Pas një viti të mbushur me polemika, reagime publike, kritika dhe një riemërtim, gjiganti i mediave sociale, Facebook, u shpall “Kompania më e keqe për vitin 2021”.
Yahoo Finance çdo vit shpall kompaninë më të mirë të vitit. Për vitin 2021, Microsoft zë vendin e parë. Këtë vit, Yahoo Finance vendosi të merrej edhe me aspektin negativ dhe anketoi mbi 1000 individë, ku Facebook mori 50% më shumë vota në krahasim me Alibaba, një platformë kineze e tregtisë elektronike.
Të anketuarit patën një mori ankesash ndaj Facebook, duke përfshirë shqetësimet për censurën, ndikimin e Instagramit në shëndetin mendor dhe problemet e privatësisë.
Facebook, mes skandaleve, u riemërtua në “Meta”, duke shënuar fillimin e një drejtimi të ri për kompaninë, sipas themeluesit dhe drejtorit ekzekutiv Mark Zuckerberg. Emri i ri është menduar të jetë më në përputhje me qëllimin e ndërtimit të një “Metaverse”, një botë tërësisht dixhitale. Riemërtimi u pa gjerësisht si një përpjekje për të shkëputur vëmendjen nga kritikat.