Komiteti Teknik i Ekspertëve në një konferencë për mediat pak minuta më parë ka njoftuar se ka vendosur të mos i ndryshojë masat anti-Covid në vend.
Kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli bëri me dije se masat kufizuese e kanë dhënë rezultatin dhe do të vazhdojë po njësoj, përfshirë mësimin online për gjimnazet dhe universitetet.
“Masat të cilat u propozuan para dy javësh kanë filluar ta japin efektin e tyre, ndaj mbetemi aty, duke i vlerësuar më ngushtësisht në kohëra më të ngushta efikasitetin e kësaj tendence ulje. Pra po e përsëris masat që vazhdojnë të ngelen në fuqi, janë ato të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, duke nisur nga ora 20:00 deri në 06:00. Shkollat e mesme në ato vende të cilat u përcaktuan në 2 javëshin më përpara do të vijojë online. Dhe universitetet do të vijojnë online, përveç provimeve të kombinuara. Fluturimet me Britaninë e Madhe vijojnë të mbeten të pezulluara. Thirrje qytetarëve, situata është delikate, duke qenë optimistë për këtë tendencë të lehtë uljeje të vazhdojmë të respektojmë masat dhe rregullat e higjienës”, tha Rakacolli.