[ad_1]
Lufta ka arritur në rrugët e kryeqytetit të Ukrainës të shtunën pasi ushtria e vendit u përpoq të ndalonte përparimin e forcave ruse në vende të ndryshme.
-
Presidenti ukrainas Zelensky ka refuzuar ofertën e SHBA-së për t’u larguar nga vendi, duke ftuar qytetarët ukrainas “të mos i dorëzojnë armët”. Ai i tha SHBA-së se “lufta është në Ukrainë”, duke i kërkuar armë dhe municione dhe jo një taksi për t’u larguar nga vendi.
-
Në ditën e dytë të luftës, rusët intensifikuan sulmin e tyre përgjatë vijave strategjike, duke nisur edhe me zbarkimin e trupave ushtarake nga ajri. Rezistenca ukrainase, sipas informacioneve të publikuara nga Britania, arriti të ngadalësojë ndjeshëm përparimin rus dhe sipas tyre Moska nuk arriti dot objektivat kryesore që kishte vendosur t’i realizonte.
-
Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk arriti të miratojë një rezolutë që dënon Rusinë, pasi Moska vendosi veton, ndërsa Kina ka abstenuar duke mos u rreshtuar në krah të Putinit. Kurse Moska ka njoftuar se operacioni ushtarak “së shpejti do të arrijë objektivat e përcaktuara”.
-
Sa i përket sanksioneve, Italia dhe Qiproja kanë mbështetur përjashtimin e Rusisë nga sistemi SWIFT.
-
Vendet perëndimore, duke filluar nga Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, miratuan një paketë sanksionesh “shumë të ashpëra” kundër Rusisë.
Putin dërgon përforcime në front
Pavarësisht njoftimeve për armëpushim dhe gatishmëri për dialog, Moska ende ka vazhduar të dërgojë ushtarë përgjatë linjave kryesore të sulmit në Ukrainë. Putin ka mobilizuar një pjesë të madhe të rezervës ushtarake.
Lavrov i përgjigjet Turqisë: Jemi në dispozicion për dialog
“Rusia është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha forcat konstruktive për zgjidhjen më të shpejtë dhe më të qëndrueshme të çështjes së Ukrainës, në interes të paqes dhe stabilitetit”. Kështu është shprehur kreu i diplomacisë ruse gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me ministrin e Jashtëm turk.
Hackerat sulmojnë faqen e internetit të Kremlinit
Faqja e internetit e Kremlinit është e paarritshme. Në orët e fundit, sulmet e hackerave ndaj transmetuesve, mediave sociale ruse, por edhe agjencive qeveritare janë shumëfishuar. Agjencia e lajmeve Tass ka raportuar se një pjesë e këtyre sulmeve realizohen nga qyteti ukrainas Lviv.
Erdogan propozon vetveten si ndërmjetës për krizën
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka propozuar vetveten si ndërmjetës për krizën ukrainase. Televizioni turk ka njoftuar se Erdogan e ka ftuar Vladimir Putinin në Ankara me qëllimin për të gjetur një zgjidhje diplomatike.
Numri i refugjatëve shkon në 150,000
Numri i qytetarëve që tashmë janë larguar nga Ukraina për t’i shpëtuar luftës ka shkuar në 150.000. Lajmi u bë me dije nga komisioneri i lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi në Gjenevë.
“Më shumë se 150 mijë refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin në vendet fqinje, gjysma e tyre ka shkuar në Poloni dhe një pjesë e madhe në Hungari, Moldavi, Rumani dhe vende të tjera. Numri i qytetarëve që largohet nga vendi është gjithmonë në rritje, por për shkak të luftimeve nuk dihet numri i saktë i qytetarëve që largohen nga vendi”, shkruajti Grandi në Twitter.
Presidenti i Polonisë thirrje BE-së: Të përshpejtohet anëtarësimi i Ukrainës në BE
Presidenti polak, Andrzej Duda, ka bërë thirrje për të përshpejtuar pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në median sociale Twitter, të shtunën e 26 shkurtit.
“Statusi i kandidatit duhet të jepet menjëherë dhe negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë menjëherë pas kësaj që po ndodh. Ukraina duhet gjithashtu të ketë akses në fondet e rimëkëmbjes së BE-së” tha Duda.
Frika se po mbarohen rezervat ushqimore, krijon radhë “kilometrike” në supermarkete
Lufta në Ukrainë ka nxitur me dhjetëra qytetarë të vërshojnë në markete për të grumbulluar rezerva ushqimore. Nga pamjet e publikuara në rrjetin social Telegram, radhët e qytetarëve para një supermarketi në Kahrkov duken kilometrike.
Tanket ruse futen në Kiev, por ukrainasit u dalin para
Rusia dhe Ukraina janë në ditën e tretë të luftës dhe përgjatë këtyre orëve luftimet po zhvillohen në kryeqytetin e vendit, Kiev. Videot e transmetuara nga qytetarët ukrainas në rrjetet e tyre sociale tregojnë pamje vërtetë trishtuese, ku në shumë prej tyre dallohen qytetarë të ndryshëm ukrainas të cilët u dalin para tankeve ruse, duke hedhur edhe materiale të ndryshme poshtë tyre.
Mediat ndërkombëtare raportuan më herët se Rusia po pëson humbje në tanke dhe blinda për shkak të raketave anti-tank që Perëndimi furnizoi Ukrainën disa javë më parë.
Të tilla janë NLAW britanike dhe “Javelin” të SHBA-ve.
Të dyja ato kanë një teknikë që e godadin tankun nga lart, ku është edhe pjesa më pak e blinduar e tij duke shkaktuar shkatërrim të menjëhershëm.
Për shkak të tyre, rusët kanë vendosur sisteme ekstra mbrojtjeje mbi tanke me qëllim që raketa të shpërthejë pa prekur shasinë kryesore.
NLAW është një sistem më i ri se “Javelin” dhe përdoret aktualisht edhe nga Finlanda dhe Suedia krahas Britanisë së Madhe.
150 helikopterë janë vendosur në Bjellorusi pranë kufirit me Ukrainën
150 helikopterë transporti dhe qindra trupa ushtarake tokësore janë vendosur në Bjellorusi, rreth 32 km larg kufirit me Ukrainën.
Lajmi është raportuar nga “Reuters”, e cila publikoi disa pamje satelitore të kompanisë Maxar Technologies.
Referuar pamjeve të publikuara tregohet se mbi 90 helikopterë ishin vendosur pranë qytetit bjellorus Chojniki, me një shtrirje prej 8 km. Imazhet zbuluan gjithashtu një prani të madhe të trupave ushtarake, qindra automjete të vendosura në rresht në disa fusha.
Megjithatë, “Reuters” sqaron se pamjet e publikuara nga kompania Maxar Technologies, e cila për javë të tëra ka gjurmuar grumbullimin e forcave ruse, nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Kievi ndryshon orën e shtetrrethimit
Në Kiev, ora e shtetrrethimit ka ndryshuar, Duke filluar nga 26 shkurti, ora e shtetrrethimit do të fillojë nga ora 17:00 deri në 08:00.
Këtë e ka bërë të ditur kryebashkiaku i kryeqytetit, Vitali Klitschko.
Ai sqaroi se një orë e tillë shtetrrethimi është futur deri në mëngjesin e 28 shkurtit.
“Të gjithë civilët që do të jenë në rrugë gjatë orës policore do të konsiderohen anëtarë të grupeve të diversantit dhe zbulimit të armikut. Ju lutemi trajtoni situatën me mirëkuptim dhe mos dilni në rrugë”, thuhet në mesazh.
Më herët u bë e ditur se lëvizja e trenave në metro u ndalua në Kiev.
Zelensky falënderon presidentin e Zvicrës dhe kryeministrin e Greqisë për mbështetjen
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se po merr shumë telefonata mbështetjeje.
“Kam kontaktuar me presidentin e Zvicrës, Ignazio Cassis, dhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, Faleminderit për mbështetjen konkrete ndaj Ukrainës”, shkruan ai në Twitter.
Klitschko: Nuk ka trupa ruse në Kiev
Nuk ka trupa ruse në kryeqytet. Por grupet e sabotazhit veprojnë në Kiev, ndaj duhet të jeni vigjilentë dhe të qëndroni në strehimore.
Kjo ishte deklarata e kryetarit të bashkisë së Kiev-it, Vitaly Klitschko gjatë fjalimit të tij.
“Ne duhet të mbijetojmë, ushtria, mbrojtja, vullnetarët dhe drejtësia janë me ne”, tha kreu i “UDAR”.
Sipas tij, nata ishte e vështirë, por nuk ka trupa ruse në kryeqytet.
Ish-boksieri theksoi se “armiku” po përpiqet të depërtojë në qytet.
“Tani, për fat të keq, grupet e sabotimit po veprojnë në kryeqytet. Ka pasur disa përleshje, përleshje. Në orën gjashtë të mëngjesit janë plagosur 35 persona mes tyre dy fëmijë”, tha Klitschko.
Zelensky: Ju lutem bashkohuni me ne, do ju japim armë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se i kanë rezistuar sulmeve dhe i kanë zbrapsur me sukses forcat ruse.
Në video-mesazhin e tij të fundit të shtunën, Zelensky thotë: “Ne i kemi rezistuar dhe i kemi zmbrapsur me sukses sulmet e armikut. Luftimet vazhdojnë në qytete dhe rajone të ndryshme të vendit tonë.”
Ndër të tjera tha se Kievi dhe qytetet e tjera janë nën kontrollin e ushtrisë.
“Ne i kemi prishur planet. Ata nuk kanë asnjë avantazh ndaj nesh”, tha presidenti ukrainas.
Ai tha se Rusia kishte goditur zonat e banuara duke përdorur raketa, duke shtuar: “Shkatërrimi nga raketat dhe artileria e ndërtesave të banimit është argumenti përfundimtar që bota të jetë pranë nesh në ndalimin e pushtimit rus”.
Estonia mbyll hapësirën ajrore për rusët
Ministria e Çështjeve Ekonomike dhe Infrastrukturës ka njoftuar se Estonia ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët rusë.
Moska sulmon Zelenskyn: Ka ikur nga Kievi!
Moska ka sulmuar presidentin ukrainas, duke pretenduar se Volodymyr Zelensky është larguar nga Kievi ditën e djeshme me rrethin e tij të ngushtë dhe aktualisht ndodhet në Lviv. Moska thotë se të gjitha videot që Zelensky ka shpërndarë në rrjetet sociale gjatë orëve të fundit nga kryeqyteti i Ukrainës, janë regjistruar më parë.
“Zelensky është arratisur nga Kievi. Ai nuk ishte dje në kryeqytetin e ukrainës. Ai iku së bashku me bashkëpunëtorët e tij në Lviv, ku atij iu sigurua strehim”, shkroi Volodin këtë të shtunë në rrjetin e tij Telegram, duke shtuar se të gjitha videot e Zelenskyt nga Kievi të postuara në mediat sociale janë regjistruar më parë atje.
Lufta në Ukrainë/ Presidenti Zelensky: Koha për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në BE
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar me anë të një postimi në Twitter duke thënë se është “moment vendimtar” për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në BE.
“Është një moment vendimtar për të mbyllur një herë e përgjithmonë diskutimin e gjatë dhe për të vendosur për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Diskutuam me presidentin e BE për ndihmën e mëtejshme efektive dhe luftën heroike të ukrainasve për të ardhmen e tyre të lirë”, thuhet në një postim në Twitter-in e tij.
Ministri i Shëndetësisë: 198 ukrainas të vrarë, mes tyre tre fëmijë
Ministri i Shëndetësisë Viktor Lyashko ka bërë me dije se 198 ukrainas, mes të cilëve tre janë fëmijë, kanë vdekur si pasojë e përplasjeve me forcat ruse në Ukrainë.
Ndër të tjera bën me dije se janë plagosur 1115 persona, mes të cilëve janë 33 fëmijë.
Zelensky: Berlini dhe Budapesti të marrin guximin për të përjashtuar Rusinë nga Sëift
Presidenti Volodymyr Zelensky i kërkoi Berlinit dhe Budapestit që të marrin guximin për të përjashtuar Rusinë nga Sëift. “Ne i kemi shkatërruar planet e Rusisë”, shtoi ai, duke u kërkuar më tej qytetarëve rusë që të ushtrojnë presion mbi presidentin Putin me qëllimin për të ndaluar luftën.
Ukraina: Zelensky i prishi planet Moskës, Kievi nuk do drejtohet nga kukulla
“Pushtuesit kërkojnë të bllokojnë qendrën e shtetit tonë dhe të vendosin në krye të tij kukullat e tyre këtu, pikërisht ashtu siç kanë vepruar në Donetsk. Ne arritëm të shkatërronim planet e tyre”. Edhe Volodymyr Zelensky i mëshoi një ideje të tillë kur iu drejtua kombit të tij përmes një video-mesazhi në profilin e tij në Telegram.
Ish-Presidenti rus: Rusia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin
Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev është shprehur se Rusia mund të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin. Në një postim në mediat sociale, ai tha se tani ishte koha për të “bllokuar ambasadat” dhe se Moska do të vazhdojë fushatën e saj në Ukrainë. Ai tha se pezullimi i anëtarësimit të Rusisë në Këshillin e Evropës, mund të nënkuptojë se Rusia tani do të rivendosë dënimin me vdekje.
Efekti i parë i sanksioneve të vendosura, bllokohet anija ruse në Kanalin Anglez
Një anije tregtare që transportonte automjete për në Shën Petersburg, e cila dyshohet se i përkiste një kompanie ruse që është shënjestruar nga sanksionet e BE-së kundër Moskës u bllokua në Boulogne-sur-Mer. Prefektura detare tha për AFP se anija 127 metra u kap në doganën e Honfleur gjatë natës në orët e para të së shtunës.
Këshilltari i presidentit të Ukrainës: E kemi situatën nën kontroll
Forcat e Armatosura të Federatës Ruse nuk kanë fituar avantazh operativ dhe taktik gjatë 24 orëve të fundit, gjë që tregon se Ukraina po fiton.
Kështu deklaroi këshilltari i presidentit të Ukrainës Mikhail Podolyak.
“E kuptuam që sonte do të ishte e vështirë sepse Rusia duhej të përdorte të gjitha burimet dhe rezervat e saj për të na dhënë ndikim maksimal në qytetet tona. Unë do të them se kjo nuk ndodhi – Forcat e Armatosura të Ukrainës së bashku me Policinë Kombëtare të Ukrainës kontrollojnë plotësisht të gjithë situatën dhe territorin e shtetit tonë”, – njoftoi ai.
Lufta në Ukrainë, boshatisen marketet
Teksa vijojnë sulmet nga forcat ruse, autoritetet ukrainase i kanë bërë thirrje vazhdimisht qytetarëve që të mbyllen në shtëpi dhe të qëndrojnë në vendin më të sigurt që kanë brenda.
Kjo ka bërë që të furnizohen mirë me ushqime dhe të mos dalin jashtë për shkak të përplasjeve të ushtrisë ukrainase me forcat ruse.
Për këtë arsye duket se janë boshatisur edhe marketet. Shumë prej qytetarëve janë larguar nga Kievi të premten. Bazuar në të dhënat e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, më shumë se 50 mijë ukrainas janë larguar nga vendi në 48 orët e fundit. Pjesa më e madhe kanë shkuar në Poloni dhe Moldavi.
Franca ka nisur armë dhe pajisje për të ndihmuar Ukrainën për luftën me forcat ruse.
Presidenti Zelensky shkroi në Twitter se mëngjesin e së shtunës, kishte folur me presidentin e Francës pasi “filloi një ditë e re në vijën e frontit diplomatik”.
“Koalicioni kundër luftës po funksionon!”, shkroi Zelensky shkroi në Twitter.
Ndërsa presidenti Macron postoi një video të tij duke shkruajtur: “Lufta do të zgjasë – ne duhet të përgatitemi për të!”
Nga ana tjetër, Zelensky refuzoi ndihmën amerikane për evakuim, duke thënë se “lufta është këtu”.
Një pjesë e autostradës në Kiev përfshihet nga zjarri gjatë natës
Një pjesë e autostradës Prospekt Peremohy afër qendrës së Kievit u shndërrua në një zonë lufte mbrëmjen e kaluar.
Zjarret u ndezën përgjatë rrugës kryesore që kalon lindje-perëndim nga qendra e qytetit.
Pamjet u regjistruan pranë stacionit të metrosë Beresteiska të kryeqytetit, vetëm 4 km nga godina e Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës.
Nga ana tjetër, banorët kanë filmuar momentin kur në mes të errësirës duket një dritë e kuqe në një zonë të afërt që mund të jetë zjarr i shkaktuar nga forcat ruse, por mbetet ende e paqartë.
Ukraina bën bilancin e humbjeve të ushtrisë ruse: 3500 të vdekur
Ushtria ukrainase pretendon se ka më shumë se 3,500 ushtarë rusë të përfshirë në pushtim janë vrarë dhe pothuajse 200 janë burgosur. Ushtria ukrainase gjithashtu raporton se Rusia deri më tani ka humbur edhe 14 avionë, 8 helikopterë dhe 102 tanke.
Ukraina ka bërë bilancin e humbjeve të ushtrisë ruse:
-14 avionë
-8 helikopterë
-102 tanke
-536 makina të blinduara
-15 artileri
-1 BUK
-3500 të vdekur, rreth 200 të zënë robër
Pallati në Kiev u godit me dy raketa
Një pallat shumëkatësh është goditur me dy raketa në orët e para të mëngjesit në Kiev.
Ministria e Brendshme e Ukrainës ka publikuar pamjet teksa punonjësit e emergjencës bëjnë të mundur evakuimin e banorëve.
Në pamje duket se si disa apartamente janë shkatërruar plotësisht pasi mungojnë muret dhe dritaret duke bërë që të krijohet një gropë në ndërtesë.
Trotuari poshtë ndërtesës është i mbushur me mbeturina. Disa dritare në disa katet e poshtme duken të thyera.
Jemi në ditën e tretë të luftës dhe të rejat e fundit janë:
-Një ndërtesë banimi u godit nga një raketë në orët e para të mëngjesit të së shtunës teksa njerëzit ishin në gjumë. Në rrjete sociale kanë qarkulluar imazhe dhe video që tregojnë dëme të shumta në apartamente disa dhjetëra kate lart, me mure të shkëputura plotësisht. Ende nuk dihen shkaqet e goditjes dhe nëse ka njerëz të lënduar apo viktima.
-Mëngjesin e së shtunës, ministri i brendshëm i Ukrainës bëri një paralajmërim në Facebook duke thënë: “Lufta aktive do të jetë në rrugët e qytetit tonë.” Ai i kërkon qytetarëve që të ruajnë qetësinë, të qëndrojnë brenda në shtëpi, të mbulohen mirë dhe të futen në strehimin më të afërt sapo të dëgjojnë sirenat e sulmit ajror.
-Shpërthime në të gjithë kryeqytetin janë dëgjuar nga ora 02-04 të mëngjesit. Është hera e parë që raportohen shpërthime brenda Kievit, pas disa ditësh luftimesh të ashpra në periferi. Ushtria ukrainase ia atribuoi disa nga shpërthimet herët në mëngjes shkatërrimit të një tanku rus.
-Ukrainasit janë përgatitur për të mbrojtur kryeqytetin e tyre gjatë ditëve të fundit pasi zyrtarët i kanë dhënë armë ndërsa janë publikuar udhëzime se si të përgatisin kokteje molotovi. Madje disa anëtarë të parlamentit i thanë CNN se kanë marrë armët dhe kanë mësuar si të qëllojnë.
-Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është betuar për të mbrojtur vendin e tij në një video të filmuar mbrëmjen e së premtes teksa qëndronte në rrugët e Kievit me liderë të administratës së tij. “Ne jemi të gjithë këtu për të mbrojtur pavarësinë tonë”, tha ai.
-Majori i qytetit Vasilkiv, 35 km në jug të Kievit tha mëngjesin e së shtunës se luftimet e ashpra kishin sjellë humbje nga ana e Ukrainës.
-Shumë prej qytetarëve janë larguar nga Kievi të premten. Bazuar në të dhënat e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, më shumë se 50 mijë ukrainas janë larguar nga vendi në 48 orët e fundit. Pjesa më e madhe kanë shkuar në Poloni dhe Moldavi.
Top Channel
[ad_2]
Source link