Autoriteti i Mediave Audiovizive ka pranuar sot aplikimin e subjektit audio “Radio Ngjallja” në pronësi të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përmes mbledhjes së ditës së sotme më 13 Korrik.
Me vendim nr. 134, AMA ka i ka dhënë mundësi Radios Ngjallja të zgjerojë transmetimin e saj në Qarqet Fier, Elbasan dhe Korçë njëherazi dhe reduktimin e zonës së ofrimit të shërbimit të subjektit në Bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Durrës dhe Shijak në frekuencën 88.5 MhZ.
Radio Ngjallja përveç frekuencës kryesore për qarkun e Tiranës, do të transmetojë në zonën e Fierit me frekuencën FM 98.7 MhZ, Elbasanit në frekuencën FM 93.4 MhZ dhe Korçës FM 88.7 MhZ.
Që prej prillit të vitit 1998, kur filloi transmetimin e saj, Radio Ngjallja ofron një program mjaft të gjerë e të larmishëm për shoqërinë shqiptare, me muzikë të përzgjedhur kryesisht klasike, të lehtë, dhe kishtare, si dhe emisione. Emisionet janë informative, ku përfshihen lajme, radio-kronika, radio-reportazhe, meditime, lutje, emisione shpirtërore, social-kulturore, historike me karakter edukativ, duke synuar rritjen e vlerave shpirtërore si dhe të njohurive dhe përjetimeve personale e shoqërore.