[ad_1]
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka mbërritur në ditën e shtatë të saj, duke kapërcyer tashmë në një fazë të re. Ditën e sotme pritet të mbahet takimi i dytë mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në mënyrë që të ketë negociata për t’i dhënë fund luftës. Të hënën u mbajt takimi i parë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë. Raundi i parë i bisedimeve u zhvillua në kufirin bjellorus që zgjati rreth 5 orë, por nuk solli asnjë ndryshim për situatën në Ukrainë.
14:00 Sot mbahet raundi i dytë i bisedimeve Rusi-Ukrainë
Delegacionet ruse dhe ukrainase do të takohen këtë të mërkurë për të vijuar me raundin e dytë të bisedimeve për paqe në mes të konfliktit. Lajmi është konfirmuar nga një anëtar i stafit të Presidencës ukrainase, i cili tha se delegacionet përbëhen nga të njëjtët përfaqësues që ishin të pranishëm në raundin e parë të bisedimeve, zhvilluar të hënën. “Tani është zyrtare. Raundi i dytë i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë do të zhvillohet sot”, tha ai për CNN. Delegacionet do të përbëhen nga të njëjtët anëtarë që ishin në takimin e parë”, shtoi zyrtari.
13:51 Kryebashkiaku i Kherson: Nuk kemi rënë në duart e Rusisë!
Kryebashkiaku i Kherson, Igor Kolykhayev ka mohuar informacionet se qyteti ka rënë në duart e ushtrisë ruse. Kolykhayev ka bërë me dije se forcat ukrainase janë në front, duke luftuar kundër ushtrisë ruse. “Ne jemi ende Ukrainë. Ende e fortë”, shkroi krybashkiaku në rrjetet sociale.
13:41 OKB: Më shumë se 800 mijë persona janë larguar nga Ukraina
Të paktën 836 mijë persona, sipas UNHCR-së, janë larguar deri më tani nga Ukraina që kur Rusia nisi pushtimin e saj. Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, shumë prej tyre, kanë ikur në Poloninë fqinje, e cila ka pritur më shumë se 450 mijë njerëz deri më tani. Numri i përgjithshëm i të larguarve është rritur me shpejtësi që kur Moska filloi sulmin e saj dhe pritet të vazhdojë të rritet me shpejtësi.
13:26 Foto-lajm/ Kur “miku” besnik nuk braktiset në luftë
Një vajzë nga Ukraina është fotografuar teksa mbrërrin në pikën kufitare në Medyka të Polonisë dhe në krahë mban “mikun” e saj besnik. E ndërsa disave iu është dashur të marrin rroba dhe ushqim me vete, momenti i kapur nga Visar Kryeziu, tregon sesi një vajzë nuk e ka lënë vetëm qenin e saj, por ka vendosur ta marrë me vete, pavarësisht gjithçkaje.
13:08: Po dërgonte nipin në spital, rusët qëllojnë për vdekje mjeken ukrainase
Një mjeke ukrainase është qëlluar për vdekje nga ushtria ruse teksa po dërgonte në spital nipin e saj. Lajmin e ka dhënë ministri ukrainas i Shëndetësisë, Viktor Liashko, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, shkroi se terroristët i morën jetën mjekes, teksa ajo po çonte nipin e saj të plagosur në spital nga fshati Kuhari në rajonin e Kievit.
12:45 Kremlini: Ekonomia ruse po merr goditje serioze
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka pranuar se ekonomia ruse po merr goditje serioze nga sanksionet e vendosur nga SHBA-ja dhe vendet e BE-së. Peskov u pyet për deklaratën e Biden për shtimin e sanksioneve, ku tha se gjithsesi, ekonomia ruse do do te qëndrojë në këmbë. “Ekonomia e Rusisë po përjeton goditje serioze. Ekonomia do të qëndrojë në këmbë ” tha Peskov në një telefonatë me gazetarët.
12:30 Vijojnë sulmet me raketa në Kharkiv, vdesin 4 persona, plagosen 9 të tjerë
Autoritetet thonë se disa zona të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës vijojnë të jenë në shënjestër të sulmeve me raketa dhe bombardimeve. Edhe mëngjesin e sotëm pati sulme të forcave ruse ndërsa zjarrfikëset po përpiqen të shuajnë flakët në godinat e përfshirë nga zjarri. “Si rezultat i goditjes së raketave të armikut, ndërtesat administrative u shembën nga zjarret”, thanë shërbimet rajonale të urgjencës. Të paktën 4 persona janë vrarë dhe 9 të tjerë janë plagosur, ndërkohë që 10 janë shpëtuar nga rrënojat.
12:16 A ekziston vërtet “Fantazma e Kievit” që rrëzoi gjashtë avionë rus? Analiza e fakteve
“Fantazma e Kievit” është kthyer në një figurë popullore në mbarë Ukrainën. Por a ekziston vërtet “Fantazma e Kievit”? DW ka realizuar një kontroll të fakteve.
12:00 Kina: Nuk i miratojmë sanksionet, do vazhdojmë marrëdhënien normalisht
Kina nuk do të bashkohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e BE-së për vendosjen e sanksioneve financiare ndaj Rusisë. Kryetari i Komisionit Rregullator të Bankave dhe Sigurimeve të Kinës, Guo Shuqing tha se Pekini i kundërshton sanksionet dhe do të vazhdojë normalisht marrëdhëniet tregare apo financiare me Rusinë. Kina është një blerës i madh i naftës dhe gazit rus dhe e vetmja qeveri e madhe që është përmbajtur të kritikojë sulmin e Moskës ndaj Ukrainës.
11:45 Papa Françesku bën thirrje për solidarizim: Mos harroni ukrainasit në strehimore
Papa Françesku u kërkoi këtë të mërkurë njerëzve në mbarë botën që të kujtojnë ukrainasit, të cilët ndodhen në strehimoret nëntokësore, për tu mbrojtur nga bombardimet ruse. Daljen e tij këtë të mërkurë në Vatikan, Papa e shpalli ditë lutjeje dhe agjërimi për paqen në Ukrainë. Ai falënderoi të gjithë polakët që hapën dyert e tyre dhe pritën mijëra ukrainas të cilët u larguan nga terrori i luftës.
11:33 Humbjet e forcave ruse nga lufta në Ukrainë: 5840 të vrarë
Ukraina pretendon se ka vrarë 5840 rusë që nga fillimi i pushtimit. Ministria e mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar beson se forcat e Moskës kanë pësuar humbje të mëdha. “Sipas informacioneve nga brigada jonë, betejat po vazhdojnë. Qyteti nuk është pushtuar plotësisht, disa pjesë janë nën kontrollin tonë”, tha një zëdhënës i ministrisë. Media shtetërore ruse kishte raportuar më parë se trupat ruse kishin marrë kontrollin e plotë të qytetit.
11:32 Lavrov: Do ndodhë një Luftë e Tretë Botërore, nëse përdoren armë bërthamore
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov këtë të mërkurë deklaroi se nëse do të ndodhte një Luftë e Tretë Botërore, mesiguri do të përfshiheshin armët bërthamore dhe kjo do të ishte shkatërruese për botën. Lajmi u citua nga agjencia e lajmeve “RIA”. Lavrov ka thënë se Rusia, e cila nisi atë që e quan një operacion special ushtarak kundër Ukrainës javën e kaluar, do të përballej me një “rrezik real” nëse Kievi do të fitonte armë bërthamore.
11:29 Kremlini: Rusia është gati për raund tjetër bisedimesh, nuk e dimë nëse vjen Ukraina
Kremlini ka njoftuar këtë të mërkurë se zyrtarët rusë janë gati të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh me Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov është shprehur se nuk dihet nëse zyrtarët ukrainas do të paraqiten në takim. Sipas Reuters, Peskov ka thënë se Moska duhet të formulojë një përgjigje të ashpër, të menduar dhe të qartë kundër masave të vendosura ndaj vendeve perëndimore për të minuar ekonominë ruse.
11:16 BE miraton sanksione të reja ndaj Bjellorusisë
Diplomatët e Bashkimit Evropian kanë miratuar sanksione të reja kundër Bjellorusisë, pasi ka treguar mbështetje ndaj Rusisë në luftën kundër Ukrainës. Presidenca franceze e BE-së konfirmoi se diplomatët e BE-së kanë miratuar sanksione të reja kundër bjellorusëve dhe goditja do të jetë në ekonomi.
11:04 Presidenca ukrainase: Data e bisedimeve është ende në diskutim
Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak deklaroi për “Reuters” se mbajtja e bisedimeve me Rusinë ishte në diskutim dhe se ishte e nevojshme për një “agjendë thelbësore”. I pyetur për datën e një raundi të dytë bisedimesh që kur Rusia pushtoi fqinjin e saj javën e kaluar, Podolyak tha se për momentin është në diskutim. “Nevojitet një agjendë thelbësore”, theksoi ai sërish.
11:03 Navalny bën thirrje nga burgu: Dilni dhe protestoni kundër luftës
Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny u ka bërë thirrje rusëve të organizojnë protesta kundër luftës në Ukrainë të nxitur nga Putin. Zëdhënësja e tij shkroi në Twitter se Navalny ka bërë thirrje që qytetarët rus të dalin çdo ditë në orën 19:00 dhe në fundjavë në orën 14:00, për të protestuar kundër luftës. Navalny, kundërshtari më i shquar i Presidentit Vladimir Putin, u burgos vitin e kaluar pasi u kthye në Rusi nga Gjermania.
10:54 Rusia heq flamurin e Ukrainës nga ambasada në Moskë
Flamuri ukrainas është hequr nga ambasada e saj në Moskë këtë të mërkurë, pas trazirave të luftës. Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, flamuri u hoq si një shenjë që tregonte se ndërtesa ishte shtëpia e ambasadës ukrainase në Rusi, ndërsa u mbyllën edhe dyert e saj. Qeveria ukrainase ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Rusinë më 24 shkurt, pasi Moska urdhëroi një pushtim të vendit.
10:29 Kampioni i botës në boks i bashkohet ushtrisë ukrainase
Pak muaj më parë, kampioni i botës Oleksandr Usyk po përballej me kundërshtarët në ringun e boksit, ndërsa tani është kthyer në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tij. Kur u pyet nga CNN se pse ishte kthyer, ai u përgjigj: “Çfarë do të thotë, pse?” “Është detyra ime të luftoj, të mbroj shtëpinë time, familjen time. Unë duhet ta bëj këtë,” tha ai, duke folur nga një bodrum në Kiev. Ai shtoi se nuk donte të vriste askënd, por do të bënte atë që ishte e nevojshme për të mbrojtur veten dhe të dashurit e tij.
10:23 Wallace: Rusia po përballet me një sfidë të madhe
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace është shprehur se Rusia po përballet me një “sfidë të madhe” për të hyrë në qytetet kryesore të Ukrainës. Ai thekson se kjo po ndodh për shkak se forcat e armatosura dhe civilët po zmbrapsin forcat armike që afrohen me çdo mjet në dispozicion. Wallace thotë se rrethimi i qendrave të mëdha urbane dhe bombardimi pa dallim ishte pjesë e doktrinës ushtarake ruse, duke synuar demoralizimin e popullsisë për të marrë pas gjithçka tjetër që ka mbetur.
10:17 Zelenskiy: Ushtarët rusë kanë urdhër të na zhdukin të gjithëve
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy tha këtë të mërkurë se ushtarët rusë, të cilët janë dërguar nga Putin, kanë marrë urdhër t’i zhdukin të gjithë ukrainasit. Zelenskiy u shpreh i bindur se Rusia nuk do të jetë në gjendje ta marrë vendin e tij me bomba dhe me sulme ajrore, teksa shtoi se ata nuk dinë asgjë për Kievin, e as për historinë e kryeqytetit ukrainas.
10:09 Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës: Kherson nuk ka rënë në duart e rusëve
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka mohuar informacionet se qyteti jugor Kherson ka rënë në duart e rusëve. “Sipas informacioneve nga brigada jonë, betejat po vazhdojnë”, tha një zëdhënës i ministrisë. Media shtetërore ruse kishte raportuar më parë se trupat ruse kishin marrë kontrollin e plotë të qytetit.
9:40 Odesa, qyteti gati për betejë/ Gati thasët me rërë, nënat me fëmijët të strehuar në trena
Qendra e qytetit në Odesa është kthyer në një qytet fantazmë, tashmë i kthyer në një qytet betejë. Bombardimet nuk kanë filluar, por qyteti i tretë më i madh i Ukrainës në bregdetin jugor duket se është tashmë nën shënjestrën e bombardimeve, ndërsa qytetarët kanë bërë gati thasët me rërë.
09:00 Sulmohet me raketë godina e policisë në Kharkiv
Një sulm me raketë ka goditur ndërtesën e departamentit rajonal të policisë në Kharkiv. Në pamje duket se si ndërtesa që ndodhej në qendër të qytetit ka marrë flakë dhe është shkatërruar plotësisht. Anton Geraschenko, një këshilltar i Ministrit të Brendshëm të Ukrainës, thotë se një ndërtesë që i përket Universitetit Kombëtar Karazin përballë rrugës është gjithashtu në flakë pas sulmit. Kharkiv ka qenë një nga qytetet më të sulmuara me raketa gjatë mbrëmjes së djeshme. Të paktën 21 persona u vranë dhe 112 u plagosën në bombardimet e qytetit të dytë më të populluar të Ukrainës, tha kryebashkiaku i qytetit.
08:45 Zelensky zbulon si është jeta e tij në kohë lufte: Punë dhe gjumë!
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë një intervistë për mediat e huaja duke treguar se si është jeta e tij pasi prej 7 ditësh, vendi i tij ndodhet në pushtimin e forcave ruse. Nga vendstrehimi në Kiev, Zelensky u shpreh nga vendstrehimi ku po qëndron në Kiev, se dita e tij në këto momente është punë dhe gjumë, ndërsa takimet me familjen janë të rralla.
08:30 Sulmet në Ukrainë, raketa godet maternitetin në Kiev
Forcat ruse kanë goditur edhe maternitetin e Ukrainës. Këtë ka bërë të ditur shefi i departamentit të maternitetit Adonis, Vitaliy Gyrin. “Një raketë goditi maternitetin. Janë bërë shumë dëme, por ndërtesa është në këmbë. Të gjithë janë evakuuar“, ka shkruar Gyrin. Gyrin u kërkoi njerëzve që të mos shkojnë atje: “Më e rëndësishme është të mos vini tani për të marrë askënd nga këtu. Të gjithë janë në një vend të sigurt. Kjo është e sigurt.”
08:00 Biden paralajmëron Putin: Nuk e ke idenë se çfarë po vjen!
Presidenti i SHBA Joe Biden ka dënuar pushtimin e Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin duke paralajmëruar se do të vijojnë të merren masa për të ndëshkuar Ukrainën. “Sonte, unë u them oligarkëve rusë dhe liderëve të korruptuar që kanë harxhuar miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm, duhet të mos vazhdojë më,” tha Biden gjatë fjalimit të tij ndërsa njoftoi një grup të ri pune nën Departamentin e Drejtësisë të SHBA për të hetuar oligarkët rus. “Ne po bashkohemi me aleatët tanë evropianë për të gjetur dhe kapur jahtet e tyre, apartamentet e tyre luksoze dhe avionët e tyre privatë,” tha ai. SHBA po mbyll gjithashtu hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, duke iu bashkuar një numri vendesh që morën masa të ngjashme javën e kaluar. Ai më pas paralajmëroi Putinin duke thënë: “Ai nuk e ka idenë se çfarë po vjen”. “Putini ka shkaktuar dhunë dhe kaos. Por ndërsa ai mund të bëjë fitime në fushën e betejës – do të paguajë një çmim të lartë në afat të gjatë,” tha Biden. Por çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit?
Fjalimi i Biden: Presidenti i SHBA Joe Biden dënoi pushtimin rus në Ukrainë në fjalimin e të martën mbrëma, duke thënë se SHBA do të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët rusë dhe do të nisë një hetim ndaj oligarkëve rusë. Por përsëriti se SHBA nuk do të vendosë trupa në Ukrainë.
Kievi goditet: Kryeqyteti ukrainas u sulmua me raketa të martën, pasi ushtria ruse paralajmëroi për “sulme ” dhe u tha civilëve aty pranë që të largoheshin. Raketat gjithashtu hoqën pajisjen e transmetimit, duke rritur frikën se Rusia po përpiqet të rrëzojë infrastrukturën e komunikimit.
Qytetet e mbingarkuar: Forcat ruse sulmuan gjithashtu qytete të tjera kyçe, duke goditur qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv. Ndër të tjera, thuhet se ushtria ruse ka marrë Kherson qendror, një qytet strategjik i rëndësishëm në veri të gadishullit të Krimesë. Krimea është mbajtur nga Rusia që nga aneksimi në 2014.
Numri i jetëve të humbura: OKB-ja tha se të paktën 136 njerëz, përfshirë 13 fëmijë, janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit, megjithëse numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë. Ministria e Brendshme e Ukrainës raportoi shifra më të larta të dielën, duke thënë se 352 civilë kishin vdekur dhe 1,684 ishin plagosur që nga pushtimi rus.
Çfarë tha Zelensky: Në një intervistë ekskluzive me CNN dhe Reuters nga një bunker, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Presidentit Biden të jepte një mesazh të fortë në lidhje me pushtimin rus gjatë fjalimit të tij. I pyetur nëse mendon se Ukraina po humbiste kohën duke biseduar me Rusinë, ai tha: “Do të shohim”. Më parë, Zelensky u bëri një lutje udhëheqësve evropianë të martën për t’i dhënë Ukrainës anëtarësimin e menjëhershëm në BE.
Top Channel
[ad_2]
Source link