E para dhe e vetmja platformë dixhitale që instalohet në këtë rreth
Platforma dixhitale tokësore e Televizionit Kombëtar Klan ka nisur prej ditës së djeshme transmetimin edhe në rrethin e Kukësit.
Kukësi është stacioni i fundit i transmetimeve në High Definition, ndërsa platforma e Tv Klan është e para dhe e vetmja platformë dixhitale që instalohet në këtë rreth.
Stacioni i transmetimit është vendosur në malin Tregtan dhe mbulon me sinjal të gjithë qytetin e Kukësit dhe të fshatrave Bardhoc, Gjegjan, Shtiqen, Bicaj, Kolesjan, Surroji, Nange, Mamez, Kolsh, Kalimash dhe gjithë fshatrat e tjerë që kanë pamje nga maja e këtij mali.
Platforma dixhitale e Tv Klan është e vetmja pa asnjë pagesë dhe për të marrë sinjalin mjafton një televizor i viteve të fundit ose një dekoder të thjeshtë DVB-T2, që mund të gjendet pranë Postës Shqiptare në qytetin e Kukësit.
Veç programeve të larmishme të Tv Klan, në formatin High Definition, që ofron cilësinë më të mirë të zërit e figurës, në këtë platformë transmetohen edhe kanalet e Klan Plus, ABC News, Klan Macedonia, Klan Music dhe së shpejti edhe Klan News.
Nga stacioni i malit Tregtan prej ditës së djeshme ka nisur edhe transmetimi i sinjalit analog i Tv Klan, i cili deri tani kryhej nga stacioni në Malin e Midës.
Tani përveç transmetimit analog nga Mida, banorët e Kukësit mund të drejtojnë antenat nga mali Tregtan për të marrë të dy sinjalet me të njëjtin drejtim antene. Për këtë, qytetarët e të gjithë kësaj zone duhet të futin në kërkim televizorët e tyre për të regjistruar qoftë transmetimin analog në kanal 30 si dhe kanalet dixhitale qoftë me televizor të ri DVB-T2 apo të futin në kërkim dekoderat që disponojnë apo që do të marrin pranë Postës së Kukësit, që t’u regjistrohen kanalet e reja të plaformës sonë dixhitale.
Pas këtij investimi të rëndësishëm për të gjithë rrethin e Kukësit, televizioni Klan fillon punën këto ditë për një investim edhe më të madh për mbulimin me sinjal dixhital edhe në rrethin e Dibrës, duke u bërë kështu platforma e parë dixhitale private që do të mbulojë me sinjal High Definition kryeqendrën e Dibrës, Peshkopinë dhe të gjithë fshatrat që mbulohen me sinjal nga maja e malit Arapaj.
Tv Klan