KKR bën ofertë për të blerë Telecom Italia në një marrëveshje të madhe me kapital privat. Kjo do të ishte blerja më e madhe në Europë
Financat e larta italiane zakonisht e ulin aktivitetin vjetor në javën e parë të dhjetorit, kur Milano, kryeqyteti i biznesit i vendit, kremton Ambrose, festën e shenjtorit mbrojtës. Por nuk ndodhi kështu këtë vit. Gjatë fundjavës, një dosje e re u shfaq në tryezën e kryeministrit Mario Draghi, që do ta mbajë atë dhe bankierët, të zënë edhe gjatë Vitit të Ri, shkruan The Economist.
Më 21 nëntor, KKR, një firmë me kapital privat me seli në Nju Jork, lançoi një ofertë prej 10.8 miliardë eurosh (12 miliardë dollarë) për të blerë Telecom Italia (TIM), operatorin më të madh të telekomunikacionit në Itali. Kjo ofertë miqësore do të ishte blerja më e madhe e kapitalit privat në Europë. Ajo ka nevojë si për miratimin e anëtarëve të bordit të firmës, ashtu edhe të qeverisë, e cila mund të vërë veton për blerjen e një “kampioni” kombëtar.
Pas njoftimit, aksionet e TIM u rritën me 30%, por Vivendi, aksioneri më i madh i TIM, i prishi planet, duke thënë se nuk kishte ndër mend të shiste 24% të aksioneve të veta. Kompania mediatike franceze thotë se oferta është shumë e ulët. Ky është një argument tejet i diskutueshëm, sepse vlera prej 0,50 € për aksion që mund të ofronte KKR, është vetëm sa gjysma e asaj që shpenzoi Vivendi kur bleu aksionin e saj të parë në mesin e vitit 2015.
TIM ka vite që është në një gjendje të keqe financiare. Aksionet e kompanisë kishin rënë me 70% që kur u përfshi në blerje Vivendi. KKR mund të marrë kontrollin e TIM edhe pa aksionet e Vivendi, duke blerë të paktën 51% të aksioneve. Megjithatë, dy aksionerët e mëdhenj duhet të bien dakord gjerësisht për atë çka nevojitet për të drejtuar TIM, pasi KKR ka nevojë për një shumicë prej dy të tretave të votave të aksionerëve, në rast se dëshiron të kryejë një operacion radikal.
Problemet e TIM datojnë që nga viti 1999, kur një blerje nga Roberto Colaninno, shefi i Olivetti, një kompani më e vogël telekomunikacioni, e ngarkoi kompaninë me borxhe të mëdha. Pas kësaj, ajo nuk ishte në gjendje të investonte mjaftueshëm në infrastrukturën e saj, për të garuar me rivalët e huaj si Wind, Iliad dhe Vodafone. Në fakt, Telecom Italia është e njohur për ndërhyrjet politike, qeverisjen e keqe dhe grindjet e aksionerëve. Sikur të mos mjaftonte kjo, fuqia e saj punëtore është e fryrë, me rreth 50 mijë punonjës në Itali.
KKR dëshiron të shkëpusë biznesin e infrastrukturës së firmës, nga biznesi i shërbimeve të saj. Shpresa është që kjo ndarje e re do t’i jepte më shumë fokus secilës njësi dhe do të lejonte sasinë e duhur të investimit. Analistët presin që KKR do të zhvendosë njësinë e infrastrukturës në një firmë të veçantë, ku KKR do të jetë investitori kryesor. Cassa Depositi e Prestiti, banka shtetërore e zhvillimit e Italisë, e cila zotëron 10% të TIM, pritet të mbetet një investitor i vogël, duke i lënë shtetit italian njëfarë kontrolli në një sektor strategjik.
Thuhet se zoti Draghi e mbështet marrëveshjen. Megjithatë, ai nuk do të mirëpriste një luftë midis KKR dhe Vivendi, një kompani e cila kontrollohet nga Vincent Bolloré, një investitor i madh francez. Një përplasje e tillë mund të nxisë rivalët populistë. Matteo Salvini, lideri i partisë së ekstremit të djathtë të Ligës së Veriut, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar, po bën thirrje që menaxhimi i TIM të ndryshohet, për të bllokuar blerjen e kompanisë.