Klea Huta dhe Elgit Doda u bënë prindër për herë të parë këtë vit, kur në jetë erdhi djali i tyre, Krid. Që nga ajo ditë, moderatorja ndan shpesh momentet qe kalon me të birin dhe plot dedikime për të në rrjetet sociale, po ashtu edhe detaje nga jeta si nënë e re.
Mbrëmjen e djeshme ajo ka rrëfyer edhe disa nga ndjesitë që ka kaluar gjatë shtatzënisë, përfshirë këtu edhe një periudhë të vështirë depresioni. E ftuar në emisionin “Pardon my French”në Top Albania Radio me Jonida Aliçkollin dhe Kejvin Kalon, Klea u pyet për mendimin e parë që kishte pasur pasi kishte marrë vesh lajmin për pritjen e ëmbël.
Moderatorja u shpreh se shtatzënia ishte diçka që ajo dhe Elgiti e dëshironin shumë, por kur kishte marrë lajmin i kishte ndodhur diçka e çuditshme. Në atë kohë ajo mendonte se do t’i prisheshin të gjitha planet, karriera e saj do të ndalonte, nuk do mundte të bënte atë që donte, të gjitha këto mendime pjesë e një depresioni që në fakt ndodh tek gratë shtatzëna, ku ndikojnë edhe hormonet apo ndryshimet që pëson trupi.
Klea tha se kjo gjendje i zgjati për gati 3 muaj, ndërsa filloi të mësohej me idenë dhe sigurisht që gjithçka mori kuptim në momentin kur Krid erdhi në jetë, moment të cilin ajo e quan si më të mrekullueshmin në jetën e saj. Nisur nga eksperienca, Klea dha edhe një mesazh për të gjitha vajzat e gratë që po përjetojnë diçka të tillë, duke i thënë që nuk janë vetëm dhe faza të tilla depresioni ndodhin e që e gjitha ndryshon kur fëmija lind dhe jeta merr krejtësisht tjetër kuptim.
Po ashtu moderatorja e “Këngë Moj” rrëfeu se i biri ka ndryshuar edhe mënyrën si mendon për disa gjëra, ndërsa tashmë ai është mendimi i parë në çdo çast dhe ka gjithmonë dëshirë që të jetë pranë tij, duke e puthur dhe e përqafuar. Nga ana tjetër, ardhja në jetë e Krid nuk ka bërë aspak që marrëdhënia e Kleas dhe Elgiti të ndryshojë, madje tani dashuria është më e fortë se kurrë.