Asnjë qytetar shqiptar nuk mund të futet në Kosovë nëse nuk ka bërë tamponin, të paktën 4 ditët e fundit. Qytetarët e Kosovës mund të kalojnë lehtësisht për në Shqipëri, pasi si masë është vendosur vetëm matja e temperaturës për këdo që hyn në kufi. Ndërsa ata që duan të shkojnë në Kosovë thonë se, nuk lejohen të kalojnë as për raste vdekjeje.
“Më ka kthyer dy herë, kërkojnë tampon, më thotë bën 30 euro, por nuk ka ku e merr shteti, por unë vij nga Tirana, meqënë ma kishte bërë shteti. Unë nuk kam asnjë problem, për një raport mjekësor po shkoj ta marr, por jo tamponi. Çfarë lidhje ka tamponi, po ai që vjen nga Kosova se nuk e bën? Nëse është e mundur, pse nuk e le këtu dhe ta bëjmë këtu për daljen dhe për hyrjen” tha një qytetar, për Report Tv.
Një tjetër theksoi se “Na kërkojnë test COVID-i. Do të kthehemi, te greku na lejojnë këtu jo, llogarite tani, doganat tona, çfarë bëhet kështu??!!!!”.
“Ne punojmë në Kosovë në Prishtinë, jemi bllokuar tani. Tani e morëm vesh se duhet testi, nuk dinim gjë. Sot na thanë lejohet, por doli e kundërta” tha një tjetër.
Edhe për raste vdekje kufiri është bllokuar pa plotësuar kushtin e tamponit. “Nuk po na lejojnë, kemi dy raste vdekje, djali dhe vajza e dajës, erdhëm nga Tirana 3 makina, por nuk na lejojnë kërkojnë tamponin. Na thanë po presim urdhër tjetër.
Ndërkohë që ne shqiptarët në kohën e luftës së Kosovës, i gjithë Kukësi u ngrit në këmbë erdhi në Morinë me pritur vëllezërit kosovarë, ne na ndalojnë. Kjo nuk duhet të ishte bërë nga Kosova, duhet të na lejonin sidomos për rast vdekje. Kufoma besoj se do të lejohet që të kalojë nga këtu, pasi ka ardhur nga Franca” tha një qytetare.
“Nuk e di, populli nuk di gjë, nuk e di se cfarë bëjnë qeveritarët. Kosovarët hyjnë dhe dalin, ne jo, cfarë bëhet kështu. Shteti duhet të marrë masa. Kufoma vjen nga Franca do të kalojë nga këtu, po na lanë. Jemi në doganë prej orës 02:00 të natës”.
Dje pas reagimeve të shumta u hoq taksa e dezinfektimit 22 euro për kamionët, por për qytetarët vijon që të jetë në fuqi tamponi, teksa kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se karantina është hequr, por tamponi jo. Pra kusht për të kaluar në Kosovë është tamponi.
“Ne e kemi mbyllur karantinimin në fundjavën që lamë pas. Ajo çfarë bëjmë ne është që qytetarët që vijnë në Kosovë i kërkojmë që të tregojnë lejë qëndrimi, i matim temperaturën e tyre, marrim të dhënat dhe nëse kanë bërë testin 4 ditët e fundit kalojnë pa asnjë problem. Po mundohemi të bëjmë edhe zbutje shtesë. Por nuk mund të sillemi në një situatë normale. Nuk duhet të lejojmë rikthimin e pandemisë”, u shpreh Kurti.
Ndërkohë, kryeministri Rama tha sot se, është e kotë që të bëjnë tamponë, apo të lënë në karantinë për 14 ditë ata që vijnë nga jashtë në Shqipëri.
“Ne nuk do bëjmë as tampona, as detyrime për vetkarantinim, është e kotë. Do t’i besojmë njerëzve tanë, edhe me Greqinë që kemi ndjekur në vijimësi c’po bëhet, kemi parë që edhe Greqi ka relaksuar planin paraprak, ti hapesh në kohën kur do turizëm dhe pastaj ca do bësh do ti mbash njerëzit nëpër prita, për të tamponuar tërë dynjanë, ti e bën sot nuk të del, nesër shfaqet, të bësh tampona radhiko nuk këshillohet nga askush, e gjithë bazohet mbi gjurmimin, ka vende që shkojnë ne këtë drejtim por ne nuk e kemi zgjedhur këtë.”,- tha Rama./K.C/