Abuzimet e komisioneve vendore dhe përplasjet me Agjencinë e Kthimit të Pronave kanë prodhuar konflikt pas konflikti në fshatrat turistik. Nga veriu në jug, janë me qindra rastet kur toka në bregdet është ndarë si tokë bujqësore.
Një natyrë tjetër konflikti shumë e gjerë është midis atyre që kanë marrë aktin e marrjes tokës në pronësi apo në përdorim, me pronarët apo ato që pretendonin se janë pronarë të trojeve”, thotë Ardian Dvorani, Kryetar i Gjykatës së Lartë.
Një rast i ngjashëm është edhe ai i Kastriot Hajdinit në Borsh. Ai është trashëgimtar i Njazi Dedit për një truall prej 5 mijë metrash katrorë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, njeh atë dhe 2 pjesëtarë të tjerë si trashëgimtarë të ligjshëm. Bazuar në ligjin e vitit 1993 për kthimin dhe kompensimin, ai pajiset me certifikatë provizore pronësie, derisa të bëhej azhurnimi.
Por, më pas, edhe pse toka ishte truall sipas përcaktimit të Komitetit Ekzekutiv të vitit 1981, komisioni i fshatit e ndan në bazë të ligjit 7501, që si fushë veprimi kishte vetëm tokat bujqësore. Hajdinit në këtë moment, i krijohet mbivendosje. Pala tjetër u pajis me certifikatë pronësie ndërkohë ai vijon proceset gjyqësore për gabimin e komisionit të tokës.