Ori Nebiaj është një prej emrave në listën e kandidatëve për deputetë nga PD në Tiranë, por siç e dini angazhimi i moderatores së njohur me këtë forcë politike ka nisur shumë kohë më parë. Megjithatë tani ajo ndodhet përballë një sfide të rëndësishme dhe si të gjithë kandidatët e tjerë për të qenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm të Shqipërisë, ditën e sotme Ori ka nisur fushatën, ose siç e quan ajo “ka ardhur koha për Politikë”. Me anë të një postimi në Instagram Nebiaj tregon arsyet pse e ka pranuar përfshirjen në listën e kryeqytetit, atë që do përpiqet të bëjë në këtë muaj fushate dhe mbi të gjitha, ka një thirrje të rëndësishme për të gjithë, sidomos për të rinjtë.
Moderatorja thotë se kur thirrja e familjes politike vjen kaq fortë sa këtë herë, ndihet jo vetmë e vlerësuar, por ndjen edhe një përgjegjësi për të treguar frymën e ndryshimit që të gjithë shqiptarët kanë nevojë dhe vetë Ori beson shumë tek ky ndryshim. Po ashtu ajo thotë se gjatë këtyre ditëve do të takojë sa më shumë të rinj, vajza, gra, nëna dhe gjyshër, ndërsa premton se me ta do të jetë gjithmonë e thjeshtë dhe Ori që të gjithë njohin.
Nebiaj shprehet se kandidimi si e 18-ta në Tiranë është i veçantë për të, për shkak të 18-vjeçarëve që votojnë për herë të parë dhe i drejton atyre thirrjen se nëse janë të zhgënjyer nga politika, kjo nuk duhet t’i pengojë të votojnë, përkundrazi duhet të kontribuojnë në demokraci. Për të, përfaqësimi i një gjenerate të re politike në vend do të ishte një privilegj.