[ad_1]
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, zhvilloi një takim me të rinjtë në Lushnjës, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 6 marsit.
Rama renditi disa arsye se pse qytetarët duhet të zgjedhin Eriselda Sefën në krye të bashkisë, ndërsa komentoi edhe situatën aktuale të luftës në Ukrainë. Ai tha se situatat e luftës dhe konflikteve ku njeriu dëshiron më së shumti lirinë janë kthyer sërish, edhe pse sipas tij nuk mendohej që do ktheheshim sërish në atë kohë.
Fjala e Ramës:
Është pak e vështirë, ose të paktën ndjesia që unë kam është e çuditshme, që ne sot jemi këtu dhe duhet të flasim për një ditë zgjedhjesh normale, në një qytet apo në disa qytete që përtej të gjitha halleve dhe problemeve, bëjnë një jetë normale, ku madje një pjesë e caktuar e njerëzve, diku më shumë, diku më pak, e konsiderojnë krejt normale që të thonë “sikter politika, sikter vota”.
Ndërkohë që po sot, disa njerëz të tjerë që nuk kanë asgjë ndryshe, asgjë më pak se sa ne, por që nuk kanë edhe asgjë më shumë se sa ne, të paktën nuk kishin asgjë më shumë se sa ne deri para disa ditësh, janë duke e kaluar përmes një ferri të vërtetë, duke u ndarë me njëri tjetrin, gratë, vajzat, fëmijët, duke marrë rrugët, duke marrë trenat për të ikur dhe burrat e djemtë duke marrë armët për të mbrojtur diçka që deri përpara pak ditësh, ngjante siç ngjan sot këtu. Diçka për të cilën as mendja nuk na shkon se duhet të mendohemi, sepse ngjan diçka e fituar njëherë e përgjithmonë, që është liria, që është demokracia, që është e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur dhe që është mundësia për të jetuar, duke marrë frymë lirisht në qytetin tënd, në fshatin tënd, në vendin tënd, pa qenë i detyruar t’i nënshtrohesh dhunës dhe diktatit të askujt tjetër.
Në fund të fundit, përtej të gjithë dallimeve nga pikëpamja e gjeografisë, e gjeopolitikës, e historisë mes nesh dhe atyre që sot prej disa ditësh tanimë janë nën terrorin e bombave, nën terrorin e tankeve, nën terrorin e një sulmi të egër mbi gjithçka që kishin deri dje, prap se prapë ngjashmëritë janë shumë të mëdha.
E nisa kështu, për të thënë që jo vetëm ne këtu por po të shohësh edhe të tjerët në Europën e zhvilluar, prej shumë e shumë vitesh e kishin marrë si të mirëqenë gjithçka që kishin dhe ju dukej sikur të gjitha ato që kanë ndodhur më parë, nuk do përsëriteshin më kurrë. Ja pra që u përsëritkan. Ja pra që liria qenka shumë e shtrenjtë ende sot që flasim dhe që duket sikur askush nuk e kërcënon. Ja pra që atdheu qenka diçka që duhet ta kesh gjithmonë parasysh se të takon ta mbrosh. Të takon të luftosh për të.
Nga ana tjetër, unë mendoj që ne në këtë situatë nuk duhet të presim që të na ndodhë e njëjta gjë, për të qenë më të dobishëm për vendin tonë, për të qenë më të dobishëm për komunitetin tonë, për të qenë më të vetëdijshëm për atë që kemi. Ajo që kemi nuk është pak. Ajo që kemi është diçka për të cilën të tjerë përpara nesh këtu në vendin tonë kanë ëndërruar, kanë luftuar, janë martirizuar dhe kanë ikur nga kjo botë pa e provuar dot kurrë që është e drejta për të votuar. Nuk është diçka e vogël. Është diçka aq e madhe sa që siç e shihni sot, njerëzit po marrin armët për të sakrifikuar edhe jetën e tyre.
Unë e njoh Presidentin e Ukrainës, është një personazh i veçantë, por ja që në kushtet e një sfide kaq të madhe ku jeta e tij është e rrezikuar më shumë se e askujt tjetër, sepse është targeti numër 1 i agresorëve, ai u kthye në një personazh të jashtëzakonshëm, frymëzues për gjithë botën. Pse?
Sepse vuri mbi të gjitha pikërisht këtë për të cilën, ne po flasim e për të cilën ne flasim përditë. Lirinë! Lirinë për të zgjedhur dhe natyrisht nga ana tjetër, detyrimin për t’ju përgjigjur zgjedhësve. Në këtë sens, unë doja të thoja që kjo e jona është një betejë e përditshme, e pakrahasueshme me luftën për ekzistencë realisht të ukrainasve sot. Me luftën për ekzistencë të atdheut të tyre, me luftën për ekzistencë të shtetit të tyre, me luftën për ekzistencë të familjeve të tyre, por nuk është më pak e çmueshme se sa liria e tyre, nëse ne mësohemi që ta vlerësojmë dhe jo ta nëpërkëmbim gjatë gjithë kohës, duke e trajtuar si diçka që nuk ka pikën e vlerës pikërisht sepse ne e kemi. Pikërisht sepse ju e keni.
Parafytyroni se sa shumë të gjithë bashkëmoshatarët tuaj do donin të ishin sot këtu, si ju, e të kishin sot aq më shumë e as më pak, por kaq sa keni ju në këtë moment, mundësinë që të uleni me këtë diell të bukur, të mbledhur bashkë, për të ndjekur një takim e pastaj për të shkuar të qetë kudoqoftë që doni të shkoni e për të fjetur në shtëpi të patrazuar nga ankthi i tmerrshëm se çfarë do të ndodhë nesër, që do të thotë që në këto momente duhet të kemi fuqinë të vlerësojmë shumë atë që kemi e të mos harrojmë kurrë që, nëse të tjerët kanë sakrifikuar më parë apo sakrifikojnë sot për të pasur të njëjtën gjë që ne kemi, atëherë kësaj gjëje që kemi, t’i japim respekt. Të mos e shpërdorojmë dhe abuzojmë, duke arritur deri në mallkimin e saj.
Për t’u kthyer tani në arsyen pse kemi ardhur këtu, që mos të marr shumë nga koha juaj me këtë reflektim, sot ne faktikisht jemi këtu sepse në datën 6 kemi zgjedhje në Lushnje dhe në datën 6, në Lushnje, ka një palë zgjedhje ku ka disa kandidatë. Unë nuk i njoh kandidatët e tjerë e nuk kam ndërmend të flas asnjë fjalë për ta sepse nuk i njoh, por fakti që kanë marrë përsipër të përfaqësojnë bravën dhe bishtin e varesë, i s’kualifikon në sytë e mi dhe mendoj që duhet t’i s’kualifikojë në sytë e çdo qytetari pavarësisht bindjeve apo anësive politike, përkundër Eriseldës, e cila nuk është e rënë nga qielli, është një vajzë e ardhur pikërisht nga kjo tokë, në një rrugëtim që e ka nisur shumë vite më parë dhe në të cilin ka hedhur hapat, duke pasur ambicien, duke pasur vullnetin dhe duke pasur dhe durimin e me thënë të drejtën, pa qenë vajza e dikujt me një mbiemër të famshëm, pa qenë dikush që e morën dhe e ngritën nga hiçi në majë, por hap pas hapi, shkallë pas shkalle. Një vajzë e kësaj zone, një vajzë e kësaj toke, një vajzë e këtij komuniteti, e cila në këtë pak kohë që ka pasur në dispozicion ka treguar që di t’i shërbejë këtij komuniteti, di t’i respektojë njerëzit e këtij komuniteti, di të jetë dikush që pavarësisht bindjeve dhe përkatësisë së saj shumë të fortë me Partinë Socialiste, nuk ndan njerëzit në miq dhe kundërshtarë, tanët apo atyre por i vlerëson të gjithë si qytetarë të qytetit.
Unë, Eriseldën e kam parë për herë të parë para shumë viteve, në 2011 kur ishin zgjedhje vendore dhe bëhej një sherr i madh në Allkaj. Ishin 4 burra, të cilët donin të gjithë të ishin kryetarë komune. Por ne, 1 kryetar komune do zgjidhnim ne dhe sherri kishte arritur në pikën kur nuk gjendej një dakordësi mes tyre dhe erdhën në Tiranë. Erdhën, u futën këta dhe një vajzë bashkë me ta, e cila dukej si në ato përrallat mes ujqërve aty. Unë mendova se ishte vajza e njërit prej tyre, apo shoqëronte. I thashë “Po ti”? “Jam kandidate” më tha, kandidate me ata atje, të cilët mund ta hanin të gjallë 7 herë në ditë. Por, ja ku është sot. Natyrisht, nuk u vendos atëherë si kandidate, por nuk u tërhoq, nuk u mërzit, nuk ktheu kokën mënjanë, vazhdoi rrugëtimi ne saj. Siç e tha dhe vetë, iu përkushtua dhe për arsye akademike çështjeve të pushtetit vendor. Gjërat erdhën në mënyrë të atillë që sot është me gjithë kënaqësinë dhe bindjen tonë kandidatja e duhur për Lushnjën në këtë moment dhe kryetarja e duhur e bashkisë për këtë qytet për të kaluar në një fazë tjetër pune, komunikimi, transparence, ndërveprimi mes të gjithëve dhe për të krijuar atë frymë për të cilën ka kaq shumë nevojë çdo komunitet, frymën e të ndjerit të respektuar, të begenisur dhe të ndjerit të përkujdesur.
Sot, Ditmiri e tha, ju që keni ardhur sot këtu, e keni ndarë mendjen që do votoni, por sot është momenti që, duke pasur parasysh dhe ngjarjet që folëm, të bëni një përpjekje më shumë, të bëjmë të gjithë një përpjekje më shumë që t’i themi edhe të tjerëve që mbase janë mësuar të mos votojnë, që mbase e konsiderojnë krejtësisht të panevojshme të marrin pjesë në këtë proces që kjo duhet bërë në respekt të të gjithë atyre që sot nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, për respekt të atyre që sot janë në kushtet që mund ta humbin përgjithmonë një mundësi të tillë, për respekt të gjithë atyre që më parë bënë gjithçka që kjo mundësitë krijohej.
Është shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë dhe ju, më të rinjtë, ta kuptoni që politika nuk është diçka e keqe në vetvete. Politika dhe politikanët janë dy gjëra të ndryshme sepse politikanët janë një kategori njerëzish si çdo kategori, siç ka lojtarë të mirë ka dhe lojtarë të dobët, siç ka njerëz të mirë ka dhe njerëz të këqij, siç ka politikanë të zotë ka dhe politikanë të pazotë, siç ka njerëz të ndershëm ka dhe politikanë të ndershëm. Por ka dhe politikanë, patjetër, të pandershëm, të korruptuar, gënjeshtarë e me radhë por kjo nuk e bën politikën diçka të keqe. Politika është e mirë ose e keqe në varësi të duarve në të cilat bie. Po ra në duar të mira, politika bën gjëra shumë të mira. Pa politikën sa e sa gjëra që njerëzimi i ka arritur, nuk do kishin ndodhur kurrë.
Vetë e drejta, vetë fjala “Barazi” mes të gjithëve dhe e drejta për të qenë të barabartë si koncept nuk do kishte ndodhur nëse nuk do kishte qenë politika që ta sillte në mjedisin e bashkëjetesës së njerëzve e me radhë.
Natyrisht që, politika i bën edhe luftërat. Edhe ai agresion që shohim sot, edhe e kundërta e tij janë dy anët e politikës. Disa njerëz që e përdorin politikën për të agresuar dhe për të shtypur të tjerët dhe disa të tjerë që e përdorin politikën për të qenë njerëz të lirë dhe për të pasur të drejtën të vendosin në atdheun e tyre. Të dyja këto i bën politika.
Politika i sjell përpara jush edhe Eriseldën, edhe ata dy të tjerët qe keni këtu. Njërin që e ka sjellë vrima e bravës dhe tjetri që është një copë e bishtit të varesë. Flas për politikën, jo për personat. Sado të mirë dhe të zotë të jenë ata persona nuk i duhen Lushnjës. Nuk i duhen asnjë qyteti sot, në asnjë bashki ku votohet në 6 mars, persona të identifikuar dhe të lidhur me atë lloj politike, atë lloj politike që është ndasi, që është helm, që është gjithçka por jo frymëzim, jo punë , jo respekt, jo qetësi, jo bashkim.
Të gjitha këto, Eriselda i ka në natyrën e vet por të gjitha këto sot janë shumë të rëndësishme për ne. po e citoj shumë shpesh Ditmirin, meqë u prezantua dhe si kryeministri por, arsyeja pse takimet me të rinjtë I bëjmë së bashku është pikërisht jo thjesht për të bërë fushatën por për të vazhduar një cikël që kemi nisur me takime për të folur për politikën. Po i kthehem pikërisht asaj pjese ku foli për një kulturë tjetër dhe ku unë do thosha më shumë copë për një politikë të bashkimit.
Çfarë do ndajmë ne këtu? Natyrisht që ndarjen në qeveri dhe në opozitë e bën një ditë, e bën një ndeshje, që ëshët ndeshja e ditës së zgjedhjeve ku disa votojnë një palë e disa votojnë palën tjetër. Nuk mund të jetojmë të ndarë çdo ditë. Lufta është gjetkë, por po të dëgjosh mënyrën se si flitet këtu, mënyrën se si shahet këtu, mënyrën se si shpifet këtu, mënyrën se si sulmohet këtu, duket sikur lufta është këtu. Duket sikur lufta është këtu, sikur lufta këtu vazhdon prej vitesh e vitesh.
Edhe çfarë, politika e bën këtë? Nuk e bën politika, e bëjnë njerëz të caktuar që tanimë i sheh i madh e i vogël që do të shikojë që janë aty vetëm për interesin e tyre personal. Janë gati të përmbysin çdo gjë për interesin e tyre personal, që të dy bashkë dhe të tërheqin prej hunde dy palë Parti Demokratike për interesin e tyre personal. Njëri se do me doemos të kthehet dhe tjetri se do me doemos të mos ikë. Hall i madh. Ndërkohë që, punët dhe problemet e komuniteteve janë komplet të tjera.
Ndërkohë që vajzat dhe djemtë që kanë nevojë më shumë në të gjitha aspektet e rrugës së tyre në këtë moshë që jeni ju, Eriselda foli për terrene sportive, po ashtu për laboratorët e informatikës, për laboratorët e tjerë nëpër shkolla, për programet e inovacionit e me radhë, nuk janë ndryshe, pavarësisht se nëse ndjehen majtas apo djathtas, pavarësisht se nëse në familje kanë dëgjuar që të vegjël për PD apo për PS. Terrenet sportive nuk janë të majta apo të djathta. Nevoja për të pasur një program sportiv, që ne po e ngremë dhe së shpejti do të kemi një rrjet të tërë skuadrash sportive të shkollave në gjithë Shqipërinë, nuk është një nevojë e majtë apo e djathë.
Dhe për të gjitha këto, ne duhet të bashkohemi, jo të ndahemi. Si mund të na bashkohen ne ata, që ndërkohë edhe me njëri-tjetrin nuk rrinë dot të bashkuar. Prandaj, do t’ju lutesha që deri në datën 6 mars, të bëni një përpjekje të vogël, të përditshme për të marrë dhe shoqet e shokët me vehte për të shkuar në votim. Për të shkuar në votim, në respekt edhe të atyre që nuk votojnë dot dhe që do të ëndërronin ta kishin 6 marsin një të diel pushimi siç e kemi ne këtu, siç do ta kemi ne këtu, siç e keni ju dhe do kishin vërtet ëndërr të shkonin të votonin atje kë të donin vetë, pa pasur frikë nga tanket, pa pasur frikë nga bombat, pa pasur frikë nga shpërthimet dhe pa qenë të detyruar të vuajnë tmerrin e ndarjes nga pjesa tjetër e familjes apo për të shkuar për të marrë pushkën për të mbrojtur qytetin.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe siç Eriselda është sot kandidate për kryetare Bashkie, jam i bindur që këtu, në këtë turmë është kandidati i vitit 2035 për bashkinë e Lushnjës, por nuk është politika e rëndësishme vetëm për ata që duan të bëhen politikanë apo duan të bëjnë karrierë politike. Politika është e rëndësishme për këdo që është në këtë moshë, sidomos për të çuar përpara disa gjëra që kanë të bëjnë me jetën e përditshme. Ka shumë rëndësi vota e datës 6, sepse në datën 6 votohet Eriselda, do ketë shumë më tepër gjëra që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me nevojat tuaja, dhe nëse jo, që nuk do ndodhi, por thjesht për të bërë dallimin, imagjinoni tani ju t’i vini vetes një bravë, ti vini Lushnjës një bravë, ta mbyllni Lushnjën me një bravë, për çfarë ju duhet, që mos them pastaj imagjinoni të kapni varenë e ti bini Lushnjës kokës. Nuk janë zgjidhje këto! Zgjidhje është që të punojmë së bashku për të bërë sa më shumë nga ato gjëra që ju keni nevojë. Nuk kemi bërë pak, por nuk diskutohet që krahasuar me sa duhet të bëjmë, nuk kemi bërë mjaftueshëm.Në datën 6, pushim e keni, harxhojini disa minuta për të bërë atë, që pastaj ju vlen për disa vite me radhë, e për të mos patur asnjë pishman, kur të nesërmen e datës 6 do dilni përsëri për të shkuar në shkolla, apo për t’u takuar me njëri-tjetrin apo për të bërë aktivitetet tuaja.
Top Channel
[ad_2]
Source link