Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka nisur një letër kryetarit Të Bashkisë Tiranë, Erjon Veliaj, për Tetarin Kombëtar, duke i kërkuar të pezullohet veprimtaria e shembjes deri sa të vendosë Kushtetuesja.
KLSH shkruan:
-T’i rekomandoj kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës të pezullojnë të gjitha veprimet dhe vendim-marrjet në lidhje me pasurinë nr. 1/241, me emërimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadestrale 8150. Tiranë, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga e Gjykatës Kushtetuese.
–Pasojat e veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve dhe institucioneve, që do të burojnë nga vendim-marrjet e padrejta, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese të shprehet se do t’i konsiderojë të kundërligjshme dhe të gabuara, do të trajtohen nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit si dëm me pasoja të rënda për interesat ekonomike të shtetit dhe do të kërkohet dëmshpërblimi përkatës.
Gjithashtu në shkresën e mëposhtme theksohet fakti Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim kërkesën e presidentit Ilir Meta për të shfuqizuar ligjin special që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të kullave në pronën publike dhe se rekomandohet që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetues ka vendosur që të marrë në shqyrtim paraprak kërkesën e presidentit të Republikës për të shfuqizuar ligjin special që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të kullave në pronën publike dhe mbi këtë bazë u ka kërkuar Kuvendit, Këshillit të Ministrave Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës të japin argumentet mbi hartimin dhe miratimin e këtij ligji special”.
Ndërsa dy ditë më parë kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Toni Gogo firmosi vendimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, një veprim i kundërshtuar dhe protestuar nga të gjithë artistët.
Në vendimin e Këshillit Bashkiak të publikuar thuhej;
“Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, pasuri në pronësi të bashkisë Tiranë, bazuar në akt-ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së teatrit Kombëtar”.
Vendimi është firmosur më datë 14 maj 2020.