[ad_1]
Lufta Ukrainë-Rusi ka hyrë në javën e katërt, ndërsa bombardimet rreth qyteteve ukrainase vijojnë pa shenja paqeje. Edhe këtë mëngjes, forcat ruse goditën një tjetër pallat të banuar. Por sipas Mbretërisë së Bashkuar, pushtimi i Rusisë po ngec në të gjitha frontet.
16:00 Agjencia Evropiane e Hapësirës pezullon projektin e përbashkët të Rusisë në Mars
Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) ka pezulluar një program të Marsit për të cilin po punonte në bashkëpunim me agjencinë ruse të hapësirës “Roscosmos”. Në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit, Esa tha se do të ishte e pamundur të vazhdonte bashkëpunimin me Roscosmos në misionin e saj rover ExoMars, i cili synon të kryejë kërkime të mëtejshme në sipërfaqen e Marsit. Ai tha se këshilli qeverisës i Esa-s e kishte marrë vendimin unanimisht në përgjigje të situatës në Ukrainë.
15:03 Mbi 187 mijë refugjatë ukrainas kanë mbërritur në Gjermani
Më shumë se 187 mijë qytetarë që ikin nga lufta në Ukrainë kanë mbërritur në Gjermani, sipas Ministrisë së Brendshme gjermane. Deri ditën e enjte, 187 mijë e 428 refugjatë ishin regjistruar nga policia gjermane, por numri aktual i refugjatëve që vijnë mund të jetë dukshëm më i lartë për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë, tha një zëdhënës i ministrisë së brendshme për CNN. Shumica e refugjatëve që mbërrijnë në Gjermani janë gra, fëmijë dhe të moshuar.
14:29 Paralajmërohet se lufta në Ukrainë mund të godasë rritjen ekonomike
Lufta në Ukrainë mund të ngadalësojë rritjen ekonomike globale për më shumë se një pikë përqindjeje, në vitin e parë të pushtimit. Sipas raportit më të ri të Organizatës për Zhvillim Ekonomik, lufta mund të shkaktojë “recesion të thellë” në Rusi. Ndonëse Rusia dhe Ukraina përbëjnë përqindje të vogël në ekonominë globale, ato janë prodhuese të mëdha të lëndëve të para. Sipas kësaj Organizate, konflikti mund të ndikojë në rritje globale të çmimeve për gati 2.5 për qind.
14:23 Truss: Prova të fuqishme se Putin është “kriminel lufte”
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se “ekzistojnë prova të fuqishme” se presidenti rus, Vladimir Putin është “kriminel lufte”. Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka përshkruar liderin rus si të tillë, deklaratë që mund të përshkallëzojë marrëdhëniet diplomatike edhe më shumë. Truss ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se nuk mendon që është gabim deklarata e Bidenit. “Ka prova shumë, shumë të fuqishme se ai është”, ka thënë Truss.
13:59 Rusia mohon akuzat se ka bombarduar Konsullatën e Nderit të Shqipërisë në Kharkiv
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka mohuar akuzat e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë; se Rusia është përgjegjëse për bombardimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv. “Rusia hedh poshtë me forcë akuzat e Ministrisë së Jashtme shqiptare se forcat e armatosura ruse dyshohet se kanë dëmtuar ndërtesën e konsullatës së nderit të vendit në Kharkiv”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse. Forcat ushtarake ruse, më 7 mars, u akuzuan nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë si përgjegjëse për bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, do të flasë me homologun e tij kinez Xi Jinping, pas dyshimeve se Kina mund të jetë e përfshirë drejtpërdrejtë në ndihmën e dhënë për Rusinë gjatë agresionin që kjo e fundit po zhvillohet në Ukrainë. Lajmi është bërë i ditur nga zyra e shtypit pranë Shtëpisë së Bardhë, ku objekt i takimit virtual, zyrtarisht, është çështja e Ukrainës dhe problematika të tjera shqetësimi të përbashkët për dy vendet. Kina e ka mohuar përfshirjen e saj në ndihmë ekonomike apo ushtarake për Rusinë, që prej fillimit të agresionit më 24 shkurt.
13:36 NATO armatoset “deri në dhëmbë”: Askush nuk prek anëtarët tanë
Tre herë e goditi Jens Stoltenberg tryezën me cekic duke kërkuar që pjesëmarrësit të përqendrohen. Tensioni është i lartë këto mbi sekretarin e përgjithshëm të aleancës, e mbi të gjithë organizatën,të cilën lufta në Ukrainë e ka vendosur përballë presionesh të mëdha. Aleanca duhet të mendojë veprimet në perspektivën afatgjatë, duke përfshirë dhe rritjen e kapaciteteve të armatimit në tokë, në det dhe në ajër. Në takimin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtarë, Stoltenberg e pohoi se invazioni brutal” ndaj Ukrainës do të ndryshojë sigurinë në Europë, dhe se pasojat e luftës ruse, do të shtrihen në kohë. Në këto kushte, u ngritën pyetje: Sa trupa duhet të dislokohen dhe ku?
13:26 Balerina e parë e Bolshoit “arratiset” nga Rusia: Sot, ndiej turp për vendin tim
Një nga yjet e Teatrit Bolshoi të Moskës, balerina Olga Smirnova, është larguar nga kompania për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe në vend të kësaj do të kërcejë për Baletin Kombëtar Holandez në Amsterdam. Lëvizja e saj erdhi pak kohë pasi Smirnova e lindur në Shën Peterburg e denoncoi ashpër sulmin ndaj vendit fqinj, duken thënë se “kje e mbushi kupën”. Baleti Kombëtar Holandez deklaroi se ylli rus është i “mirëpritur me krahë hapur në radhët e tij.
13:18 Zelensky i tregon Putin vijat e kuqe: “Asnjë cm tokë s`lëshojmë”, fjalimi në Budestag
Volodymyr Zelensky e fshikulloi planin 15 pikësh të Rusisë, dhe insistoi se prioriteti i vendit të tij është “rikthimi i integritetit territorial të vendit të vet”. Kremlini hartoi një draft marrëveshje ku liston kërkesat e tij për ti dhënë fund pushtimit, ndër të cilat, ashtu siç paralajmëronte me herët, përfshihej dhe njohja e Krimesë së aneksuar nga Moska dhe pavarësia e Donbasit. Por Zelensky duket nuk pajtohet me të gjithë propozimet pavarësisht faktit që forcat ruse vazhdojnë bombardimin e qyteteve ukrainase, duke mbjellë kudo kaos e shkatërrim.
13:08 Putinin “nuk e mbajnë më nervat”, kërcënon të vetët: Do i shtypim tradhëtarët
“Tradhtarë të kombit dhe llum”, Vladimir Putin duket e ka humbur qetësinë dhe gjakftohtësinë që e karakterizonte prej kohësh, e në deklaratën e fundit, përdori tone mjaft të ashpra ndaj vetë rusëve që sipas tij, bashkëpunojnë në fshehtësi me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre. I përballur me një ngërç masiv ekonomik që në javën e tretë të pushtimit në Ukrainë, lideri rus iu kthye ashpër kritikëve të brendshëm, ndërsa akuzoi perëndimin se kërkon shkatërrimin e Rusisë dhe se po përpiqet të mbështetet pikërisht tek ata që i quajti “kolonë e pestë”, apo simpatizantëve të armikut.
13:03 ”Këtu ka fëmijë”, shkrimi në teatrin e bombarduar-Kremlini i tërbuar me Biden
“Këtu ka fëmijë”: pamjet satelitore treguan sesi pranë Teatrit të bombarduar në Mariupol një ditë më parë, ku strehoheshin qindra civilë, përfshirë dhe fëmijë, kishte dy shkrime të mëdha në tokë, që duhet të shërbenin si paralajmërim për forcat ruse. Fjala “fëmijë” ishte shkruar me gërma të mëdha të bardha në rusisht përpara dhe pas ndërtesës ku mendohet të ndodheshin rreth 1.200 civilë, në një përpjekje të dukshme për të shmangur çdo sulm nga forcat e Vladimir Putinit.
12:56 Rusia, krime lufte: Urgjent Këshilli i Sigurimit! Shqipëria “nuk e lë të qetë” Moskën
Gjashtë vende perëndimore bënë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Ukrainën përpara një votimi të pritshëm të premten mbi një rezolutë humanitare ruse, e cila nuk përmend përgjegjësinë e saj për luftën kundër fqinjit të saj më të vogël. “Rusia po kryen krime lufte dhe po vë në shënjestër civilët. Lufta e paligjshme e Rusisë ndaj Ukrainës është një kërcënim për të gjithë ne”, shkroi në Twitter përfaqësuesi i Britanisë në OKB, një nga vendet që kërkuan takimin.
12:46 SHBA nis dronë kamikazë në Ukrainë: Vetëm 3 kg e mbahen në çantë, rusët nuk i ndalin dot
Droni Switchblade peshon vetëm rreth 3 kilogramë dhe mund të transportohet lehtësisht me një çantë shpine. Sipas disa burimeve, arma më e re vdekjeprurëse e amerikanëve tashmë, ka mbërritur në duart e ukrainasve. Droni kamikaz, apo siç e quajnë ndryshe, plumbi i vogël, mund të qëndrojë në ajër për 40 minuta: ai orientohet në goditjen e objektivit deri në një distancë prej 11 kilometrash. Ka një kosto relativisht të ulët – rreth 6,000 dollarë – në krahasim me sistemet e tjera.
11:57 Deputeti ukrainas: Shumica e njerëzve i kanë mbijetuar sulmit në teatrin e Mariupol
Më shumë se 1,000 gra dhe fëmijë kanë qenë duke u strehuar në teatrin e bombarduar në Mariupol, ka thënë deputeti ukrainas, Dmytro Gurin. Teatri është sulmuar nga rusët dhe numri i viktimave nuk dihet ende. Gurin, prindërit e të cilit janë të bllokuar në qytet, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC: Ndërtesa e teatrit është e shkatërruar, ne kemi më shumë se 1,000 gra dhe fëmijë të strehuar në bodrumin e teatrit.
11:51 Zelensky, Scholzit: Rrëzojeni murin që po krijon Rusia
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë një fjalim emocional para Parlamentit gjerman të enjten, duke bërë thirrje për “rrëzim” të murit që Rusia është duke ndërtuar për të ndarë Evropën, përmes pushtimit të Ukrainës. “Nuk është Mur i Berlinit – është mur në Evropën Qendrore, në mes të lirisë, dhe ky mur po rritet me çdo bombë” të rrëzuar në shtetin tonë, ka thënë Zelensky para deputetëve gjermanë më 17 mars. “Zoti Scholz, rrëzojeni këtë mur”, ka thënë ai, duke iu referuar kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
11:38 Rusët nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikat e Jashtme, Josep Borrell është shprehur se Rusia me sulmin e pajustifikuar kundrejt Ukrainës, si anëtare e Këshillit të Evropës, shkeli principet themelore të statutit të KiE-së, konventave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar. “Na vjen keq që Rusia nuk e ndali sulmin në Ukrainë. Qytetarët e saj, nuk do të mbrohen më nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut”, citohet nga deklarata. Pavarësisht një keqardhjeje se Federata ruse nuk ia arriti të pushojë sulmin në Ukrainë, masa ndaj qytetarëve rusë është tej mase ndëshkuese.
10:05 Rreth dy milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Poloni
Mbi 1.95 milion njerëz kanë ikur prej Ukrainës në Poloni prej shpërthimit të luftës, ka thënë Agjencia kufitare e Polonisë të enjten. Më shumë se gjysmë milioni njerëz tashmë larguar nga Polonia drejt destinacioneve tjera, sipas hulumtuesit për migrim në Universitetin e Varshavës, Maciej Duszczyk. Vetëm të mërkurën, 60,000 persona kanë kaluar kufirin, ka thënë Garda Kufitare. Shumica e refugjatëve kanë shkuar në qytete të mëdha, përfshirë Varshavën, Krakovin dhe Vrocllavin, kapacitetet e të cilave janë të mbushura.
09:53 “Trupat ukrainase të dorëzojnë armët”, video e rreme e Volodymyr Zelensky bën xhiron e rrjetit
Në rrjete sociale ka qarkulluar një video e presidentit Volodymyr Zelensky që i bën thirrje trupave ukrainase të dorëzojnë armët, por në fakt është e rreme. Edhe pse buzët e tij lëvizin në sinkron me audion, koka e Zelensky duket se nuk është si gjithmonë dhe zëri nuk tingëllon si i tij. Një fotografi nga video e rreme u shfaq në faqen e internetit të kanalit televiziv ukrainas Ukrayina 24 dhe teksti i mesazhit u transmetua gjithashtu shkurtimisht në TV.
09:12 OKB: Më shumë se 3 milionë refugjatë janë larguar nga Ukraina
Sipas vlerësimeve të OKB-së , më shumë se tre milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt. Shumica kanë kërkuar strehim në Poloninë fqinje, duke mbërritur në kufi me tren ose autobus.
08:56 Ministri polak dënon Putinin si ‘kriminel lufte’
Zëvendësministri i Jashtëm polak, Marcin Przydacz, tha se bombardimi i teatrit në Mariupol është një tjetër shenjë se forcat e Vladimir Putin po përdorin taktika më brutale. Przydacz tha për BBC se pajtohet me karakterizimin e presidentit amerikan Joe Biden për liderin rus si “kriminel lufte”.
08:53 Putin i cilëson “tradhtarë kombëtarë” rusët që janë pro Perëndimit
Presidenti rus Vladimir Putin i cilësoi “tradhtar kombëtarë” të gjithë rusët që janë pro Perëndimit. “Perëndimi do të përpiqet të mbështetet në të ashtuquajturën kolonë të pestë, tek tradhtarët kombëtarë, tek ata që fitojnë para këtu me ne, por jetojnë atje. Dhe kur them ‘jetojnë atje’, nuk e kam për kuptimin gjeografik të fjalës, por sipas mendimeve të tyre, ndërgjegjes së tyre skllavërore”, tha Putin.
08:30 Raketat ruse godasin pallatin në Kiev, një i vdekur dhe 3 të plagosur
Një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën nga raketa që goditi një ndërtesë banimi në Kiev të enjten. Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës mori njoftim për një zjarr dhe dëmtim të një apartamenti 16-katësh në lagjen Darnytsky të kryeqytetit në orën 5:02 të mëngjesit me orën lokale. Pak më vonë u shua zjarri. Mediat e huaja bëjnë me dije se deri tani janë evakuuar 30 persona ndërsa vijojnë operacionet e shpëtimit.
08:19 Britania: Pushtimi rus “ka ngecur në të gjitha frontet”
Ofensiva e Rusisë në Ukrainë “ka ngecur në të gjitha frontet” ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe, më 17 mars. Në vlerësimin e saj është thënë se forcat ruse “kanë bërë përparim minimal në tokë, det apo ajër në ditët e fundit dhe se vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha”. “Rezistenca ukrainase vazhdon të mbetet e koordinuar mirë. Pjesa më e madhe e territorit ukrainas, përfshirë qytetet e mëdha, vazhdojnë të jenë në duart e ukrainasve”.
Çfarë ka ndodhur së fundmi në Ukrainë
Dje, sulmet me raketa ruse goditën një teatër në qytet ku mendohej se ishin strehuar mbi 1000 njerëz, sipas nënkryetarit të bashkisë së qytetit.
Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky akuzoi Rusinë se synon qëllimisht teatrin. Rusia ka mohuar se e ka bombarduar atë.
Në kryeqytetin Kiev, një person ka vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pasi një pallat u godit nga mbetjet e një rakete të rrëzuar. Punonjësit e shpëtimit janë duke kërkuar për njerëzit që mund të jenë të bllokuar nën rrënoja, thotë Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës
Në Chernihiv, 13 persona që prisnin në radhë për bukë u raportuan të vrarë nga bombardimet ruse
Në frontin diplomatik, marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë u përkeqësuan pasi presidenti amerikan Joe Biden e quajti presidentin rus Vladimir Putin një “kriminel lufte”. Kremlini i cilësoi komentet e Biden si “retorikë të papranueshme dhe të pafalshme”
Zelensky foli në Kongresin e SHBA në të cilën ai bëri thirrje për më shumë mbështetje perëndimore
SHBA premtoi një shtesë prej 1 miliard dollarësh (764 milion £) në armë për Ukrainën – duke përfshirë drone taktike, raketa dhe granatahedhës, pushkë, mitralozë, parzmore dhe municione.
Analiza nga ekspertët ushtarakë, përfshirë ministrinë e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, thotë se pushtimi rus ka “ngecur në të gjitha frontet”
Top Channel
[ad_2]
Source link