Pas 11 ditësh i shtruar në spital, Silvio Berlusconi ka dalë sot pasi u infektuar me Covid-19. Ai e ka cilësuar si një nga sprovat më të rrezikshme të jetës dhe u ka bërë thirrje të gjithëve që të mos i nënvlerësojnë rreziqet e këtij virusi:
“Unë kapërceva momentet më të vështira. Secili prej nesh është i ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit të vetes dhe të tjerëve. Bëj thirrje për përgjegjësi maksimale personale dhe sociale. Mendimet e mia shkojnë para së gjithash për familjarët që po vuajnë për njerëzit e afërt të tyre. Para se të sëmuresha vetë, kam marrë thirrje të shumta që të mos nënvlerësoja rrezikun. Unë përjetova vuajtjet e atyre që u sëmurën apo që janë ende të sëmurë nga koronavirusi”, u shpreh ai.
“Profesor Clementi studioi mostrën time dhe është befasuar nga madhësia e ngarkesës virale, më e larta midis mijërave të analizuara në laboratorët e San Raffaele. Tani jam në fazën e rimëkëmbjes së pneumonisë bilaterale, sëmundja që më bëri më të rrezikuar”, shtoi Berlusconi. Thuhet se ai u infektua nga dy prej pesë fëmijëve të tij që u kthyen nga pushimet.