Presidenti i Republikës ka refuzuar të dekretojë ligjin që ndryshon kontratën koncesionare për portin e Porto Romanos. Në argumentet e tij për Kuvendin, Presidenti shprehet se në këtë rast janë anashkaluar procedurat e konkurrimit të parashikuara në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” dhe përmes negocimit të drejtpërdrejtë janë cenuar njëkohësisht dhe parimet kushtetuese të barazisë përpara ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike.
Presidenti shprehet se, nën procedurën e një marrëveshje shtesë, është dhënë një e drejtë e re, jashtë objektit kryesor që gëzon sot kompania koncesionare. Sipas tij, moszhvillimi i një procesi transparent si dhe vendosja e gjithë procesit nën ombrellën proceduriale të shtesës së një kontrate koncesionare, shmang konkurrencën e lirë, rrit rrezikun e trajtimit preferencial dhe nuk garanton përfitime maksimale për financat e shtetit dhe interesin publik.
Aktualisht, porti i Porto Romanos shfrytëzohet vetëm për përpunimin e anijeve me hidrokarbure. Me kontratën e re, të miratuar nga Kuvendi në muajin prill, koncesionarit i njihet e drejta të shfrytëzojë një pjesë të portit edhe për ngarkim-shkarkimin e anijeve me mallra. Sipas mazhorancës, ky ndryshim në kontratë u bë për të shfrytëzuar të plota kapacitetet e portit dhe për të rritur të ardhurat nga tarifa koncesionare.
Ersuin Shehu