[ad_1]
Dita e nëntë e luftës u hap me sulmin rus në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhisë i dyti më i madhi në Evropë, i cili siguron 25 për qind të energjisë elektrike të Ukrainës. Frika dhe paniku zgjati për orë të tëra për shkak të një zjarri masiv që më pas u shua. Nivelet e rrezatimit mbetën normale dhe objektet e rëndësishme nuk u cenuan. Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet nga të gjitha frontet dhe situata duket gjithnjë e më e rëndë në të gjitha qytetet në Ukrainë.
19:35 BE e gatshme të vendosë më shumë sanksione ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian është i gatshëm të vendosë më shumë sanksione kundër Rusisë nëse presidenti Vladimir Putin nuk e ndal luftën në Ukrainë, tha të premten presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
18:03 Erdogan dënon sulmin rus të termocentralit
Me anë të një statusi në Twitter, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njofton se ka diskutuar me homologun turk Recep Tayyip Erdogan, i cili e ka dënuar sulmin rus të termocentralit. “Ai u informua për agresionin e vazhdueshëm dhe terrorizmin bërthamor nga ana e Federatës Ruse. Ne duhet t’u japim një fund armiqësive”. Zelensky gjithashtu falënderoi shtetin turk për “mbështetjen e vazhdueshme”.
17:49 Raketa ruse “del huq”, nuk e shënjestron dot shtëpinë e Zelenskyt
Një raketë ruse e dyshuar e llojit “Ulamog” ka pasur në shënjestër shtëpinë e dytë të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por ajo nuk ka qenë e kalibruar siç duhet dhe s’ka arritur dot të godasë objektivin. Referuar një komenti nga vetë Zelensky, raketa “ka dalë huq”. Zëdhënësi i presidentit, Sergii Nykyforov, ka publikuar në faqen e tij të medias sociale Facebook dy fotografi, ku duken mbetjet e raketës.
17:17 Mariupoli pa ujë e ushqim, s’ka furnizime prej 5 ditësh
Qyteti i Mariupolit ndodhet në një emergjencë të vërtetë humanitare, pasi prej pesë ditësh është sulmin e forcave ruse dhe nuk ka ujë të pijshëm, energji elektrike, si dhe ushqimet po mbarojnë me ritme të frikshme. Kështu raporton agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, mbi qytetin lindor ukrainas, i cili është edhe një ndër pikat kyçe ku lufta mund të vendoset. Rrethimi i qytetit është bërë pesë ditë më parë nga Rusia dhe duket se ndalimi i kalimit të rezervave ushqimore ka qenë ndër lëvizjet e para të tyre.
17:03 Zyrtari i lartë i Mbrojtjes amerikane: Forcat ruse 25 kilometra larg qendrës së Kievit
Forcat ruse janë ende rreth 25 kilometra larg qendrës së Kievit, ndërsa forcat ruse mbeten 10 kilometra jashtë qendrave të Chernihiv dhe Kharkiv, sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes.
16:25 Putin: Raund të tretë bisedimesh me Ukrainën këtë fundjavë
Presidenti rus Vladimir Putin i tha kancelarit gjerman Olaf Scholz këtë të premte se një raund i tretë i bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës është planifikuar për këtë fundjavë. Raundi i dytë i bisedimeve të mbajtur të enjten nuk dha asnjë rezultat. Megjithatë, gjatë atij raundi të bisedimeve u ra dakord për korridoret humanitare për civilët.
16:08 Ursula von der Leyen: BE do të mbështesë Ukrainën me të gjitha mjetet që ka në dispozicion
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, siguron presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksy se BE-ja do vazhdojë të mbështesë Ukrainën “me të gjitha mjetet që ka në dispozicion”. Gjatë një bisede telefonike mes Presidentes së KE-së dhe Zelensky-t, lajm që e bëri të ditur, Ursula von der Leyen, në llogarinë e saj në Twitter, është diskutuar për situatën në terren në Ukrainë dhe për ndihmat humanitare.
15:53 Zyrtari i BE: Unioni e do Ukrainën shtet anëtar sa më parë!
Bashkimi Evropian dëshiron që Ukraina të bëhet një shtet anëtar sa më shpejt të jetë e mundur, u tha gazetarëve komisioneri Maros Sefcovic këtë të premte. Pas një takimi me ministrat, komisioneri tha se për momentin, blloku duhet të fokusohet në masat e shpejta për luftën në Ukrainë.
15:51 Ukraina deklaron viktima nga shpërthimi në termocentralin bërthamor
Ministria e Jashtme e Ukrainës ka raportuar për viktima dhe të plagosur si pasojë e zjarrit në centralin bërthamor, por pa deklaruar një numër të saktë. Punëtorët janë duke vëzhguar centralin bërthamor në Zaporizhja, për t’u siguruar se ai është duke punuar në mënyrë të sigurt dhe që nivelet e rrezatimit janë normale, ka thënë Ministria përmes një postimi në Facebook. Nëse procesi i ftohjes së naftës bërthamore çrregullohet, mund të ketë dëm radioaktiv të shkallës së gjerë.
15:19 Më shumë se 1.2 milionë persona janë larguar nga Ukraina
Kombet e Bashkuara kanë deklaruar më shumë se 1.2 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina drejt vendeve fqinje, që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë më datë 24 shkurt. Sipas UNICEF, agjencia e OKB-së për fëmijë, rreth gjysmë milion prej atyre që janë larguar janë të rinj. Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka parashikuar se më shumë se katër milionë refugjatë ukrainas mund të kenë nevojë përfundimisht për mbrojtje dhe ndihmë.
15:09 Ndëshkohen oligarkët e Putin/ Britania i vendos sanksione 13 miliarderëve rusë
Si Usmanov ashtu dhe Shuvalov janë figura të rëndësishme në konstalecionin e supër të pasurve që qarkullojnë në orbitën e presidentit rus Putin. I pari një miliarder mineralesh që ka investuar në futbollin anglez dhe i dytë ish zëvendës kryeministër, ku të dy në total me një pasuri prej 19 miliardë stërlinash kanë prona dhe biznese të shumta në Britani dhe Londër.
15:07 Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet pas sulmit në centralin bërthamor të Ukrainës
Trupat ruse kanë pushtuar termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, ku një zjarr që shpërtheu në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme ngjalli shumë frikë dhe panik. Ky do të jetë një takim i hapur me fjalime, duke përfshirë një zyrtar të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe një zyrtar të OKB-së. Kryeministri britanik Boris Johnson dhe sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar deklaruan se duhej të organizohej një takim urgjent pas këtij sulmi.
14:56 Google jep lajmin e rëndësishëm, pezullon të gjitha reklamat në Rusi
Google njofton këtë të premte se ka pezulluar të gjitha reklamat në Rusi. Sipas CNN, Google ka bërë me dije përmes një deklarate për shtyp tha: “Në dritën e rrethanave të jashtëzakonshme, ne po ndalojmë reklamat e Google në Rusi. Situata po evoluon shpejt dhe ne do të vazhdojmë të ndajmë përditësime kur është e nevojshme.” Me anë të këtij vendimi, Google bllokon të gjitha sipërfaqet e reklamave të Google në Rusi, duke përfshirë reklamat e ekranit të Google, YouTube dhe kërkimin. Më herët edhe Twitter ka bërë një deklaratë të ngjashme duke penguar reklamat në Rusi dhe Ukrainë.
14:43 Sulmet në Ukrainë, mbi 18,000 refugjatë mbërrijnë në Gjermani
Ministria e Brendshme e Gjermanisë bën me dije se më shumë se 18,000 njerëz kanë mbërritur në Gjermani nga Ukraina që prej pushtimit rus 8 ditë më parë. Maximilian Kall, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane tha në një konferencë për shtyp në Berlin se 18,436 refugjatë nga Ukraina kanë mbërritur në Gjermani. Ai shtoi se rreth 15,000 njerëz janë shtetas të Ukrainës dhe rreth 3,000 njerëz janë banorë jo-BE.
14:38 Stoltenberg: Pritet përkeqësim i situatës në Ukrainë
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka parashikuar në ditët në vijim, pritet një përkeqësim i situatës në Ukrainë. Pas takimit që pati me ministrat e NATO-s, sekretari përmendi edhe sulmin ndaj centralit bërthamor, duke thënë se ishte veprim i pamatur nga ana e Vladimir Putin.
14:23 Si po përgatitet Kievi për t’u përballur me pushtimin rus
Pushtimi rus i Ukrainës erdhi në ditën e nëntë. Pavarësisht dhjetëra sulmeve dhe dhunës në qytetet kryesore të vendit, kryeqyteti i Kiev-it po lufton kryesisht në periferi. Qendra e qytetit dhe ndërtesat kryesore të tij janë ende nën kontrollin e Ukrainës. Megjithatë, ekziston frika se një rrethim nga forcat ruse, mund të nisë në çdo moment. Si kryeqytet i Ukrainës, ndoshta do të jetë “vendi që vendos se kush e fiton luftën”.
14:21 Stoltenberg i bindur: Nuk do të përfshihemi në luftën e Rusisë, Putin do ta paguajë
Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ka deklaruar se organizata nuk do të përshihet në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë. Gjatë një deklarate për mediat pas takimit që pati me ministrat e tjerë të NATO-s, Stoltenberg theksoi edhe njëherë se do të vazhdojë ndihma financiare për Ukrainën, por nuk do të ketë ndërhyrje ushtarake.
13:29 Ambasada e SHBA: Është krim lufte të sulmosh një central bërthmor
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë ka thënë se sulmi ndaj centralit bërthamor përbën një krim lufte. Përmes një postimi në Twitter, ambasada reagoi duke thënë se bombardimi i centralit më të madh bërthamor në Europë, e çon sundimin e Putinit një hap më tej.
13:19 Ushtria ukrainase: Rusia ka humbur 9 mijë trupa, qindra tanke dhe 33 avionë
Ushtria ukrainase ka bërë bilancet e fundit të humbjeve të ushtrisë ruse, të cilat kanë marrë përmasa të mëdha. Në ditën e nëntë të luftimit, Ukraina thotë se rreth 9,166 trupa ruse janë vrarë në konflikt. Kjo shifër u konfirmua edhe më herët nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy. Ukraina thotë se humbjet e tjera ruse përfshijnë të paktën 251 tanke, 33 avionë, 37 helikopterë, 404 automjete dhe 105 sisteme artilerie.
13:18 Në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia po punohet nën kërcënimin e armëve
Grupi i punës në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia po punon nën kërcënimin e armëve. Lajmi është bërë me dije nga kompania drejtuese. Petro Kotin, kreu i gjeneratorit shtetëror të energjisë bërthamore Energoatom, ka thënë se forcat ruse “hynë në territorin e termocentralit bërthamor, morën kontrollin e personelit dhe menaxhimin e termocentralit”.
12:54 Putin paralajmëron vendet fqinje: Mos vendosni më kufizime
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka paralajmëruar vendet fqinje të Rusisë të mos e përshkallëzojnë më situatën, duke shtuar më shumë kufizimet ndaj vendit të tij. Sipas Reuters, Putini e bëri paralajmërimin gjatë mbledhjes së qeverisë ruse këtë të premte.
12:44 Raketa ruse shkatërron shkollën në veri të Ukrainës
Një shkollë në Zhytomyr, në Ukrainën veriore, u godit nga një raketë ruse mëngjesin e kësaj të premteje, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Raketa shkaktoi dëme të konsiderueshme dhe shembje të pjesshme të ndërtesës. Në një deklaratë, kryebashkiaku i Zhytomyr Sergei Sukhomlin konfirmoi sulmin duke thënë se sulmuesit rusë nuk ndalen para asgjëje.
12:13 Gjigandi rus i naftës bën thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë
Firma e dytë më e madhe ruse e naftës “Luloil” ka bërë thirrje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. “Bordi i Drejtorëve të LUKOIL shpreh shqetësimet e tij më të thella për ngjarjet tragjike në Ukrainë,” tha firma në një deklaratë. Lukoil ka shprehur solidaritet për të gjitha viktimat e luftës, duke theksuar se mbështet armëpushimin.
11:24 Ministria ukrainase: Forcat ruse kanë rrethuar Kievin, por s’kanë më rezerva
Ministria e Mbrojtjes në Ukrainës ka deklaruar se forcat ruse janë përqendruar në rrethimin e Kievit. Në një deklaratë për media, ministria bën me dije se trupat ruse janë bllokuar dhe ndaluar në zonën e Makarov, e cila është rreth 60 km (37 milje) larg kryeqytetit ukrainas.Ministria tha se forcat e armatosura të Rusisë kanë shteruar shumicën e rezervave të tyre operacionale dhe kanë filluar përgatitjet për transferimin e forcave dhe burimeve shtesë nga rrethet ushtarake jugore dhe lindore.
10:05 Blinken: NATO nuk do konflikt, por nëse vjen, është gati
Sekretari amerikan i shtetit, zhvilloi një takim këtë mëngjes me ministrat e Jashtëm të NATO-s dhe BE-së në Bruksel, ku u trajtua çështja e luftës në Ukrainë. Blinken tha se NATO nuk kërkon konflikt, por “nëse konflikti vjen tek ne, ne jemi gati për të dhe do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s“.
09:46 Zyrtari britanik: Putini rrezikon burg për krime lufte
Një zyrtar britanik i drejtësisë tha këtë të premte se Vladimir Putin rrezikon të përfundojë në burg për krime lufte të kryera nga forcat e tij ruse në Ukrainë. Dominic Raab, i cili është edhe zëvendëskryeministër, u pyet nga Radio Times nëse ai e shihte përfundimin e konfliktit me presidentin rus të burgosur për krime luftë.
09:45 Rrëfimi i banorit nga Ukraina: Marrja e centralit bërthamor nga rusët është terrorizëm
Pas sulmit në centralin bërthamor, një mësues kërcimi që jeton në Zaporizhia ka folur për BBC Radio 4 duke treguar se pa ushtrinë ruse duke shtënë dhe hedhur granata gjatë gjithë natës.
“Unë e di që një nga ndërtesat ishte në zjarr, por për fat nuk ishte stacioni bërthamor aktual. Sigurisht që është një lajm i keq, por të paktën nuk është reaktori aktual. Është një shqetësim jo vetëm për rajonin tonë, por për Ukrainën dhe gjithë botën, pasi është një nga termocentralet më të mëdha bërthamore në Evropë me sa di unë. Është çmenduri, është thjesht terrorizëm, nuk ka fjalë, bota duhet të bëjë diçka për të”, tha ai.
Përveç kësaj tha se njerëzit janë të ndarë në dy grupe, ata që besojnë se Putin është paqësor ndërsa të tjerët që janë të frikësuar nga lufta.
09:31 Mes luftës, banorët përpiqen të mbrojnë trashëgiminë e qytetit
Banorët e qytetit kulturor të Ukrainës, Lviv, po përpiqen të mbrojnë monumentet historike, të cilat rrezikohen nga bombardimet ruse. Zyrtarët lokalë të trashëgimisë janë shprehur se disa nga statujat janë mbështjellë me materiale të ndryshme për të mos u dëmtuar nga sulmet. Banorët kanë mundur të mbështjellin skulpturat e perëndisë romake Neptun dhe perëndeshës greke Amfitrite në plastikë.
09:20 Sulmi rus në centralin bërthamor, reagojnë ashpër udhëheqësit botërorë
Disa nga udhëheqësit botërorë kanë dënuar ashpër sulmin e Rusisë në centralin bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë.
Sipas tyre, Rusia po rrezikon sigurinë e një kontinenti të tërë me sulmin që forcat e saj bënë në një termocentral bërthamor dhe ndezën një zjarr aty.
Pas kësaj ngjarjeje, Shërbimet e Urgjencës të Ukrainës arritën të shuanin zjarrin, i cili shpërtheu në një ndërtesë jashtë perimetrit të uzinës, por pretendojnë se trupat ruse kanë kapur centralin.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Jonson tha se sulmi “i pamatur” i Rusisë mund të kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës.
09:19 Punonjësit e thjeshtë në Odessa i bashkohen ushtrisë ukrainase
Në Odessa, një qytet port i rëndësishëm strategjik në bregun e Detit të Zi të Ukrainës, punonjësit e thjeshtë si programues kompjuterash, punonjës të IT-së, apo dado, kanë marrë armët për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus. Një shef marketingu që iu bashkua ushtrisë ukrainase tha për CNN se dy nga miqtë e tij ishin vrarë tashmë në luftë, të dy vullnetarë që kishin luftuar në qytetin e rrethuar të Khersonit.
09:00 Forcat ruse “pushtojnë” centralin bërthamor të Zaporizhia, raportohet për viktima dhe të plagosur
Forcat ruse kanë kapur centralin bërthamor të Zaporizhia në Ukrainën jugore pasi një zjarr shpërtheu në një ndërtesë trajnimi në orët e para të mëngjesit.
“Aktualisht, Zaporizhia është i pushtuar nga forcat ushtarake të Federatës Ruse,” thuhet në një deklaratë.
“Ndërtesa administrative dhe pika e kontrollit në stacion janë nën kontrollin e pushtuesve. Stafi i uzinës vazhdon të punojë në njësitë e energjisë, duke siguruar funksionimin e qëndrueshëm të objekteve bërthamore. Fatkeqësisht, ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e mbrojtësve ukrainas”, njoftoi Energoatom, kompania e energjisë bërthamore të Ukrainës, në një deklaratë përmes Telegram të premten.
08:00 Momenti kur forcat ruse goditën centralin bërthamor të Ukrainës
Pamjet tregojnë momentin kur shpërtheu zjarri në centralin bërthamor të Ukrainës pas sulmit nga trupat ruse. Falë ndërhyrjes me urgjencë të zjarrfikësve, u bë e mundur shuarja e flakëve de nuk u raportua për viktima.
Sulmi ndodhi në orët e para të 4 marsit dhe zyrtarët në Ukrainë kanë raportuar se forcat ruse kanë bombarduar një termocentral bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës.
Zaporizhzhia NPP is under fire! The entire Europe is at risk of a repeat of the nuclear catastrophe. Russians must stop fire! pic.twitter.com/P46YxKZZ0W
— Михайло Подоляк (@Podolyak_M) March 4, 2022
07:30 Reagimi i presidentit Zelensky
Në një postim në Facebook, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi trupat ruse për kryerjen e një “sulmi terrorist” duke qëlluar qëllimisht në termocentralin për të rrezikuar jetën e miliona njerëzve.
“Tanket ruse, të pajisura me imazhe termike, po qëllojnë në blloqet atomike. Ata e dinë se për çfarë po qëllojnë. Ata janë përgatitur për këtë (sulm)”, tha Zelensky në postim, duke shtuar “djemtë tanë po e ruajnë stacionin e energjisë elektrike.”
“Vetë fakti që Rusia po fillon sulme në afërsi të centraleve bërthamore të Ukrainës është jashtëzakonisht i rrezikshëm”, tha Zelensky, duke iu referuar tragjedisë së Çernobilit dhe viktimave të saj.
“Ka 15 reaktorë bërthamorë në Ukrainë. Nëse njëri prej tyre shpërthen, ky është fundi për të gjithë, ky është fundi i Evropës. E gjithë Evropa do të duhet të evakuohet,” tha ai.
“Asnjë vend përveç Rusisë nuk ka qëlluar ndonjëherë mbi reaktorët e një termocentrali bërthamor. Hera e parë, hera e parë në histori,” shtoi Zelensky, duke u kërkuar liderëve evropianë të “zgjohen tani” dhe të ndalojnë forcat ruse “përpara se kjo luftë të kthehet në një fatkeqësi bërthamore.”
Pas sulmit nga forcat ruse, zjarri në centralin bërthamor të Zaporizhia u shua në orën 6:20 të mëngjesit me orën lokale, rreth një orë pasi zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave në Ukrainë, zjarri ka rënë në një objekt që shërbente për trajnime dhe deri tani nuk është vënë re ngritje e nivelit të rrezatimit përreth.
Shpërthimi i zjarrit/ Ja çfarë ndodhi:
Kur filloi zjarri? Autoritetet ukrainase thanë rreth orës 2:30 të mëngjesit me orën lokale të së premtes kishte shpërthyer zjarri në centralin bërthamor Zaporizhia, që ndodhet në Enerhodar, në juglindje të Ukrainës. Centrali është më i madhi i këtij lloji në Ukrainë dhe përmban gjashtë nga 15 reaktorët e energjisë bërthamore të vendit.
Kur u shuan flakët? Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha se zjarri në ndërtesën e trajnimit u shua në orën 6:20 të mëngjesit, ndërsa nuk u raportuan vdekje apo lëndime.
A po luftojnë akoma? Që atëherë, luftimet janë ndalur në zonë. Në një postim në Facebook, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për goditje të qëllimshme.
Sa serioze është situata? Është e vështirë të përcaktohet në këto momete. Por uzina nuk ka pësuar ndonjë dëm “kritik”, tha zëdhënësi i objektit. Zjarri nuk ka prekur asnjë pajisje “thelbësore” dhe stafi po merr masa për të parandaluar çdo dëm.
Ka rritje të rrezatimit? Jo — rregullatorët bërthamorë dhe organet qeveritare në Shtetet e Bashkuara dhe Ukrainë thonë se nivelet e rrezatimit duken normale.
Cilat janë rreziqet? Skenari më i keq do të ishte nëse një zjarr ose sulm do të arrinte te reaktorët, do të prishte sistemin e tyre të ftohjes dhe do të shkaktonte një shkrirje, e cila do të çlironte sasi të mëdha radioaktiviteti. Megjithatë, Graham Allison, profesor në Qendrën Belfer, Universiteti i Harvardit, i tha CNN herët të premten se “jo të gjitha zjarret në një central kanë pasoja katastrofike”.
Top Channel
[ad_2]
Source link