Teksa çështja e marrjes së komandës së kanalit kombëtar Top Channel ka shkuar në Gjykatën e Apelit, paditësit Albert Sino dhe Aurel Baçi, dy aksionerët mazhoritarë të televizionit, kanë arritur të shmangin prej trupit gjykues të caktuar për të vlerësuar masën e dhënë nga Gjykata e Faktit gjykatësen Zeqine Sollaku, bashkëshorten e ish kryeprokurorit të përgjithshëm.
Që në fillim të caktimit të gjyqtarëve Zamir Poda, Agim Bendo dhe Zeqine Sollaku dy ortakët kërkuan depozituan një shkresë me anë të së cilës kërkonin heqjen e Agim Bendos nga gjykimi për shkak të precedentëve të marrëdhënieve problematike të tij me Top Channel dhe atë të Zeqine Sollakut. Sipas burimeve pranë zyrës ligjore që po trajton çështjen për llogari të bashkëpronarëve, paanësia e gjyqtares Sollaku konsiderohet e kompromentuar për shkak të afrisë së saj familjare me njërën nga palët në konflikt, e përkatësisht me Vjollca Hoxhën.
Është tashmë një fakt i njohur publik lidhja e fortë shoqërore midis dy vajzave të tyre, Adela Sollaku dhe Lori Hoxha, të cilat jo rrallë shfaqin përmes fotove dhe videove afrinë e tyre. Javët e fundit madje, teksa në Apel pritej të gjykohej çështja ku Zeqine Sollaku do të merrte vendimin nëse Top Channel duhej t’i mbetej apo jo nën administrim Vjollca Hoxhës, dy vajzat e tyre shfaqeshin në plazhet e ishujve tropikalë Maldive duke u argëtuar dhe festuar së bashku.
Kjo afërsi është gjykuar nga pala paditëse si konflikt interesi dhe pikërisht për këtë gjyqtarja Sollaku është larguar nga ky proces.(Lapsi.al)