Njё shkrim nga Lubjana Malaj
Gjenerata jonë po përjeton një prej momenteve më të vështira për shkak të gjendjes së pandemisë të shkaktuar nga virusi COVID-19. Fatkeqësisht, ata që i ndjejnë pasojat më shpejt dhe më thellë janë grupet e cënueshme. Personat me aftësi të kufizuara janë vlerësuar si një komunitet prej deri në 1 miliard persona të popullsisë botërore prej Organizatës Botërore të Shëndetit, dhe me shifra të larta rezulton prezenca e këtij komuniteti edhe në Shqipëri, ku sipas vlerësimit të censusit të 2011-ës, 6.2% e popullsisë janë të prekur prej një forme të caktuar të aftësisë së kufizuar.
Të gjendur të papёrgatitur për tu përballur me situatën e kësaj krize shumë planëshe, e cila u shoqërua me masa të forta shtrënguese për të minimizuar përhapjen e virusit, si karantina, distancim social e kufizime të tjera në lëvizje, personat me aftësi të kufizuara sipas raporteve, ndodhen në vështirësi të theksuara shëndetsore, sociale e ekonomike.
Personat me aftësi të kufizuara përballen me barriera shoqërore e fizike në jetën e tyre dhe duke shtuar kushtet e pandemisë, ky komunitet mbetet i lënë mënjanë nga mosmarrja në konsideratë e nevojave dhe kërkesave të vetë komunitetit në përpilimin e masave ligjore, ndaj pasoja e menjëhershme është izolimi. Sipas hulumtimeve të Cacioppo, përmendur në The Guardian, ndjesia e izolimit social shoqërohet me rritjen e nivelit të stresit, ç’rregullime hormonale, ç’rregullime të gjumit dhe udhëheq gjendjen shëndetësore e fizike në sëmundshmëri më të thella e të parikuperueshme. Në këtë kontekst, zëri i personave me aftësi të kufizuara mbetet i padëgjuar, dhe nevoja për kontakt me natyrën e ajrosje, mbeten të paplotësuara për shumë kategori.
Në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuara nuk kanë ende asistentët e tyre personalё, persona të kualifikuar për të dhënë shërbim të specializuar dhe për të lehtësuar jetesën e tyre. Këto role kryhen kryesisht prej familjarëve, të cilët vazhdojnë të ndjekin modelin e bamirësisë për të afërmit e tyre. Sipas Komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, mungesa e shërbimit profesional dhe mungesa e pajisjeve të dedikuara mbrojtëse kundër Covid-19, i ka vendosur më tepër në risk ndaj infektimit personat me aftësi të kufizuara dhe nuk është dhënë shërbimi i përshtshëm për çdo kategori, duke mbajtur në konsideratë nevojat e personit.
Aksesi në informacion, si burimi kryesor i mbrojtjes dhe parandalimit në situata si kjo e pandemisë që po kalojmë, është raportuar i pakët ose i munguar nga organizatat që punojnë me dhe për personat me aftësi të kufizuara. Protokollet e punës për specialistët e qendrave komunitare dhe rezidenciale janë publikuar me vonesë dhe informacionet e përditësuara, nuk kanë qenë në gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë, për personat me probleme në shikim ka pasur mungesë pajisjesh lehtësuese dhe për personat me probleme të shëndetit mendor apo aftësi e kufizuar intelektuale nuk është dhënë informacion i thjeshtuar sipas nevojës.
Institucionalizimi dhe qendrat rezidenciale mbeten një shqetësim kryesor për të drejtat e njeriut në lidhje me personat me aftësi të kufizuara. Raporti ndërkombëtar i monitorimit në vëzhgimin e masave kundër covid-19, ka vënë re shkelje të të drejtave themelore për personat me aftësi të kufizuar në institucione, të cilat janë shёndërruar në epiqendrën e infektimeve me virusin e koronës dhe vdekjeve si pasojë e tij. Duke mos pasur një vlerësim konkret dhe mungesa në kapacitete materiale e profesionale edhe në Shqipëri replikohen të njëjtat shqetësime për personat me aftësi të kufizuara në institucionet rezidenciale.
Organizatat e Shoqërisë Civile në Shqipëri dhe personat me aftësi të kufizuara, nuk u bënë pjesë e masave lehtësuese të ndërmarra nga shteti. Shumë prej organizatave të përfshirë në dhënie shërbimesh, vazhdojnë të përballen me vështirësi financiare dhe si pasojë e ri-orientimit të fondeve prej donatorëve nga varen përgjithësisht. Ato po përballen me mbijetesën dhe personat me aftësi të kufizuara me pamundësi për të marrë shërbime.
Arsimi në kushtet e shkollës online dhe tashmë me rifillimin e shkollës në shtator, mbetet shqetësim madhor për prindërit e fëmijëve dhe adoleshentëve me aftësi të kufizuara. Protokollet e masave mbrojtëse, nuk lejojnë kontakt të afërt me mësuesin ndihmës, aksesueshmëria e shkollave vazhdon të jetë problematike duke u vlerësuar e dobët prej ekspertëve të fushës, teknologjia dhe mjetet ndihmëse janë të munguara dhe shumë të pakëta për tu siguruar. Të gjitha këto e kanë bërë të vështirë ndjekjen e ritmit normal të edukimit nga fëmijët me aftësi të kufizuara, kështu ata mbeten të diskriminuar dhe të përjashtuar në raport me mundësitë e barabarta.
Aleanca Ndërkomëtare e Aftësisë së Kufizuar në lidhje me Covid-19 ka rekomanduar ndër të tjera dhënien e informacionit të aksesueshëm, masa mbrojtëse shtesë e të dedikuara, ndërgjegjësim, plane gjithëpërfshirëse për përgjigjen ndaj situatës, jo institucionalizim, sigurim tё shërbimeve mbështetëse, trajtim tё barabartë, mosdiskriminim në shërbim shëndetësor, mbështetje për organizatat e personave me aftësi të kufizuara dhe rritjen e rolit advokues prej organizatave.
Në planin e saj të Axhendës 2030, OKB ka parashtruar 17 objektiva të cilat duhen arritur, më relevanti në lidhje me momentin në të cilin po kalojmë mbetet Objektivi i 10-të, i cili synon ‘të zvogelojё pabarazitë’ dhe një prej nën objektivave të tij është ‘garantimi i mundësive të barabarta dhe mosdiskriminimi’
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke pasur parasysh situatën e vërshtirë të shkaktuar nga pandemia për personat me aftësi të kufizuara, që në fillesat e saj, bëri thirrje për të dhënë një përgjigje gjithëpërfshirëse prej shteteve ndaj Covid-19, ku askush të mos lihet mënjanë. Guterres, e ka cilësuar këtë si “mundësia unike që ne kemi për të dizenjuar dhe implementuar shoqëri më përfshirëse dhe të aksesueshme”
Kriza e Covid-19 na evidentoj qartë problemet, segregimin dhe diskriminimin për personat me aftësitë kuizuara, ndaj kemi nevojë të ndërtojmë një ambjent gjithëpërfshirës që të ndikojë menjëherë dhe në menyrë afatgjatë në përmirësimin e cilësisë së jetesës dhe reduktimin e kostove financiare e njerëzore në të ardhmen. Është momenti mëse i përshtatshëm për të rritur aksesin në informacion, aksesin fizik dhe aksesin në mundësi, është koha për shërbime të specializuara mbi parimin e barazisë dhe të drejtave që garantohen prej Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, mbi lirinë e zgjedhjes dhe jetesës së pavarur, është momenti të mendohet për të integruar teknologjinë dhe mjetet ndihmëse në veprimtarinë institucionale e komunitare, është momenti për të mbështetur organizatat për të përcjellë interesin e këtij target grupi.
Koha është tani, për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku personat me aftësi të kufizuara të mos mbeten pas.
- Artikuj mbёshtetёs
https://www.coe.int/en/web/commissioner/-/persons-with-disabilities-must-not-be-left-behind-in-the-response-to-the-covid-19-pandemic - https://www.theguardian.com/lifeandstyle/2020/aug/06/loneliness-cure-pill-research-scientists
- https://enil.eu/news/covid-19-disability-rights-monitor-drm-%e2%80%afcalls-for-an-emergency-response-to-the-catastrophic-abuse-of-the-human-%e2%80%afrights-of-persons-with-disabilities-in-institutions%e2%80%af/
- https://www.un.org/en/coronavirus/disability-inclusion
- https://www.un.org/en/coronavirus/we-have-unique-opportunity-design-and-implement-more-inclusive-and-accessible-societies
- https://www.un.org/sustainabledevelopment/inequality/
- https://www.internationaldisabilityalliance.org/content/covid-19-and-disability-movement