Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ishte i ftuar në A2 nga ku foli për situatën e pandemisë në vendin tonë.
Duke folur për skenarët e ndryshëm të pandemisë, Brataj u shpreh se në kushtet e sotme, nuk përjashtohet as mbyllja e madhe.
“Nuk mund të flasim për afër apo larg, është në bazë të asaj çfarë ndodh. Nga momenti në moment, mund të merret edhe një masë, qoftë edhe drastike. Nuk është marrë vendim, dhe nuk më takon mua ta them diçka të tillë. Unë jap mendimin tim personal si specialist, ndërsa vendimi është kolegjial dhe ekzekutivi është ai që vendos në bazë të këshillimeve që ka marrë nga ekspertët. Nuk përjashtohet një masë e tillë në kushtet e sotme, në kushtet e pandemisë, po e bën gjithë bota, nuk është se po e bëjmë vetëm ne. Por nuk janë të përjashtuara asnjë nga gjitha masat.’, u shpreh Brataj.
Duke folur për gripin sezonal Brataj tha se nuk ka raportime për të sepse ai nuk ka ardhur ende.
“Nuk ka raportim për gripin sepse nuk ka ardhur akoma. E rëndësishme është që është faza më kritike dhe domethënëse për vaksinimin nga gripi. Studimet kanë treguar se vaksinimi, I çfarëdolloji qoftë ndikon në imunitetin e norganizmit dhe pak a shumë dhe tek Covid-19 mund të ndikojë.
“Nuk ka studime të sakta, por siç e kemi thënë gjithmonë, duke parë studimet mbi viruset, bakteret, vaksinat, thuhet se çdo vaksinë ndikon sadopak edhe tek sëmundjet e tjera. Një nga studimet e fundit në Japoni tregoi se dhe vaksina e tuberkulozit ka ndihmuar ku është aplikuar. Gripi është duke ardhur, dhe ka disa diferenca. Ka pak ndryshime por mund të dallohet. Kjo sëmundje është me temperaturë, dhimbje muskujsh, kollë të thatë, humbje e shijes, oreksit. Gripi ka sekrecione nazale dhe zgjat 3-4 ditë.”