Kryeministri Rama ditën e sotme deklaroi se më 27 prill do të hapet blloku i dytë i bizneseve. Kryeministri pak më parë publikoi edhe listën me aktivitetet që do të lejohen të hapen, duke ndjekur protokollin e sigurisë.
“Ja aktivitetet që do të lejohen të hapen nga e hëna 27 prill. Të gjitha bizneset duhet të marrin vërtetimin për hapje aktiviteti në e-albania dhe të njihen me protokollin e sigurisë përmes e-albania. Vërtetim dhe protokolli duhet të dispnohen në mjediset e biznesit përkatës.
*nga hapja e këtyre bizneseve kthehen në punë xxx punonjës dhe pavarësisht fillimit të punës përfituesit nga Paketa e Parë apo Paketa e Zgjeruar, nuk do ta humbasin mbështetjen financiare prej 3×26.000 apo 1X40.000 lekësh”, shkruan Rama. “Shërbimi Taksi do të ketë protokoll të veçantë”, shton kryeministri.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh: “Të hënë më 27 prill hapet blloku tjetër i bizneseve, me protokolle të caktuara. Dua të analizoj dhe është shumë e rëndësishme se protokollet duhen lexuar dhe zbatuar, pasi hapja vjen me risk. Ne kemi mjete penalizuese, duke përfshirë edhe masat e reja të Kodit Penal që hyn në fuqi këto ditë, por fillimisht duhet të mendojnë për veten jo ndëshkimet. Duke mbrojtur njëri-tjetrin atëherë mund të hapemi. Hapja në të gjithë botën është një proces gradual dhe askush nuk e di si do të shkojnë gjërat. Të gjithë janë të përgatitur për t’u tërhequr nëse dinamika e epidemisë kap nivele negative. Do të publikohen sot që të marrin masat që të jenë në rregull. Lista e aktiviteteve që do të hapen do të publikohen në e-albania dhe çdo aktivitet ka Kodin e vetë përkatës.
Me këtë bllok të dytë ne i japim mundësinë 27589 punonjësve të regjistruar, këtu hyjnë shitje me pakicë në dyqane, tregtim me pakicë e veshjeve, mallrave të tjera, tregtia me pakicë e këpucëve, tregtia me pakicë e mobiljeve, pajisjet e ndriçimit, tregtia me pakicë e luleve, e bizhuterive, e pajisjeve audio dhe video, qylymave, e lodrave, e pajisjeve sportive, e sistemeve të sigurisë dhe taksitë me një person brenda në diagonal”, tha Rama.