Ndërsa Festivali i 62-të në RTSH ka ngritur siparin mbrëjen e kaluar, të tjerë këngëtarë pritet të prekin sot në natën e dytë skenën e madhe për herë të parë.
Një prej tyre është edhe Kleansa Susaj, një talent i rrallë që ka marrë vëmendjen e publikut me zërin e saj të mrekullueshëm që me shfaqjet e saj të para në festivalet e fëmijëve dhe ato për zërat e rinj.
Kleansa është gati të magjepsë audiencën e festivalit me këngën e saj “Pikturë”. Kjo është hera e parë që këngëtarja e re do të performojë live në një event të këtyre dimensioneve dhe siç edhe e ka treguar për InfoMedia Albania është po aq e emocionuar për këtë. “Skena e festivalit ka gjithmonë përgjegjësi të madhe dhe kur u kualifikova për të qenë pjesë ende nuk e besoja por shpresoj që kënga të pëlqehet dhe të mirëpritet nga publiku”, ka thënë ajo për IMA.
E rritur në një familje ku muzika ka qenë gjithmonë pjesë thelbësore e jetës, Kleansa filloi të eksplorojë pasionin e saj për muzikën që në moshën e fëmijërisë. Pjesëmarrja e saj në aktivitete muzikore që në klasën e parë ka qenë vetëm fillimi i një udhëtimi të jashtëzakonshëm.
Ajo ka arritur të dallohet ndër vite, duke fituar çmime të ndryshme dhe duke u bërë e njohur për zërin e saj të veçantë. Fituesja e çmimit të parë në Festivalin e Zërave të Rinj të Tiranës në vitin 2016 dhe e vendit të tretë në JESC 2017, Kleansa vazhdon të shkëlqejë në çdo skenë ku performon.
Në vitin 2018, Kleansa Susaj merr pjesë në Voice Kids Albania ku arriti të binte në sy mes shumë fëmijëve të tjerë për talentin e saj dhe energjinë dhe lirshmërinë në interpretim.
Në Korrik 2022, merr pjesë në Tirana Art Fest 7, ku vlerësohet me çmimin Këngëtari më i mirë Debutues”.
Inspiruar nga artistë si Alban Skënderaj, Celine Dion dhe Jessie J, Kleansa ka zhvilluar një stil të veçantë që e bën atë unike në botën e muzikës. Përveç muzikës, ajo gjithashtu shfaq talentin e saj në fusha të tjera si aktrimi dhe piktura, duke demonstruar një gamë të gjerë të aftësive artistike.
Me një histori të mbushur me suksese dhe një pasion të palëkundur për muzikën, Kleansa Susaj është një emër që duhet mbajtur mend. Pjesëmarrja e saj në Festivalin e 62-të në RTSH nuk është vetëm një tjetër hap në karrierën e saj, por një mundësi për të treguar pse zëri i saj është një nga më të veçantët që skena shqiptare ka për të ofruar.
Ndërsa Kleansa përgatitet për performancën e saj në “Fest 62”, pritshmëritë janë të larta dhe ne mezi presim ta dëgjojmë me Pikturë, një kompozim i Jeris Kaso, me tekst të Florian Zyka dhe orkestrim të Sergio Hajdini.