Blendi Gonxhja, drejtor i Shërbimeve të Transportit Rrugor, ishte i ftuar në “Dita jonë” ku foli për kolaudimin e automjeteve dhe mbylljen e kontratës me SGS. Ai vuri në dukje edhe mangësitë e koncesionarit, që sollën edhe mbylljen e kontratës.
“Koncesioni ka pasur të mirat e tij, por edhe problemet, të cilat edhe në vitet e fundit nuk morën zgjidhje. Këto probleme do të zgjidhen nga Ministria në vijim. Shumë organizma, ente private, të cilët ofrojnë një, dy, shërbime, kanë vështirësi që të përditësohen, që të modernizohen. Me kalimin e kohës ne vumë re që çalonin shumë gjëra, çalonte komunikimi informatik. Sot, drejtoria është më parë se një operator privat, i cili kornizohet në interesin e ngushtë të një kontrate.”
Por, a parashikohet lehtësi për qytetarët me këtë lëvizje? “Ne vumë re, sidomos në vitet e fundit, se cilësia nuk e justifikonte koston që qytetari paguante lodhjen, angarinë, kohën dhe megjithëse ka pasur rreth 40% rikthim, kjo nuk reflektohej në rrugë. Kemi pasur edhe shumë evazion. Kemi shumë automjete që janë në kolaudim dhe janë të pakontrolluara. Shumë shërbime është më mirë që t’i kontrollojmë vetë brenda një qarku të mbyllur me policinë dhe me shtetin. Sa i përket tarifës, me një llogari të thjeshtë i bie që të përgjysmohet, pasi kontrolli do të bëhet një herë në dy vite. Por, kostoja më e madhe është pritja dhe nervat. Ka edhe persona të papërgjegjshëm që mendojnë se tani nuk do të kontrollohen më, por këta nuk duhet të gëzohen sepse Task Forca e kontrollit rrugor do të fuqizohet. Bashkë me policinë ne do të kontrollojmë shumë në terren që mjetet që paraqesin veti të dukshme anormale në rrugë, do të kapen dhe do të dënohen shumë herë më rëndë”.
Gonxhja dha një sqarim edhe për ata persona që e kanë kryer kolaudimin deri në këtë pjesë të vitit. “Kush e ka bërë kolaudimin deri në këtë pjesë të vitit do të paraqitet në vitin 2022 për kolaudimin e radhës”.