Edhe këtë herë, në konferencën që u mbajt pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, kryeministri Edi Rama vendosi që përveç gazetarëve nga Kosova, nga mediat shqiptare mund të bënin pyetje vetëm gazetare nga TVSH dhe TV Klan. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në konferencat e mëparshme pas mbledhjeve të dy qeverive.
Anëtari i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali thotë se mungesa e konferencave për shtyp ku kryeministri dhe ministrat janë të detyruar që të japin llogari, mungojnë dhe kjo është treguar e mungesës së demokracisë në vendin tonë.
“Ky show me konferenca shtypi bëhet vetëm kur vijnë të ftuar nga jashtë. Në raste të tjera konferencat e shtypi mungojnë. Kjo është shenjë e qartë se demokracia në Shqipëri mungon. Një kryeministër apo ministër është i detyruar që të japë llogari në konferenca shtypi. Kur vijnë të huajt bëhet sa për fasadë”, deklaroi z. Cukali.
“Më parë kanë pas ekzistuar por me ardhjen e këtij kryeministri konferencat janë asgjësuar. Përveç pyetjeve ndonjëherë mungojnë edhe ftesat për media të caktuara. Nuk dua të spekuloj të them se bëhen pyetje të gatshme edhe pse kam dëgjuar këtë histori, por unë dëgjoj pyetjet dhe nuk shoh asgjë gazetareske”, shtoi ai.
Sipas tij, media është detyruar të bjerë në këtë nivel për shkak të dobësimit të saj, dhe bën thirrje për denoncimin e këtyre fenomeneve në mënyrë që të fitojë demokracia dhe qytetarët.
“Arsyet pse kemi degraduar janë të shumta por vijnë kryesisht për shkak të dobësisë ekonomike të mediave, pasi janë të varura nga paratë që hyjnë nga fushatat. Turpi i gazetarisë është transmetimi i kasetave që televizionet i shesin si lajm ndërkohë që u servireven nga partitë. Ju falënderoj që e keni ngritur si problem se është thelbësore që të mos biem dakord me këtë fasadë dhe duhet bërë vazhdimisht që t’i detyrojmë ata që të sillen në mënyrë demokratike siç e kërkon ligji”, përfundoi z. Cukali.