregon se as nuk është kontestuar prej tij, por është publikuar me dëshirë të plotë)[7]. Këtë publikim ia vendosim gjykatës në dispozicion.
Në këtë shkrim, na duhet të citojmë disa paragrafë që kanë ngritur shqetësimin tonë dhe dyshimin e arsyeshëm mbi shkaqe që venë në diskutim paanshmërisë e z. Kalo në këtë gjykim, pikërisht për shkak të interesit të tij të shprehur publikisht për të vijuar ushtrimin e detyrës përtej afatit për të cilin ishte emëruar dhe kishte qenë plotësisht i vetëdijshëm:
“Këto rreshta i shkruaj pashmangësisht në vetën e parë, për të bërë të ditur publikisht se për shkaqe jashtë kontrollit tim, misioni im nuk mund të vazhdojë më tej. Si zëvendësues i njërit prej gjyqtarëve që u largua para mbarimit të afatit të mandatit, unë, por edhe një koleg tjetër, nuk gëzojmë mandat të plotë, ndryshe nga sa ndodh në vendet e tjera në rastet e vakancave të parakohshme, përfshirë Kosovën. Me fjalë të tjera, duhet të qendrojnë detyrë deri në datën qëmbaron afati i mandatit të gjyqtarit të larguar. Edhe ushtrimi i funksionit për periudhën kohore gjatë së cilës mandati mbeti “pa zot”, për disa vite, konsiderohet parealizueshme. Sigurisht ata që janë më në brendësi të çfarë ka ndodhur në sistemin tonë të drejtësisë prej reformës që ju hap rruga nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 e kuptojnë mirë se, në kushtet në të cilat ndodhet sistemi, do të ishte e udhës që rregulli i kufizimit të mandatit të ndryshohej, siç edhe rekomandoi me forcë Komisioni i Venecias në opinionin e vet të datës 19 gusht 2020 (pika 107 e opinionit), por kjo kërkon vullnet nga ligjvënësi, dhe qendrim simetrik me atë të treguar në rastet e ndryshimeve kushtetuese ndër vite, e që edhe aktualisht shihet qartë në rastin e ndryshimeve që lidhen me kohëzgjatjen e mandatit të agjencive të cilave u ka mbaruar ai, ndryshime që janë vendosur në rendin e ditës.
Problemi i mandateve plotësues është jo thjesht personal, pasi nga formula në fjalë preken e do të preken të gjithë ata që marrin përsipër të ndryshojnë statusin e tyre, që nuk përjashtohet mund të përkojë edhe me ambicjet e tyre personale profesionale, duke plotësuar vendet e zbrazëta për ti dhënë funksionalitet institucionit që jep drejtësi kushtetuese, prandaj edhe ka marrë vëmendje të posaçme nga Komisionit i Venecias.
Me anë të këtyre rreshtave dëshiroja të konfirmoj se jam në kohën e duhur për ti shërbyer vendit tim në funksione të vështira, siç kam dëshmuar ndër vite, përfshirë periudhën e ushtrimit të veprimtarisë si avokat, duke qenë jo vetëm tatimpagues shembullor, por edhe këshilltar në dhjetra projekte historike, siç janë ato të privatizimit të aeroportit ndërkombëtar, bankave, ndërtimin e rrugës së Kombit. Si profesionist dhe edukator injë numri të konsiderueshëm profesionistësh që nderojnë Shqipërinë në rajon e më gjerë, duke u renditur në krye të listave të agjencive të specializuara për vlerësime, ndjej veç kënaqësi dhe mund ti kthehem pa hezitim asaj sipërmarrjeje shumëdimensionale. […]”
Pikërisht fjalitë e mësipërme, me kuptime në disa raste të dyzuara (ku herë duket se parashtrojnë një kërkesë për dorëheqje, dhe herë kërkojnë një zgjatje të mandatit si gjyqtar), në vlerësimin tonë, janë një thirrje e qartë për Kuvendin, që të shqyrtojë mundësinë e zgjatjes së mandatit të këtij gjyqtari, dhe kolegut të tij Altin Binaj, pikërisht në një moment kur, Kuvendi i Shqipërisë, ka në procedurë parlamentare disa ndryshime në Kushtetutë, për zgjatjen e mandatit të organeve të rivlerësimit kalimtar.
Një kërkesë e tillë dhe publike, duket më shumë si një thirrje për ndryshimin e Kushtetutës nga ana e Kuvendit, çka përbën një shkak të fortë që vendos në dyshim serioz paanësinë e z. Kalo në çështjen objekt shqyrtimi, ku palë në konflikt janë nga njëra anë Kuvendi i Shqipërisë që kërkon shkarkimin e Presidentit, dhe që ka në dorë mundësinë për të ndryshuar Kushtetutën sipas dëshirës publike të shprehur nga zoti Kalo, ndërsa nga ana tjetër- organi i emërtesës që e ka zgjedhur zotin Kalo në detyrën e gjyqtarit kushtetues me mandat të përkohshëm, dhe që është Presidenti i Republikës.
Dhe ky shkrim, kjo kërkesë dhe thirrje e tij publike për ligjvënësin, vjen pikërisht dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese nuk bëri një interpretim në favor të tij për zgjatjen e mandatit, por me Vendimin nr. 42 datë 22.12.2021[8], ka vendosur;
“Deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, zotit Përparim Kalo, në datën 08.04.2022”, duke u konstatuar kështu ligjërisht fakti se në datë 08.04.2022 në Gjykatën Kushtetuese krijohet një vakance me mandat të plotë, për shkak se kjo datë konsiderohet përfundimi i mandatit të gjyqtarit Përparim Kalo (i cili u emërua në këtë gjykatë, në plotësim të vakancës së parakohshme të shkaktuar nga largimi i parakohshëm nga detyra të ish-gjyqarit z. Besnik Imeraj, dhe sipas nenit 127, pika 3 të Kushtetutës, qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar).
- Shkeljet e rënda profesionale dhe procedurale të Gjykatës Kushtetuese, në çështjen objekt shqyrtimi.
Shkaqe të tjera që lidhen me nevojën që secili prej gjyqtarëve të kësaj gjykate të shprehet paraprakisht për paanshmërinë e tij për të qenë pjesë e trupit gjykues në këtë çështje, lidhet edhe me faktin se, ashtu si në rastin e çështjes së zgjedhjeve vendore, dhe për të cilën janë dërguar faktet për nisjen e procedimit disiplinor ndaj të paktën 1 gjyqtari të kësaj gjykate, por që përfshin dhe Kryetarin e gjykatës, ditën e djeshme, pas njohjes me disa dokumente të dosjes gjyqësore për çështjen me objekt shqyrtimin e Vendimit nr. 55/2021, datë 9.6.2021, të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë ‘Për shkelje të rënda të Kushtetutës”’, konstatohet se janë konsumuar shkelje të ngjashme.
Konkretisht, Gjykata Kushtetuese, me dashje dhe pa asnjë mbështetje ligjore, ka shkelur afatin 3-mujor, brenda të cilit Mbledhja e Gjyqtarëve, sipas parashikimeve të neni 47, pika 1, dhe 62 pika 1, paragrafi i 1, të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, duhet të vendoste kalimin ose jo të çështjes për shqyrtim në seancë plenare.
Ajo që e bën situatën edhe më të papranueshme është fakti se, kjo shkelje është konsumuar për shkakun se gjyqtarët donin të iknin me leje vjetore.
Neni 47, i ligjit nr. 8577/2000, parashikon shprehimisht se:
“1. Shqyrtimi i çështjeve nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve përfundon brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, me përjashtim të rasteve kur ky ligj përcakton afate të tjera. Në çdo rast bisedimet dhe marrja e vendimit nga kolegjet ose Mbledhja e Gjyqtarëve bëhet mbi bazën e projektvendimit të përgatitur nga relatori”.
Ndërkohë që neni 62, pika 1, parashikon se:
“1. Gjykata Kushtetuese për kalimin e çështjes në seancë plenare vendos me shumicën e anëtarëve të saj.”
Pra referuar bazës ligjore të sipërcituar, dhe vendimit të Kuvendit nr. 55/2021, të datës 9.6.2021 “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rënda të Kushtetutës”, i cili është depozituar në Gjykatën Kushtetuese në datën 14.6.202, duke vënë në ecje dhe afatin 3- mujor, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kishte detyrimin që ta shqyrtonte paraprakisht kërkesën për kalimin ose jo të çështjes në seancë plenare, brenda datës 14 shtator 2021.
Ndërkohë që, sipas njoftimeve të vet Gjykatës, Mbledhja e Gjyqtarëve e ka marrë në shqyrtim kërkesën vetëm në datën 15 tetor 2021, pra 1 muaj me vonesë.
Për të verifikuar dhe për t`u njohur me shkakun e kësaj shkeljeje të afatit, Presidenti i Republikës, i ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese, disa kërkesa për njohje me aktet respektive. Pas kërkesës së përsëritur të Presidentit të Republikës (më e fundit përmes shkresës nr. prot. 152/4, datë 29.01.2022), kur në mënyrë të shprehur ishte kërkuar disa herë nëse:
–ka zhvilluar Mbledhja e Gjyqtarëve ndonjë mbledhje, dhe/apo ka marrë ndonjë vendim për pezullimin e shqyrtimit të kësaj çështje përgjatë periudhës 14.06.2021 (moment ky i regjistrimit të çështjes) deri në 14.09.2021 (moment ky që sipas nenit 47, pika 1, dhe 62 pika 1, paragrafi i 1, të ligjit nr. 8577/2000, përbënte dhe afatin përfundimtar maksimal ligjor kur Mbledhja e Gjyqtarëve duhej të shprehej me vendim për kalimin ose jo të çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore publike, brenda 3-muajve nga paraqitja e kërkesës);
vetëm ditën e djeshme në datën 31.1.2022, përfaqësuesit e Presidentit të Republikës, të cilët u paraqitën personalisht pranë zyrave të Gjykatës Kushtetuese, morën nga ana e kësaj Gjykate përmes një procesverbali, kopje të njehsuar të Vendimit nr. 8, datë 28.7.2021, të Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Sipas këtij Vendimi, Mbledhja e Gjyqtarëve ka arsyetuar se:
“Në nenin 13 shkronja “d” të ligjit nr. 8577/2000, parashikohet se Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, miraton Rregulloren për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, si dhe Rregulloren e Brendshme për Veprimtarinë e Administratës së Gjykatës Kushtetuese […]”.
Bazuar kryesisht në këtë arsyetim, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ka vendosur në mbështetje të nenit 13, shkronja “d)”, të ligjit nr. 8577/2000, se:
- Leja vjetore e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të bëhet nga data 1 gusht 2021 deri në datën 10 shtator 2021.
- Periudha e lejes vjetore nuk llogaritet në afatet e parashikuaranë ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
- Një kopje e këtij vendimi të vendoset dhe të bëhet pjesë e dosjeve që ndodhen në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
- Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm për zbatimin e këtij vendimi.
Tiranë, më 28.7.2021.
Pra, rezultoi e provuar se:
- për çështjen konkrete, nuk ka patur një vendim pezullimi të posaçëm, por është marrë një vendim i përgjithshëm me karakter rregullator, për lejen vjetore, me efekt për të gjitha dosjet që janë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar a priori këtë periudhë (1 gusht-10 shtator 2021) si periudhë që nuk merret në konsideratë për ecjen e afateve, për të gjitha çështjet në proces shqyrtimi dhe që parashikon ligji nr. 8577/2000. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk gjen asnjë referencë ligjore, pasi nëse Kuvendi i Shqipërisë, do të kishte dashur ta konsideronte periudhën e lejes vjetore si shkak për pezullimin e ecurisë së afateve, kjo gjë do të ishte shprehur në vet dispozitën e nenit 18, të ligjit nr. 8577/2000. Ndërkohë që, sa herë që ligjvënësi ka vlerësuar se duhet të procedohet me pezullimin e gjykimit, këtë e ka parashikuar në mënyrë të shprehur, si në rastin e dispozitës së nenit 44/b[9], të ligjit nr. 8577/2000.
Gjykata Kushtetuese, përmes këtij vendimi, ka tentuar të krijojë një normë të re, por të pambështetur në asnjë dispozitë të ligjit nr. 8577/2000, me qëllim ndërprerjen e ecjes së afateve, për shkak të pushimit vjetor të gjyqtarëve, që duhet thënë që është një e drejtë dhe jo detyrim.
Pra rezulton se Gjykata Kushtetuese, ka marrë atributet e Kuvendit të Shqipërisë, edhe pse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka dashur t`ia japë këtë atribut, apo ta bëjë vet atë.
Kjo është një ndër shkeljet më të rënda që dëmton rëndë kredibilitetin e trupës gjyqësore, e cila përballë një çështjeje me kaq rëndësi që kishte në tryezë, zgjedh të pushojë, duke shkelur afatin e përcaktuar nga ligji.
Për më tepër, përmbajtja e këtij vendimi në vetvete përbën dhe shkelje të vet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila në jurisprudencën e saj përsërit gjithmonë se, Gjykata nuk mund të marrë rolin që ka organi ligjbërës (Kuvendi) dhe nuk ka për detyrë të krijojë norma të reja.
- Ky vendim i Mbledhjes së Gjyqtarëve, jo vetëm për shkak të natyrës së tij dhe efekteve që ai sjell tek gjithë rrethi i subjekteve që janë të përfshirë në çështjet në proces shqyrtimi pranë Gjykatës, por dhe për faktin e bazës ligjore të përzgjedhur nga vet gjykata (neni 13, shkronja “d”, (ku parashikohet se Mbledhja e Gjyqtarëve ka për kompetencë të miratojë rregulloren për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, si dhe rregulloren e brendshme për veprimtarinë e administratës së Gjykatës Kushtetuese) në vetvete, ka natyrë rregullatore, pasi trajton një çështje që do të duhej të ishte rregulluar posaçërisht në ligj, dhe mbase të gjente detajim të mëtejshëm në Rregullat për procedurat gjyqësore. Nëse do të gjente autorizim në ligj për t`u rregulluar me Vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve, si pjesë e rregullave për procedurat gjyqësore, do të duhej të ishte miratuar dhe të hynte në fuqi vetëm pas Botimit në Fletoren Zyrtare, si çdo akt tjetër rregullator. Nga konsultimi me gjithë Fletoret Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, për periudhën pas datës 28 korrik 2021, e në vijim nuk na rezultoi që vendimi nr. 8, datë 28.7.2021 të jetë botuar, duke e bërë këtë akt të mos ketë asnjë fuqi juridike përkundrejt publikut dhe palëve në proces.
Ky Vendim, as për nga dispozita e hyrjes në fuqi, nuk ngjan me një akt të tillë që të sjellë efekte pezullimi për gjithë çështjet në proces pranë Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që as nuk është botuar, dhe as u është komunikuar palëve pjesëmarrëse, të paktën në çështjen objekt shqyrtimi.
- Për pasojë, ky akt nuk ka asnjë vlerë juridike dhe Gjykata ka humbur afatin 3-mujor prej momentit të regjistrimit të kërkesës për shqyrtim pranë Gjykatës Kushtetuese (14.6.2021),që sipas nenit 47, pika 1, dhe 62 pika 1, paragrafi i 1, të ligjit nr. 8577/2000, përbënte dhe afatin përfundimtar ligjor kur Mbledhja e Gjyqtarëve duhet të shprehej me vendim për kalimin ose jo të çështjes për shqyrtim në seancë gjyqësore publike.
E gjithë kjo veprimtari e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim, përveç shkeljeve të ligjit, evidenton pakujdesi dhe neglizhencë ndaj kërkesave të përsëritura ta Presidentit të Republikës, i cili që prej datës 1 korrik 2021, në qëndrimin e tij për kërkesën e Kuvendit për shkarkim, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ka kërkuar që:
- Gjykata Kushtetuese ta marrë në shqyrtim sa më shpejt dhe vendosë lidhur me këtë çështje. Kjo duke u nisur dhe nga historiku i veprimtarisë së Kuvendit në dy vitet e fundit të Legjislaturës së IX-të[10].
- Një vendimmarrje e shpejtë mbi këtë çështje, do të shkonte në favor të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor midis palëve pjesëmarrëse në proces që investuan Gjykatën Kushtetuese, dhe në ruajtje të legjitimitetit të funksionimit dhe të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, duke dalë garant i kushtetutshmërisë dhe rendit ligjor e demokratik, kaq shumë të sulmuar dhe të paralizuar në këto tre vitet e fundit.
Kjo kërkesë e Presidentit që prej datës 1 korrik 2021, për shqyrtimin e çështjes brenda një afati sa më të shpejtë, lidhej ndër të tjera me faktin që Legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Shqipërisë i përfundonte mandati 4-vjeçar në datën 9 shtator 2021, çka kërkonte që dhe shqyrtimi gjyqësor i çështjes për të cilën kjo legjislaturë investoi Kuvendin, duhej të përfundonte brenda kësaj date.
Edhe pse Presidenti i Republikës, iu përgjigj Gjykatës Kushtetuese që prej datës 1 Korrik 2021, dhe kërkoi shqyrtim të shpejtë, nuk mori asnjë njoftim zyrtar se çfarë kishte ndodhur me shqyrtimin e kësaj çështjeje të investuar nga Legjislatura e IX-të e Kuvendit të Shqipërisë, apo se çfarë kishte vendosur në lidhje me të mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo mënyrë veprimi e Gjykatës Kushtetuese, pa një shkak të ligjshëm, pa asnjë bazë/mbështetje ligjore, dhe pa asnjë arsye objektive, ka sjellë si pasojë që Gjykata Kushtetuese, nuk ka mundur të shqyrtojë paraprakisht çështjen brenda afatit ligjor 3-mujor, që përkonte edhe me afatin në të cilin përfundonte mandati i Legjislaturës së IX-të të Kuvendit të Shqipërisë, duke e transferuar dhe duke e lënë të hapur konfliktin nga Legjislatura e IX-të tek Legjislatura e X-të, e cila u konstituua në 10 shtator 2021.
Kjo mënyrë veprimi e gjithë trupës gjyqësore, përbën një fakt më shumë që krijon bindjen se, gjithë trupa gjyqësore përballë çështjes më të rëndësishme dhe unike që kishte për shqyrtim dhe interesit publik që paraqiste shqyrtimi sa më shpejtë i saj, zgjodhi interesin personal për të ushtruar të drejtën dhe jo detyrimin për pushime verore, duke e pezulluar a priori afatin, pa një bazë ligjore, dhe pa asnjë publikim apo njoftim përkundrejt palëve në proces.
Vetë ky fakt përbën një shkak më se të mjaftueshëm dhe bindës që kjo trupë gjyqësore, nuk mundet ta shqyrtojë objektivisht, me paanshmëri dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet, çështjen e iniciuar nga Kuvendi i Shqipërisë përmes vendimit nr. 55/2021 për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
- Nga ana tjetër, nisur dhe nga sa u evidentuara në dosjen e gjykatës Kushtetuese, për zgjedhjet vendore të qershorit 2019, Presidenti i Republikës në mënyrë të shprehur dhe të përsëritur ka kërkuar të informohet nga Gjykata Kushtetuese, edhe në këtë rast se,
- cili është relatori i çështjes dhe mënyrën e procedimit të Kryetares apo të Gjykatës Kushtetuese për caktimin e tij si relator sipas ligjit, shoqëruar me kopje të dokumentacionit provues mbi praktikën e brendshme administrative të ndjekur për këtë rast.
Vetëm pas shkresës së tij të fundit nr. prot. 152/4, datë 29.01.2022, pasi përfaqësuesit e Presidentit u paraqitën në ambientet e Gjykatës Kushtetuese në datën 31.01.2022, mundën të njiheshin me përmbajtjen e Procesverbalit të datës 15.6.2021, i cili ishte i vetmi akt që mund të hidhte dritë mbi këtë kërkesë.
Nga sa u konstatua, rezulton se edhe për këtë dosje gjyqësore Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, nuk ka organizuar procedurat e caktimit me short të gjyqtarit relator, ashtu siç ligji nr. 8577/2000, neni 27, pika 6, kërkon.
Kopje e këtij akti nuk iu vu në dispozicion përfaqësuesve të Presidentit të Republikës (referuar procesverbalit të mbajtur me përfaqësues të Drejtorisë Gjyqësore dhe Dokumentacionit pranë kësaj Gjykate), me arsyetimin se, “bazuar në nenin 32, pika 4, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, miratuar me vendimin nr. 9, datë 22.12.20221, aktet e ndërmjetme nuk jepen deri në përfundim të gjykimit.”.
Megjithatë, për sa përfaqësuesit e Presidentit të Republikës mundën të njihen në këtë moment me përmbajtjen e procesverbalit të Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 15.6.2021, rezultonte se në këtë ditë, për çështjen në fjalë që Gjykata Kushtetuese e kishte administruar më datë 14.6.2021, Mbledhja e Gjyqtarëve ishte mbledhur për të vendosur për procedurat administrative që lidheshin me çështjen në fjalë nr. 6 (K) 2021, të Regjistrit Themeltar.
Në pjesën fundore të këtij procesverbali, citohej se, “për sa i përkiste mënyrës së caktimit të gjyqtarit relator, pas diskutimeve ishte dakordësuar që të ndiqej procedura e njëjtë me rastet e tjera dhe mendimi i kryetares, i shfaqur në këtë mbledhje, për të caktuar relator të çështjes gjyqtarin Përparim Kalo, ishte mbështetur në mënyrë unanime nga gjyqtarët.”
Mjafton ky fakt për të konstatuar se relatori i kësaj çështjeje është caktuar pa short, dhe në shkelje flagrante të përcaktimit të pikës 6, të nenit 27, të Ligjit nr. 8577/200, që në mënyrë të shprehur përcakton se:
“6. Kërkesa e regjistruar në regjistrin e kërkesave i dorëzohet Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili merr masat për caktimin me short të relatorit të çështjes, sipas Rregullores së Gjykatës.”.
Çka është edhe më e rëndë në këtë rast, është jo vetëm fakti se për çështjen relatori është caktuar në shkelje të ligjit, porse e njëjta praktikë, njësoj si për çështjen e zgjedhjeve vendore për të cilën është kërkuar nisja e procedimit disiplinor për anëtarët përgjegjës të Gjykatës Kushtetuese, i njëjti veprim rezulton i përsëritur në masë për mbase të gjitha çështjet, të cilave u është caktuar nga një relator pa short, me një bisedim paraprak e dakordësi të të gjithë gjyqtarëve kushtetues, garant të Kushtetutës, për të shkelur pa asnjë problem ligjin e tyre organik.
Ndërkohë që në Gjykatat e niveleve të zakonshme, organizimi i shortit është i detyrueshëm dhe mosrespektimi i këtij rregulli në shumë raste ka çuar deri në procedimin disiplinor të gjyqtarëve apo strukturave të përfshira, Gjykata Kushtetuese, e cila prezumohet se do të jetë modeli i zbatimit të Kushtetutës dhe Ligjit, e ka kthyer caktimin e gjyqtarit relator në çështje dakordësie midis gjyqtarëve dhe shprehje mendimesh, në mungesë tërësore të transparencës.
Për më tepër, ky fakt, gjendet i përmendur shkarazi në fund të procesverbalit, dhe nuk gjendej i pasqyruar apo i renditur si vendimmarrje në fund të tij, siç është vepruar me disponimin për t`ia komunikuar aktet menjëherë Presidentit të Republikës dhe për t`i dhënë 45 ditë kohë të shprehte qëndrimin e tij, nëse do ta vlerësonte.
Pra përveç faktit se secili prej gjyqtarëve duhet të vlerësojë paraprakisht nëse është në kushtet e heqjes dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, për sa më sipër renditur, gjithashtu është përgjegjësi e secilit anëtar me integritet të këtij trupi gjykues, të vlerësojë dhe adresojë menjëherë pasojat e rënda që kanë ardhur për shkak të veprimeve në shkelje të ligjit, si në caktimin e relatorit të çështjes, ashtu dhe në shkeljen e afateve për shqyrtimin e çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës.
Të gjitha këto shkaqe janë më se të mjaftueshme, që Presidenti i Republikës të kërkojë që secili prej anëtarëve të Gjykata Kushtetuese të vlerësojë apo rivlerësojë situatën e pamundësisë ligjore, papajtueshmërisë dhe konfliktit të interesit, që vënë në dyshim paanshmërinë e tij/saj në shqyrtimin e kësaj çështjeje me këto palë dhe këtë objekt, sipas nenit 36, të ligjit nr. 8577/2000.
Kjo kërkesë paraprake, parashtron detyrimin e trupës gjyqësore, që të njihet me përmbajtjen e saj dhe sipas nenit 36, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, çdo gjyqtar të kryejë një vlerësim objektiv, të kujdesshëm, jo të nxituar, dhe brenda një afati të arsyeshëm të të gjitha shkaqeve, të cilat janë evidente dhe të pakundërshtueshme që bëjnë të detyrueshëm heqjen dorë nga çështja objekt shqyrtimi.
Referuar shkaqeve të përmendura më sipër, dhe shkeljeve të përsëritura të ligjit të konsumuara nga disa gjyqtarë, sidomos në caktimin e gjyqtarëve relatorë pa short siç ligji e kërkon dhe në çështjet më të rëndësishme kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, përfshi edhe këtë çështje, dhe mos marrja e asnjë mase për të frenuar këtë paligjshmëri, apo mos informimi për ekzistencën e kërkesave për procedim disiplinor të kolegëve të tyre nga pjesa tjetër e gjyqtarëve, ka bërë që Presidentit të Republikës të humbasë krejtësisht besimin tek kjo trupë gjyqësore, e cila nuk mund ta shqyrtojë këtë çështje me kaq rëndësi, pasi nuk garanton dot as procesin e rregullt ligjor në procedurat e brendshme administrative që ndjek, por dhe as paanshmërinë e vet trupës gjyqësore në këtë proces.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të kishte patur vullnet për të ndërtuar një proces të rregullt ligjor, të paanshëm, për ta shqyrtuar me objektivitet dhe pavarësi këtë çështje, do ta kishte përfunduar shqyrtimin e kësaj çështjeje sa më shpejt dhe brenda afateve ligjore, dhe nuk do të kishte vepruar në këtë mënyrë, duke e tej zgjatur pafundësisht shqyrtimin e kësaj çështjeje, dhe duke i dhënë mundësi Kuvendit dhe përfaqësuesve të mazhorancës që të mbajnë hapur një klimë tensioni, një retorikë aspak të denjë për të vepruar në luajalitet, duke sulmuar në mënyrë të vazhduar Institucionin e Presidentit të Republikës.
Nëse anëtari/rët e Gjykatës Kushtetuese, nuk do ta vlerësojnë objektivisht dhe të pranueshme këtë kërkesë dhe nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim për të vlerësuar e hequr dorë nga shqyrtimi i kësaj çështjeje, atëherë në zbatim të nenit 37[11] të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, për të njëjtat shkaqe të referuara më sipër, për secilin nga gjyqtarët e kësaj trupe gjyqësore, parashtrohet kërkesa për përjashtimin nga gjykimi i çështjes.
Tiranë, më 01.2.2022
Gjyqtarja Marsida Xhaferllari: Kërkesa e paraqitur nga Presidenti është për përjashtimin e gjyqtarëve. Unë e vlerësoj që jemi para shkaqeve që parashikon ligji për Gjykatën Kushtetuese për heqjen dorë të gjyqtarit. Nuk arrij të kuptoj kërkesat e Presidentit. Doja të ndalesha në disa aspekte që kanë të bëjnë me procesin e rregullt, që është kërkesa për gjyqtaren Papajorgji. Kjo kërkesë është abuzive. Fakti që presidenti depoziton kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit, kërkesa për përjashtim nuk është automatike, është Kolegji i Posaçëm i Apelimit që kryen këtë procedurë që nis me kërkesën e kryetares së Kolegjit të Apelimit.
Ne nuk e gjykojmë se ka shkelje proceduriale. Ne jemi këtu se Presidenti është shkarkuar me vendim të Kuvendit për shkelje të rënda të Kushtetueses dhe kërkesat e Presidentit nuk duhet ta tërheqin nga thelbi i çështjes.
Kërkesa e Presidentit është abuzive për ta shtyrë këtë çështje në çështje proceduriale.
Klotilda Bushka: Do i kërkoja kësaj gjykate ta vlerësonte kërkesën paraprake si kërkesë për përjashtimin e gjyqtarëve dhe ta rrëzonte këtë kërkesë si të pambështetur në Kushtetutë dhe ligj.
Marsida Xhaferrllari: A ka shkak ajo që keni shkruar për përzgjedhjen e tre gjyqtarëve në dhjetor 2020, aty thoni: Vlerësojeni ju kryesisht. Këtë fakt e keni si shkak për përjashtimin e tre gjyqtarëve?
Dervishaj: Ta vlerësoj gjykata, ja kam ngritur gjykatës këtë.
Xhaferrllari: Për kë gjyqtarë e keni?
Dervishaj: Në dhjetor 2020 janë zgjedhur Kalo, Sonila Betja dhe Altin Binaj.
Dervishaj: S’është detyrë e Presidentit. Është detyrë e Kushtetueses që ndahet në dy kolegje. Pasi këto organe të bëjnë punën e tyre do përgjigjemi edhe ne.
Xhaferrllari: Procedimi disiplinor i kërkuar nga Presidenti mund të përfshijë dhe gjyqtarë të tjerë. Mund të na saksoni, për cilët gjyqtarë bëhet fjalë. Pasi keni kërkuar procedim disiplinor ndaj Fiona Papajorgjit. Kush janë të tjerët?
Në qershor të vitit te kaluar, 104 deputetë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Mazhoranca socialiste e fajëson atë për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat sipas socialisteve kanë shkelur Kushtetutën.
Votimi u bazua në gjetjet e raportit të hartuar nga komision hetimor i ngritur për të hetuar qëndrimin e Presidentit Meta para dhe gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare 2021.
Meta e ka konsideruar të paligjshëm vendimin për shkarkimin e tij. Por përmes një postimi në faqen e vet në Facebook mëngjesin e sotëm, kreu i shtetit lajmëroi se avokatët e tij do të paraqiten në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku pritet të shqyrtohet kërkesa e parlamentit.
Top Channel
[ad_2]
Source link