[ad_1]
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka mbërritur në ditën e gjashtë të saj, duke kapërcyer tashmë në një fazë të re. Ushtria ruse ka intensifikuar bombardimet në Kharkiv dhe qytete të tjera. Një autokolonë ushtarake ruse prej 60 kilometrash ka mbërritur aktualisht në portat e kryeqytetit ukrainas.
20:09 Zelensky dhe Biden flasin në telefon
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar sot një bisedë telefonike 30-minutëshe me presidentin amerikan Joe Biden.Zelensky shkroi në Twitter se ata diskutuan sanksionet anti-ruse dhe mbështetjen e mbrojtjes për Ukrainën.“Ne duhet ta ndalojmë agresorin sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai.
19:27 Godina të shkatërruara si copa kartoni, pamjet e bombardimit të Kharkivit (Fotot)
Nëntë civilë, mes tyre tre fëmijë kanë mbetur të vrarë në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, këtë të hënë. Forcat ruse bombarduan me raketa një zonë banimi në Kharkiv duke shkaktuar viktima dhe plagosur 37 të tjerë. Shumica prej godinave janë shkatërruar si të ishin copa kartoni dhe jo të ndërtuara prej hekuri e betoni. Makinat janë shtypur nga bombardimet ruse, ndërsa muret kanë rënë në tokë.
19:07 HARTA/ Sa ka përparuar ushtria ruse në Ukrainë?
Sulmi rus sa vjen bëhet edhe më i ashpër në territorin e Ukrainës. “Përparimi rus në Kiev mbetet aty ku ishte dje. Rusët jo vetëm po përballen me probleme të karburantit dhe mirëmbajtjes, por po tregojnë shenja se po u mbarojnë ushqimet”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes, sipas CNN. Zyrtari përmendi një numër arsyesh të mundshme për ngecjen e sulmit rus, duke përfshirë edhe rezistencën ukrainase.
17:57 Zyrtari amerikan: Rusia po ngec, nuk kanë as ushqim
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se lëvizja ushtarake e Rusisë në Kiev ka ngecur pasi forcat e saj po përballen me sfida logjistike, madje nuk kanë as ushqim në disa njësi. Reuters, duke iu referuar atij, thotë se ushtria ruse nuk ka përparuar shumë në krahasim me ditën e djeshme. Ai ka shtuar se shumë ushtarë janë të rinj dhe nuk kanë provuar luftë më parë, e madje disa prej tyre nuk e dinin se do të ishin në luftim me Ukrainën.
17:41 Zyrtari amerikan: Rusia lëshoi 400 raketa drejt Ukrainës
Zyrtari i lartë i mbrojtjes amerikane tha këtë të martë se drejt Ukrainës janë lëshuar më shumë se 400 raketa ruse. Sipas zyrtarit, ukrainasit kanë ende sisteme të mbrojtjes raketore ajrore që mbeten të qëndrueshme dhe të paprekura. “Ndërsa Rusia ende nuk ka arritur epërsi ajrore, ka zona ku ata kanë më shumë kontroll se të tjerët“, shtoi zyrtari amerikan për CNN.
17:27 Rusia po përgatitet të justifikojë ndërhyrjen e trupave bjelloruse në Ukrainë
Agjencia Qendrore e Inteligjencës së Ukrainës këtë të martë deklaroi se Rusia po përgatit një provokim, për të justifikuar futjen e trupave bjelloruse në luftë. Inteligjenca ukrainase njofton se aktualisht ndodhen rreth 300 tanke bjelloruse pranë kufirit bjelloruso-ukrainas. Kolona nuk e ka kaluar ende kufirin dhe është duke pritur afërsisht 30 kilometër nga Kufiri Shtetëror i Ukrainës.
E gjithë bota është tronditur nga pushtimi rus në Ukrainë, ndërsa qindra mijëra ukrainas kanë lënë vendin e tyre për t’u shpëtuar bombardimeve. Në fotot e publikuara nga Reuters imazhet dramatike kanë prekur të gjithë qytetarët anembanë.
16:52 SHBA kërkon largimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka hedhur idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Gjatë fjalës së tij para Këshillit, Blinken deklaroi të martën se Rusia nuk duhet të qëndrojë në organizatë, pasi po kryen abuzime të tmerrshme ndaj Ukrainës, duke shkaktuar vuajtje masive në popull.
16:37 Oficeri rus shkëmbehet me pesë ushtarë ukrainas
Rajoni verilindor i Ukrainës, Sumy, shkëmbeu një oficer rus të marrë peng, me pesë ushtarë të Ukrainës. Lajmin e dha guvernatori Dmytro Zhyvytskyy në mediat sociale, i cili postoi videon e oficerit bjond në pranga, i veshur me një xhaketë të gjelbër. Oficeri i marrë peng nga ukrainasit kishte lindur në vitin 1997 në qytetin rus të Omsk.
16:23 Kiev-Bombardohet kulla e transmetimeve televizive
Një avion rus ka bombarduar pak momente më parë kullën ikonike të Kievit që shërbente për transmetimet televizive. Ky moment është kapur nga një kamera amatore. Shkatërrimi i kësaj kulle i heq mundësinë transmetimit të disa kanaleve televizive ukrainase. Synimi për ta shkatërruar atë është ndalimi i mesazheve të qeverisë për tek qytetarët.
15:59 Von der Leyen: Për herë të parë po përdorim buxhetin për pajisje ushtarake
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbajti një fjalim në Parlamentin Europian këtë të hënë, ku shprehu angazhimin e bllokut për të ndaluar pushtimin e Putinit në Ukrainë. Von der Leyen njoftoi se për herë të parë, BE po përdor buxhetin europian për të blerë dhe shpërndarë pajisje ushtarake në një vend që është nën sulm, teksa premtoi 500 milion € shtesë për ndihmë humanitare.
15:43 Britania dërgon ndihma mjekësore në Ukrainë
Britania e Madhe ka dërguar dhjetëra mijëra sende mjekësore në ndihmë të Ukrainës, e cila po përballet nga sulme të vazhdueshme ruse. Sekretari i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar, Sajid Javid tha se 50,000 artikuj u dërguan të dielën mbrëma dhe një furnizim i dytë me pajisje mbrojtëse u nis mëngjesin e sotëm. Ai shtoi se pritet të dërgohen ndihma të tjera në vazhdim, duke i qëndruar afër popullit ukrainas.
15:22 Pasaporta ukrainase i shpëton jetën adoleshentit
Pasaporta ukrainase i ka shpëtuar jetën një adoleshenti, i cili ra pre e sulmit rus në Mariupol. Në foton e ndarë nga ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës, shihet sesi dokumenti i ka shpëtuar jetën atij.
15:04 Rusia paralajmëron banorët e Kievit: Largohuni nga shtëpitë, do të godasim objektivat
Ministria ruse e Mbrojtjes ka paralajmëruar banorët në Kiev që të lënë shtëpitë e tyre, pasi po planifikon të godasë objektivat në kryeqytetin ukrainas. Në një deklaratë të lëshuar pasditen e kësaj të marte, ministria e Mbrojtjes tha se forcat e tyre po përgatiten të ndërmarrin sulme të forta kundër Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe Qendrës së 72-të për Informacionin dhe Operacionet Psikologjike (PSO), në Kiev.
14:54 Gjermania dhe Luksemburgu shprehin mbështetje për Ukrainën
Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Luksemburgut shprehën mbështetjen e tyre për popullin e Ukrainës këtë të martë, gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin. Kancelari gjerman, Olaf Scholz i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që të ndalojë menjëherë të gjitha operacionet luftarake, të tërheqë të gjitha trupat ruse dhe të kthehet në dialog.
14:42 Kryebashkiaku i Kievit: Armiku ka mbërritur në periferi të kryeqytetit ukrainas
Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko të martën përmes një video-mesazhi deklaroi se “armiku është në periferi të kryeqytetit”, duke shtuar më tej se ushtria ukrainase është e përgatitur të mbrojë Kievin. “Forcat tona të armatosura, Forcat për Mbrojtjen Territoriale, po luftojnë historikisht për vendin tonë”, tha Klitschko. Ai tregoi se në hyrje të qytetit janë ndërtuar fortifikime të shumta dhe postblloqe.
14:36 Kharkiv: 10 të vrarë dhe 35 të plagosur nga sulmi me raketa
Të paktën 10 persona u vranë dhe 35 u plagosën në sulmet me raketa nga forcat ruse në qendër të Kharkiv këtë të martë. Lajmin e dha këshilltari i ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Anton Herashchenko, i cili tha se sulmet vranë dhe plagosën dhjetëra persona në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit me 1.5 milion banorë.
14:25 Zelensky kërkon solidaritet nga BE: Mos na lini të shkojmë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm në Parlamentin Evropian përmes lidhjes direkte me video. I ulur para flamurit të vendit të tij, ai tha se dita e sotme do të ishte e fundit për disa nga qytetarët e tij që po mbronin vendin. Ai tha se Ukraina po paguan një çmim të lartë për idealet europiane, teksa iu kërkoi liderëve që të “dëshmojnë” solidaritetin e tyre me vendin e tij, vetëm një ditë pasi nënshkroi një kërkesë zyrtare për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
13:59 Ministri ukrainas: Rusia po planifikon fushatë dezinformimi për dorëzimin e Ukrainës
Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov ka deklaruar se Rusia po përpiqet të përhapë lajme të rreme për dorëzimin e Ukrainës. Në një deklaratë për mediat, ai tha se Rusia po përgatit një fushatë masive dezinformimi për të treguar se figura të larta ushtarake dhe politike ukrainase janë dorëzuar.
13:56 Michel: Rusia duhet ta ndalojë luftën, po kryen terrorizëm
Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, nga seanca e Parlamentit Evropian, i ka bërë thirrje Rusisë që të tërhiqet, të shkojë në shtëpi. Duke theksuar se lufta ka prekur tokën evropiane, ai tha se Rusia jo vetëm që ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe demokracinë, por ajo po kryen terrorizëm.
13:39 Fëmijët largohen nga terrori dhe mbërrijnë në Poloni
Dhjetëra fëmijë të vegjël janë fotografuar teksa mbërritën në Mosczany, Poloni, të martën pasi u larguan nga shtëpitë e tyre mes luftës në Ukrainë. Deri më tani, rreth 350.000 refugjatë ukrainas kanë mbërritur vetëm në Poloni, mes tyre shumë fëmijë. Polonia ka rënë dakord të pranojë të gjithë ata që mbërrijnë në kufi, ndërsa është rritur radha në kufi me refugjatët që kanë vendosur të largohen nga terrori i luftës për të shpëtuar jetën.
13: 30 Raundi i dytë i bisedimeve për paqen, caktohet data e mundshme se kur do takohen delegacionet
Delegacionet ruse dhe ukrainase të mërkurën me shumë gjasa pritet të zhvillojnë raundin e dytë të bisedimeve, me synimin për të ndërmjetësuar paqen, në mes të konfliktit. Lajmi është publikuar nga Ria Novosti. Një ditë më parë, anëtarët e të dy palëve u kthyen në kryeqytetet e tyre për konsultime pas 5 orësh bisedimesh në Bjellorusi.
13:26 Deputetët e Parlamentit Europian emocionohen nga fjalimi i Zelenksyt, përkthyesi përlotet
Seanca e jashtëzakonshme e Parlamentin Europian ka nisur me një moment emocionues, kur në sallë u shfaq një video mesazh nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Presidenti që ndodhet në Kiev, por adresa e saktë nuk u bë e ditur, tha para eurodeputetëve se Ukraina po jep njerëzit më të mirë për të qenë vend i lirë dhe i barabartë me të tjerët.
13:22 Ministri i Jashtëm rus po mbante fjalimin, diplomatët e injorojnë dhe largohen
Ambasadorët dhe diplomatët nga Europa u larguan gjatë një fjalimi me video të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, në Konferencën e OKB-së për Çarmatimin në Gjenevë këtë të martë. Një video e postuar nga delegacioni francez tregonte dhjetëra zyrtarë që largoheshin nga dhoma, ndërsa Lavrov e nisi fjalimin e tij përmes lidhjes video.
13:11 Nis seanca e jashtëzakonshme e PE-së, Metsola: Kandidatura e Ukrainës do të shqyrtohet
Ka nisur seanca e Jashtëzakonshme e Parlamentit Evropian për krizën në Ukrainë. Ka qenë presidentja e këtij institucioni, Roberta Metsola, e cila e ka nisur seancën duke falënderuar të gjithë popullin e Ukrainës për qëndresën. Ajo njoftoi se, “kandidatura e Ukrainës për BE do të shqyrtohet, ne do të punojmë për të arritur këtë qëllim”.
13:00 OKB: Të paktën 536 viktima në Ukrainë, mes tyre 13 fëmijë
Të paktën 536 persona kanë mbetur të varë në Ukrainë, sipas raportimit të Kombeve të Bashkuara.Mes viktimave janë 13 fëmijë dhe 136 civilë, ndërsa kanë mbetur të plagosur edhe 400 persona të tjerë. “Numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë,” tha Liz Throssell, një zëdhënëse për zyrën e OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR), në një konferencë, duke shtuar se 253 nga viktimat ishin në rajonet Donetsk dhe Lugansk në Ukrainën lindore.
12:54 Erdogan “bind” Lukashenkon: Bjellorusia nuk hyn në luftë në Ukrainë
Lideri bjellorus, Alexander Lukashenko deklaroi se forcat e vendit të tij nuk do t’iu bashkohen trupave ruse në pushtimin e Ukrainës, duke dhënë një rreze shprese se konflikti nuk do të zgjerohet. Lukashenko, aleat i ngushtë i presidentit Vladimir Putin, e bëri të qartë se “ushtria bjelloruse nuk po merr pjesë dhe as nuk do t`i bashkohet ndonjë aksioni ushtarak”.
12:51 Vdes 6-vjeçarja nga shpërthimet e rusëve në Ukrainë, mjeku tregojani këtë Putinit
Një 6-vjeçare mbërriti e plagosur në një spital në Mariupol të dielën. Nëna e saj qëndroi jashtë ambulancës ndërsa i ati u fut brenda duke i qëndruar pranë ndërsa ishte i mbuluar me gjak. Familja ishte në një supermarket në juglindje të qytetit kur nisën predhat ruse, raporton Associated Press. Një ekip mjekësor shkoi me urgjencë për të shpëtuar jetën e vajzës së vogël.
12: 36 Zelensky: Akte terroriste të Rusisë, po bën krime lufte në Ukrainë
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i cilësoi sulmet në qytetin lindor të Kharkiv si akte terroriste që Rusia po kryen në Ukraiën. Përmes një video mesazhi, Zelensky tha se Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë dhe ka ndërmarrë një shkatërrim të vetëdijshëm të njerëzve. Presidenti ukrainas shtoi se beteja me armatime, bomba dhe raketa duhet të ndalet menjëherë. “Ne duhet të të tregojmë se njerëzimi është i aftë të mbrojë veten”, tha ai.
12:31 Presidenti i Lituanisë: Nëse Ukraina bie në duart e Putin, ne jemi të radhës
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda paralajmëroi se asnjë vend në Evropë nuk duhet të ndihet i sigurtë kur bëhet fjalë për presidentin Putin. Nauseda tha për CNN se nëse nuk e mbështesim Ukrainën, ajo do të bjerë në duart e Putin, ne mund të jemi të radhës.
12:30 Johnson: Jam më i bindur se kurrë se Putini do të dështojë!
Kryeministri britanik Boris Johnson, mbajti këtë të martë një takim së bashku me homologun polak Mateusz Morawiecki në Varshavë, lidhur me zhvillimet e fundit në luftën Rusi-Ukrainë. Gjatë takimit, Johnson tha se tragjedia e parashikuar ndodhi dhe po shohim një fatkeqësi në kontinentin europian. Ai shtoi se Putini ka nënvlerësuar dëshirën ë Ukrainasve për të mbrojtur vendin e tyre dhe për këtë është i bindur se ai do të dështojë.
12:17 NATO thirrje Rusisë: Tërhiq forcat nga Ukraina, ne nuk përfshihemi
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë që t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të tërheqë të gjitha forcat e saj. Gjatë takimit që pati ditën e sotme me presidentin polak Andrzej Duda, Stoltenberg tha se aleanca nuk do të dërgojë trupa apo avionë luftarakë për të mbështetur Kievin pasi nuk dëshiron të bëhet pjesë e konfliktit
12:09 Johnson: Putin po përdor taktika barbare kundër popullsisë civile
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson këtë të martë mbajti një konferencë në Varshavë me kryeministrin polak, Mateusz Morawiecki. Johnson theksoi se Putin është i përgatitur të përdorë taktika barbare dhe pa dallim kundër civilëve të pafajshëm për të bombarduar banesa dhe për të lëshuar raketa nëpër blloqe pallatesh.
11:54 Moska “i shpall luftë” Turqisë
Vendimi i Turqisë për të bllokuar disa luftanije ruse që të kalojnë nëpër ujërat e saj në Detin e Zi në kohën kur kriza e Ukrainës ka mbërritur pikën e saj kulmore, ka egërsuar Rusinë. Edhe pse një lëvizje e tillë mund të ndihmojë në riparimin e marrëdhënieve të saj me NATO-n, Ankaraja tani rrezikon hakmarrjen e Moskës.
11:51 Kremlini: Sanksionet e perëndimit nuk e ndryshojnë dot Rusinë
Kremlini tha këtë të martë se sanksionet perëndimore nuk do ta bëjnë kurrë Rusinë të ndryshojë pozicionin e saj ndaj Ukrainës. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se pavarësisht negociatave të drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit, nuk ka plane për bisedime midis presidentëve të dy vendeve. Sipas Reuters, Peskov hodhi poshtë akuzat për sulme ruse ndaj objektivave civile dhe përdorimin e bombave thërrmuese dhe bombave vakum .
11: 47 BE “shkul” Ukrainën nga rrjeti energjetik rus
Konflikti në Ukrainë ka përshpejtuar vendimmarrjen me hapa marramendës në Bruksel. Vendime që normalisht kërkonin muaj të tërë për tu miratuar, tani po marrin dritën jeshile brenda disa orësh. “Nuk kemi kohë për procedura burokratike në luftë”, deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Ministrat e Energjisë së bllokut vendosën papritur në një takim të shpejtë emergjence në Bruksel që ta përfshijnë Ukrainën në Rrjetin Europian të Energjisë Elektrike.
11:42 PE kufizime në gjithë BE-në për importet e naftës dhe gazit rus
Parlamenti Evropian do të kërkojë kufizime për vendet BE-së për importet e naftës dhe gazit rus në bllok, pasi kërkon sanksione edhe më të ashpra që synojnë ‘dobësimin strategjik’ të ekonomisë së Rusisë dhe aftësisë për të zhvilluar luftë. Kërkesa do të votohet pas një fjalimi drejtuar eurodeputetëve nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, i cili pritet t’i drejtohet asamblesë në Bruksel përmes lidhjes direkte.
11:30 Grupet e shpëtimit kërkojnë nën rrënoja pas shpërthimeve në Kharkiv
Grupet e shpëtimit në qytetin e Kharkiv kanë deklaruar se të paktën 20 persona janë plagosur gjatë bombardimeve të zyrës së administratës shtetërore atje. Në një video të postuar në Facebook, një punonjës i emergjencave jashtë ndërtesës së dëmtuar rëndë thotë se ajo është shkatërruar pjesërisht dhe shton se një shkallë e një ndërtese aty pranë është shembur, duke bllokuar njerëzit poshtë saj.
11:23 “Ngrin” Kievi! Temperaturat minus dhe dëbora shtojnë problemet e qytetarëve që lanë pas shtëpitë
Në çdo rrethanë tjetër, do të ishte një pamje e bukur, ku bora e bardhë mbulon çatitë e Kievit të vjetër. Në kryeqytetin Ukrainas, bora dhe temperaturat minus po shtojnë shqetësimet e banorëve, të cilët kanë lënë pas shtëpitë e tyre. Mijëra njerëz janë strehuar në bodrume të pa ngrohura, parkingje nëntokësore dhe stacione metroje në të gjithë qytetin.
11:22 YouTube do të bllokojë kanalet e lidhura me RT dhe Sputnik në të gjithë Europën
YouTube do të bllokojë në të gjithë Europën kanalet e lidhura me mediat ruse, Russia Today dhe Sputnik. Këtë e ka bërë të ditur Google me anë të një postimi në Twitter duke thënë se po monitorohet situata për të ndërmarrë veprime të shpejta për pamjet e luftës në Ukrainë.
11:14 Forcat separatiste synojnë të rrethojnë Mariupolin
Në ditën e gjashtë të luftës së Rusisë në Ukainë, forcat separtiste kanë vënë në “shenjestër” të rrethojnë Mariupolin. Një udhëheqës separatist i mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore tha se forcat e tij synonin të rrethonin portin ukrainas të Mariupol këtë të martë, sipas agjensisë së lajmeve RIA. “Detyra për sot është të rrethojmë drejtpërdrejt Mariupolin,” tha lideri separatist i Donetsk Denis Pushilin.
09:45 Lukashenko: Bjellorusia nuk ka plane t’i bashkohet Rusisë në pushtimin e Ukrainës
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko është shprehur se vendi i tij nuk ka plane t’i bashkohet operacionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Sipas agjencisë së lajmeve Beta, Lukashenko mohoi pretendimet e Kievit se trupat ruse po sulmonin Ukrainën nga territori i Bjellorusisë. Mediat botërore kanë raportuar se Bjellorusia, e cila ka vepruar si trampolinë për trupat ruse, po përgatitet të dërgojë ushtarët e saj në Ukrainë për të ndihmuar në pushtimin rus.
09:30 Anonymous publikon 40 mijë dokumente të Institutit të Sigurisë Bërthamore të Moskës
Sulmet kibernetike fillimisht shënjëstruan faqen zyrtare të Kremlinit, më pas atë të Dumës dhe duke filluar me radhë me faqet e gjigantëve të energjisë. Megjithatë, ditët e fundit, hackerat e Anonymous kanë vendosur t’i rrisin standardet. Ata i kanë shpallur luftë të gjithanshme Putinit, duke mos kursyer as të dhënat e tij personale.
09:20 Zelensky: Sulmi në Kharkiv është krim lufte
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky të hënën në darkë i përshkruajti bombardimet në Kharkiv si krim lufte. Nëntë persona, duke përfshirë tre fëmijë, u vranë pasi bombat thërrmuese të dyshuara ruse shënjëstruan ndërtesa banimi në qytetin e dytë të Ukrainës. Në deklaratat e tij përpara se të ndodhte sulmi në qendër të qytetit të Kharkivit, Zelensky tha se kishte dëshmitarë okularë dhe civilë që ishin shënjëstruar qëllimisht.
09:10 Bilanci i humbjeve të forcave ruse në Ukrainë
5710 trupa, është bilanci i humbjeve të Rusisë në ditën e gjashtë të sulmit në Ukrainë. Lajmi është konfirmuar këtë të martë nga Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës përmes një njoftimi zyrtar. Po nga i njëjti burim, mësohet se në luftën ndaj Ukrainës, Rusia ka humbur 29 avionë, 29 helikopterë, 198 tanke, 77 artileri, 846 makina të blinduara, 24 makina me sistem lëshimi rakete, 2 anije, 305 makina, 60 tanke, 3 mjete ajrore, 7 makina të tjera.
09:00 Ministri i jashtëm i Ukrainës: Putin nuk do ta shkatërrojë Ukrainën
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba ka bërë një postim në Twitter ku tregon se lagjet e banuara në Kharkiv janë sulmuar me raketa ruse. Por thekson se presidenti rus nuk do ta shkatërrojë dot Ukrainën, pavarësisht se po sulmon zonat e banuara. “Sulme barbare me raketa ruse në Sheshin qendror të Lirisë dhe lagjet e banuara të Kharkiv. Putini nuk është në gjendje të shkatërrojë Ukrainën, ai kryen më shumë krime lufte nga zemërimi, vret civilë të pafajshëm”, shkroi Kuleba.
Çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit:
-Të paktën 70 ushtarë u vranë në një sulm të artilerisë ruse, kanë konfirmuar zyrtarët ukrainas. Punonjësit e urgjencës po përpiqen të gjejnë të mbijetuar.
-Qendra rajonale e Khersonit është e rrethuar nga trupat ruse.
-Ushtria ruse po vazhdon vazhdimisht avancimin e saj në Kiev, me imazhet satelitore që tregojnë një rresht me makina të blinduara rreth 65 km të gjatë.
-Dhjetra civilë u vranë më herët të hënën në sulmet me raketa ruse në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.
-Qeveria e Ukrainës ka thënë se planifikon të shesë bono lufte për të paguar forcat e saj të armatosura.
Top Channel
[ad_2]
Source link