Një fotografe 21 vjeçare bëri histori në revistën British Vogue, duke u bërë personi më i ri që realizon setin fotografik në historinë 104-vjeçare të revistës. Kennedi Carter, nga Karolina e Veriut, fotografoi Beyoncé-n për edicionin e muajit dhjetor, i cili përmban jo një, por tri kopertina të ndryshme. Kennedi nuk ka lidhje familjare me Jay-Z (Shawn Carter).
Beyoncé kërkoi posaçërisht një grua me ngjyrë për të realizuar fotot dhe së bashku me kryeredaktorin e Vogue, Edward Enninful, zgjodhën Kennedi-n, një e cila prej kohësh përpiqet të nxjerrë në pah bukuritë e neglizhuara të njerëzve me origjinë afrikane. Kennedi e ka dëgjuar Beyoncé-n që kur ishte tre vjeç.
https://www.instagram.com/p/B1KmsVCBM7m/?utm_source=ig_embed
Paraqitja e Beyoncé-s në revistë sigurisht që vjen e shoqëruar me një intervistë të rrallë, të kryer nga kryeredaktori i British Vogue. Në një komunikim në Zoom me Edward Enninful, Beyoncé u shpreh se ndihej “absolutisht e ndryshuar” nga ngjarjet e vitit 2020. “Qëllimi im është që të ngadalësoj pak dhe të heq disa gjëra stresuese nga jeta ime,” tha ajo.
“Jam bërë pjesë e industrisë së muzikës në moshën 15-vjeçare dhe u rrita duke më parë bota dhe unë kam nxjerrë projekte pa ndërprerje. Publikova ‘Lemonade’ gjatë turneut botëror ‘Formation’, solla në jetë binjakët, interpretova në Coachella, drejtova ‘Homecoming’, bëra një tur me Jay dhe më pas ‘Black is King’. Ka qenë kaq e ngarkuar. Kam kaluar kaq shumë kohë duke u përqëndruar në ndërtimin e trashëgimisë sime dhe përfaqësimin e kulturës sime në mënyrën më të mirë të mundshme. Tani, kam vendosur t’i lejoj vetes që të përqëndrohem te gëzimi im.”
Duke folur me Enninful, Beyoncé diskutoi edhe përqëndrimin e saj te kultura afrikane gjatë viteve të fundit.
“U bë misioni im që të sigurohesha që ajo [vajza Blue Ivy] të rritej në një botë ku shihej dhe vlerësohej.”- tha ajo.
Më pas, në lidhje me lindjen e binjakëve, Sir dhe Rumi, Beyoncé tha:
“Unë ndjeva se ishte e rëndësishme të ngrija dhe lavdëroja djemtë dhe të sigurohesha që ata po rriteshin me filma, libra për fëmijë dhe muzikë që promovon inteligjencën emocionale, vetëvlerësimin dhe historinë tonë të pasur.”
Beyoncé u shfaq për herë të fundit në kopertinën e British Vogue në vitin 2013. Në vitin 2018, ajo u shfaq në kopertinën e Vogue në SHBA, duke folur për vështirësitë e lindjes së binjakëve në 2017-n ku ndër të tjera këmbënguli që Vogue të punësojë një fotograf afro-amerikan, 23-vjeçarin Tyler Mitchell, për të realizuar kopertinën, gjë që ndodhte për herë të parë në historinë e revistës.
Nëna e saj, Tina Knowles-Lawson, ka kritikuar Vogue në SHBA për mungesën e fotogravëve afro-amerikanë.
Burimet: British Vogue, Guardian, Pop Sugar