Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Durrësit, ku mbetën të plagosur me armë zjarri nënë e bir.
Detaje të reja janë zbuluar sot nga ngjarja, teksa Policia bën me dije se është arrestuar autori kryesor i dyshuar për plagosjen e dyfishtë si dhe janë shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij. Konflikti mes personave të përfshirë duket se ka ndodhur për shkak të një vend parkimi. Autorët e ngjarjes kanë goditur nënë e bir me sende të forta fillimisht, ndërsa konflikti ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armëve të zjarrit.
Informacioni zyrtar i Policisë:
“Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, pas një pune intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, bënë zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorit kryesor të ngjarjes. Në bashkëpunim me DVP Elbasan u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. J., 33 vjeç, banues në Peqin”.
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen nr. 12, Durrës, ka ndodhur një konflikt i çastit për vendin e parkimit, me sende të forta, midis shtetasit O. Ç. dhe Z. J .
Si pasojë e goditjeve u lëndua shtetasi Z. J., i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Më pas konflikti u përshkallëzua me përdorimin e armës së zjarrit dhe si pasojë mbetën të plagosur nënë e bir.
Fillimisht u dyshua se autor i kësaj ngjarje ishte shtetasi Z. J., por pas hetimeve, rezultoi se shtetasi E. J., është autori kryesor i dyshuar për plagosjen e dyfishtë. Pas konfliktit të ndodhur midis vëllait të tij, shtetasit Z. J. dhe O. Ç., 33-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri drejt shtetasit F. Ç., 23 vjeç dhe shtetases V. Ç., 51 vjeçe (e ëma), të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të hetimeve është bërë shpallja në kërkim e shtetasve A. J., 34 vjeç (vëllai i autorit) dhe O. N., 28 vjeç, dy bashkëpuntorët e sutorit të ngjarjes.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve shërbimet e Policisë kanë krehur zonën dhe kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit, të cilën autori pas ngjarjes e kishte hedhur në distancë të largët nga vendi i ngjarjes.